Prishtinë- Ilir Gashi,Ardian Canolli dhe Osman Hajrizi janë tre punëtorët tjerë të kompanisë “Security Code” të cilët dëshmuan në seancën e së enjtes, të mbajtur për rastin e ashtëquajtur “KEK 2“. Dëshmia e tyre kishte të bënte me deklaratën e 23 marsit 2012 të cilën sipas prokurorisë e ka nënshkruar kompania “Security Code”në emër të punëtorëve të rekrutuar. Deklarata në fjalë kishte të bënte me eksluzivitetin dhe gatitshmërinë e punëtorëve për projektin e sigurimit fizik të objekteve të KEK-ut.
Dëshmitari Ilir Gashi, njëherit menaxher i sigurisë në “Security Code”,deklaroi se deklaratën në fjalë nuk e ka nënshkruar ai personalisht, e as që e ka jep ndonjë autorizim të veçantë. Megjithatë sipas tij, në momentin që i kanë dorëzuar dokumentet për të aplikuar për punë dhe gjatë bisedës me drejtorin e kompanisë”Security Code”, Esat Tahiri, i është dhënë e drejta kompanisë që ato dokumente të përfshihen në dosjen e tenderit, që ka qenë edhe kriter i tenderimit për projektin e KEK-ut.
Ndryshe nga Gashi, dëshmitari tjetër Ardian Canolli tha se deklarata e 23 marsit është nënshkruar nga vet ai dhe se përmbajtja e së njëjtës është në përputhshëmëri të plotë me marrëveshjen që i njëjti e ka bërë me drejtorin e kompanisë ”Security Code”.
Ndërkaq, dëshmitari i tretë, Osman Hajrizi, theksoi se punën si menaxher i sigurisë në këtë kompani e ka punë sekondare,pasi me kontratë të rregullt është në kompaninë “Katana”,për të cilën punë sipas tij ishte pajtuar edhe pronari i “Katanës”,Agron Jusufi. Lidhur me deklaratën në fjalë, i njëjti pranoi se e ka nënshkruar. Madje, ai shtoi se në mbledhjen e mbajtur në zyret e KEK-ut kanë qenë të pranishëm shumë prej dëshmitarëve, duke cekur kshtu Arbër Krasniqin,Ardian Canollin,Ilir Gashin,Gazmend Elezaj dhe disa të tjerë . Tutje, dëshmitari Hajrizi tha se si profesionist dhe njohës i mirë fushës së sistemit të sigurisë i kanë ofruar punë edhe kompanitë tjera,por si përfundim kishte bërë marrëveshje që në rast të fitimit të projektit të KEK-ut nga ana e “Security Code”,do ta pranonte punën.
Prokurori i rastit, Paul Flynn, në vazhdimësi shprehej i pakënaqur me deklaratat e dhëna në këtë senacë gjyqësore nga ana e dëshmitarëve,pasi të njëjtit potenconin faktin që deklarata e 23 marsit 2012,edhe pse nuk ishte nënshkruar nga shumica prej tyre,nuk kundërshtohet me asyetimin se e njëjta ka qenë e ngjashme me bisedat që kanë zhvilluar paraprakisht me drejtorin lidhur me kushtet dhe përgjegjësitë në punë për projektin në fjalë. Tutje prokurori Flynn tha se mbrojtja e të akuzuarve Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku, avokatët Mentor Neziri dhe Artan Qerkini vazhdimisht këmbëngulin për ekzistimin e faktit nëse janë pajtuar dëshmitarët për përmbajtjen e asaj deklarate apo jo,edhe pse e njëjta nuk ishte nënshkruar nga ta. Sipas tij kjo nuk është relavante pasi pajtimi i mëpastajshëm nuk e validon atë deklaratë dhe se për këtë duhet thirrur në institute juridike, pasi në çështje e tillë nuk është e rregulluar specifikisht dhe se nuk ekziston ndonjë komentar që e shtjellon atë.
Seanca e ardhshme për këtë process gjyqësor u caktua për ditën e nesërme, me datë 22 prill në ora 08:30.
Sipas aktakuzës së prokurorisë, shtatë personat e akuzuar në lidhje me tenderin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përfshihen kryetari i Skënderajit, Sami Lushtaku dhe Drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe pesë të akuzuar tjerë. Që të shtatë të akuzuarit ,akuzohen për tenderin milionësh për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut,ku i akuzuari Sami Lushtaku akuzohet për veprën penale ‘’shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit’’, Arben Gjukaj e Hysni Hoxha për veprën penale ‘keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit’’, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku për veprat penale të’ mashtrimit’ dhe ‘’falsifikimit të dokumenteve’’ në bashkëkryerj’, Driton Pruthi për veprat penale ‘keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit’ dhe lidhja e kontratës së dëmshme dhe Azem Duraku për veprën penale ‘’shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit’’.