Dëshmon Drejtori i Departamentit Ligjor nga MASHT: “Xhavit Dakaj dhe të tjerët janë suspenduar nga puna pa bazë ligjore”

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë- Hysni Kryeziu, drejtor i Departamentit Ligjor nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në seancën e së martës tha se i akuzuari Xhavit Dakaj dhe të tjerët janë suspenduar pa bazë ligjore, pasi një vendim i tillë sipas tij ka ardhur para se gjykata të nxjerr një vendim për përfundimin e kësaj çështje.

Kryeziu tha se një mendim të tillë e kishte dhënë gjatë një bashkëbisede me ushtruesin e detyrës të sekretarit të përgjithshëm, Alush Istogu.

Dëshmitari tha se menjëherë pas dhënies së këtij mendimi, i ishte drejtuar me shkrim zyrës ligjore të Ministrisë së Drejtësisë, nga e cila kishte marrë letër mbështetëse lidhur me mendimin e dhënë për suspendim.

“Opinion kam kërkuar edhe nga zyra ligjore e Kryeministrit, por nuk kam marrë asnjëherë përgjigje”, tha Kryeziu.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, Valon Kurtaj lidhur me atë nëse memorandumin e lidhur mes MASHT dhe Gjykatës Kushtetuese e kishte përpiluar Departamenti Ligjor i MASHT,  Kryeziu tha se si drejtor i këtij departamenti nuk e ka nënshkruar dhe se as që është obligim që një memorandum të kalojë përmes këtij departamenti.

Kryeziu tha se memorandume të tilla janë shumë të zakonshme dhe lidhin shumë institucione të Republikës së Kosovës, e kjo sipas tij nuk krijon obligim që të jepet një opinion ligjorë lidhur me to.

Gjykatësi Kurtaj i njoftoi palët se e ka parë shumë të nevojshme që ta caktojë një ekspert tjetër financiar, pasi ka pasur shumë kundërthënie mes eksperteve të ftuar për ta dhënë mendimin e tyre lidhur me këtë çështje.

Propozimet për caktimin e një eksperti ishin edhe nga ana e mbrojtësit të së akuzuarës Bukurije Borovci, avokati Visar Vehapi, e për të cilin propozim kundërshtoi prokurori special, Faik Halili.

Halili tha se këtë kundërshtim për caktimin e ekspertit financiar Vehbi Imeri, të propozuar nga avokati e lidhë me faktin se i njëjti është bashkëpunëtorë me ekspertin Riza Blakaj, e ky i fundit sipas prokurorit veç se e ka dhënë mendimin e tij profesional për këtë çështje.

Por reagimin e prokurorit e pa si të pa bazë mbrojtësi i Fehmi Zylfiut, avokati Ramë Dreshaj i cili tha se në ekspertizën e pranuar nga Blakaj janë të shënuar të gjitha të dhënat të cilat flasin se në zyrën e tij nuk ka asnjë bashkëpunëtorë dhe se punën e tij e kryen si i vetëm.

Trupi gjykues e ndërpreu seancën e këtij shqyrtimi gjyqësor për një afat të pacaktuar kohor , për të vazhduar pastaj pas pranimit të ekspertizës të caktuar nga gjykata.

Në dhjetor të vitit 2015, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhevat Dakaj, sekretarë i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për kryerjen e veprës penale ”keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” në bashkëkryerje me Milot Vokshin, sekretar i përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës duke i tejkaluar kështu kompetencat e tyre ku më 12 dhjetor 2014 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore , për vete apo persona tjerë në mënyrë të kundërligjshme lidhin marrëveshje të mirëkuptimit mes institucionit ku punojnë, përkatësisht mes MASHT-it dhe Gjykatës Kushtetuese me qëllim të shfrytëzimit të kontratës publike kornizë, nga ana e MASHT-it.

Kjo kontratë ishte lidhur më herët nga Gjykata Kushtetuese dhe kompania “Grafo-Loni”, për shtypjen e librave dhe materialeve tjera  për shtypje , duke i mundësuar këtij subjekti përfitime në vlerë prej 31,612.60 euro, për të cilën shumë është dëmtuar edhe buxheti i shtetit të Kosovës.

Të njëjtët akuzohen për “cenim të barazisë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike”, ngase sipas prokurorisë duke kufizuar qarkullimin e shërbimeve, kanë ngushtuar konkurrencën dhe i kanë vënë subjektet tjera biznesore “XHAD”, “KGT”, “Printing press”, “NORD”, “Blendi” dhe “Prograf” në pozita të pabarabarta për të favorizuar “Grafo-Lonin”.

PSRK-ja kishte përfshirë edhe tre zyrtarë tjetër për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, Xhemajl Buzukun, zyrtarë i prokurimit, Fehmi Zylfiu, zyrtar financiar në MASHT dhe Bukurije Borovci, zyrtare certifikuese, ku në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik (LPP) dhe Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike, kishin lejuar të kryhen pagesat në emër të kompanisë “Grafo-Lonin”.

Këto pagesa sipas PSKR-së janë lidhur për furnizimin me libra dhe broshura  për MASHT-in, duke u bazuar në marrëveshjen e jashtëligjshme  të mirëkuptimit mes MASHT-it dhe Gjykatës Kushtetuese e kështu duke i mundësuar kësaj kompanie përfitim të jashtëligjshëm.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë