DËSHMOJNË TRE DËSHMITARË PËR DALLAVERET ME PRONA NË KOMUNËN E PEJËS

Raporton: Valdet HAJDINI

Pejë – Me kërkesë të prokurores Sahide Gashi, të premtën në Gjykatën Themeore në Pejë, kanë dëshmuar Agim Balaj, Sadri Sadriaj, Musa Sadriaj dhe Hamdi Sadriaj kundër ish-zyrtarëve të Drejtorisë për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Pejës, Sami Krasniqi dhe Shahin Belegu të akuzuar për veprën penale ‘shpërdorimit të pozitës zyrtare ose autorizimit’.

Dëshmitari Agim Balaj deklaroj se një pjesë të pronës e kishte blerë qysh para luftës, ndërsa një pjesë tjetër pas luftës dhe se çdo gjë kishte përfunduar me dokumente. Mirëpo, në vitin 2005 derisa kishte shkuar në komunë për të nxerr fletën poseduese, kishte dal që prona e tij është në hipotekë.

Duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të Sami Krasniqit, avokatit Selim Berisha nëse ishte në dijeni për ndonjë procedurë penale kundër vëllezërve Sadrija, dëshmitari tha se nuk ishte në dijeni për një gjë të tillë.

Dëshmitari Sadri Sadrija deklaroj se një pjesë të tokës së tyre e kishin shitur në vitet 1995-’96, ndërsa një pjesë tjetër në vitet 2003-’04, ndërsa për bartjen e pronës kishin bërë kontratë të shit-blerjes.

“Unë e di që vëllau im Musa Sadrija e ka futur pronën në hipotekë, duke përfshirë edhe pronën që e kemi shitur, ndërsa për këtë ka vuajtur 1 vit burgim” tha dëshmitari Sadriaj.

Në anën tjetër, dëshmitari Musa Sadriaj deklaroj se në vitin 2006-’07 e kishte nxerr fletën poseduese, duke menduar që prona është e ndarë. “Unë e kam futur pronën në hipotekë dhe atë si garantues për një kredi të një mikut tim” tha dëshmitari Musa Sadrija.

Pas kësaj, trupi gjykues me aktvendim e shtyu gjykimin për kohë të pacaktuar, ndërsa për seancën e ardhshme palët do të njoftohen me ftesa të rregullta.

Ky proces gjyqësor është në rigjykim dhe zhvillohet në bazë të tri aktakuzave të ngritura nga ish-Prokuroria Publike e Qarkut në Pejë.

Sipas pretendimit të prokurorisë, i akuzuari Sami Krasniqi me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për tjetrin, ka shpërdorur pozitën zyrtare duke nxerr aktvendim për bartje të pronësisë të lokalit afarist. Gjithashtu, i njejti ka bërë regjistrimin e hipotekës së palujtshmërisë nga fleta poseduese, edhepse për të njejtën ka pasur një aktgjykim të plotfuqishëm se prona i njihet një personi tjetër.

Prokuroria e ngarkon të akuzuarin Shahin Belegu se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për tjetrin, duke mos e dërguar një lëndë për azhurim në librat përkatës. Gjithashtu, organi akuzues e ngarkon të akuzuarin se ms 31 dhjetor 2007 ka nxjerr vendime të kundërligjshme, me të cilat pronën publike e bartë në pronë private.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë