DËSHMOJNË POLICËT NË RASTIN E NJOHUR SI “VRASJA NË RESHTAN”

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të martën, ka vazhduar gjykimi ndaj të akuzuarve Fadil Shala, Enver Kryeziu dhe Artan Kryeziu, të cilët akuzohen për vrasje në bashkëkryerje.

Në këtë seancë kanë dëshmuar zyrtarët policor, të cilët ishin të angazhuar në këtë rast, si dëshmitarë të propozuar në seancën e kaluar nga pala e dëmtuar.

Dëshmitari Arsim Berisha, i cili, në kohën kur kishte ndodhur ngjarja, kishte qenë komandant i Stacionit Policor në Suharekë, ndër të tjera, rreth rastit, ka thënë se janë njoftuar nga një qytetarë dhe në vend të ngjarjes ka dalë patrulla policore që ka qenë më afër, pastaj njësia e hetimeve, forenzika dhe më pas edhe ai vetë. Më tej ka shtuar se në vendngjarje ka parë xhama të thyera të një dyqani që më vonë e kishte kuptuar se ishte i Nuhi Kryeziut, disa mjete të punës, një çekiç dhe disa gurë, të cilat janë etiketuar nga njësiti i forenzikës. Poashtu ka theksuar se kur ka mbërri policia në vend të ngjarjes, konflikti kishte përfunduar.

Dëshmitari Halim Zogaj, polic hetues, ndër të tjera, ka deklaruar se nuk ka qenë në vend të ngjarjes por se ishte marrë më pas me rastin, konkretisht me disa aspekte teknike, si përpilimi i vendimeve për ndalimin e të dyshuarve, me urdhër të prokurorit.

Dëshmitari, Driton Fandaj, polic në njësinë e forenzikës, në mes tjerash ka thënë se ai së bashku me togerin Afrim Syla, kanë shkuar në vendin e ngjarjes atë ditë dhe se përleshja veq kishte përfunduar, palët kanë qenë të qeta pasi që aty veç kishte policë të tjerë që kishin shkuar para tyre. Më tej ka shtuar se ai kishte bërë fotografimin e mjeteve që ishin dyshuar se janë përdorur në konflikt dhe poashtu kishte konfiskuar katër pushkë gjuetie për shkaqe sigurie. Poashu ka theksuar se në vendngjarje, me sa i kujtohej kishte konfiskuar një çekiç, disa drunj, në të cilat mjete ka pasur njolla gjaku.

Pasi që nuk prezantonte dëshmitari Afrim Syla, kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj, ka ndërprerë shqyrtimin dhe i njëjti do të vazhdojë nesër (e mërkure), në të cilin pritet të dëshmojë ky dëshmitar dhe të përfundojë shqyrtimi gjyqësor.

Në Gusht të vitit 2012 kishte ndodhur një rrahje në mes Nuhi Kryeziut me familje, në njërën anë dhe familjeve të vëllait të tij Jonuz Kryeziut e dhëndrit Izet Shalës, në anën tjetër, në të cilën përleshje kishte mbetur i vdekur djali i Nuhiut, Burim Kryeziu.

Për këtë vrasje, Gjykata Themelore në Prizren, në vitin 2014, i kishte gjetur fajtor të akuzuarit, andaj Fadil Shalën e kishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 15 vitesh, ndërsa, Enver dhe Artan Kryeziun i kishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 13 vitesh, për secilin.

Gjykata e Apelit, me aktvendim të datës 25.02.2015, e ka prishur vendimin e shkallës së parë, duke e kthyer në ri-gjykim, me arsye se nuk është vërtetuar saktë gjendja faktike, dhe ka rekomanduar që në rigjykim të caktohet trup i ri gjykues dhe të bëhet super-ekspertizë me të cilën do të përcaktohet se cila goditje ka qenë vdekjeprurëse për të ndjerin.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë