DËSHMOJNË TRE PERSONA TEK RASTI I POLICIT TË AKUZUAR, NASUF STUBLLA

Raporton: Syzana REXHEPI

Gjilan – Zyrtari policor Selman Muja, dëshmoi në rastin e të akuzuarit Nasuf Stublla, i cili akuzohet në cilësinë e policit për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Muja gjatë dëshmisë së tij, e njoftoi gjykatën se në kohën kur ka ndodhur rasti ka qenë në pikën kufitare në Dobrosin dhe atë ditë Stublla  dhe një person tjetër me veturë  me tabela franceze e kishte pyteur se a mundet dy pako pesticide për spërkatje të pemëve  t’i kaloj në këtë pikë kufitare. Këtyre të fundit u është thënë që ky mall nuk ka mundësi të kalohet në Dobrosin por duhet të kalohet nga pika doganore Dheu i Bardhë. Tutje, i njejti vazhdoi dëshminë e tij duke thënë se Stublla ishte kthyer prap pas 15 minutave me një veturë tjetër me tabela të Serbisë por ai ishte ndaluar dhe gjatë kontrollës së kësaj veture u gjetën dy pako me pesticide. Sipas dëshmitarit, pas kësaj ishte njoftuar shefi i ndërrimit Nasuf Morina, i cili kishte urdhëruar që t’i sjellin në bazë në Gjilan.

Në këtë seancë u dëgjua edhe dëshmitarja Bukurije Kërçeli, e cila deklaroi ngashëm si dëshmitari i parë.

Ndërkaq, dëshmitari i tretë në këtë rast, Agron Namani para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Gjilan, tha se atë ditë kishte qenë me Nasuf Stubllën në pikën kufitare në Dobrosin. “Kemi pasur një veturë me 18 litra pesticide dhe polici na ka thënë se kemi të drejtë me kalu mallin në këtë pikë kufitare por duhet të kalohet nëpër pikën Doganore Dheu i Bardhë” u shpreh Namani.

Para dëgjimit të dëshmitarëve, në këtë seancë u prezantuan edhe fjalët hyrëse të palëve, ku prokurori i rastit, Arben Kadriu tha se përmes dëgjimit të dëshmitarëve dhe administrimit të provave do të vërtetohet fajësia e të akuzuarit. Ndërkaq, të kundërtën e tha mbrojtësja e të akuzuarit Nasuf Stublla, avokatja Jehona Sylejmani, duke e kundërshtuar këtë aktakuzë.

Aktakuza e prokurorisë, e akuzon Nasuf Stubllën se duke shfrytëzuar detyrën zyrtare më 7 maj 2015, ka dashur t’iu shmanget detyrimeve doganore duke dashur të lejoj futjen e mallit nga Serbia në Kosovë. Sipas aktakuzës, ai kishte dashur të fuste dy paketa me helme për spërkatje të pemëve, 18 litra, dhe një paketë me 6 kilogram pluhur edhe pse ka qenë në dijeni se një veprim i tillë është i ndaluar.

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë