DËSHMOJNË PESË DËSHMITARË NDAJ TË AKUZUARËVE PËR NDËRPRERJE TË PUNËS SË MËSIMDHËNËSVE NË MALISHEVË

Raporton: Valdet HAJDINI

Gjakovë – Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, të hënën, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor kundër Halim Hotit, Hana Bytyqit dhe Nazmi Zogajt, të cilët akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Në këtë seancë kanë dëshmuar dëshmitarët Dashurie Kryeziu, Avni Morina, Besnik Gegaj, Fatmir Morina dhe Shpejtim Hoti, të cilët u përgjigjën rreth shpalljes së konkursit për vendet e punës, në të cilat ata kishin punuar.

Në pyetjen e prokurorit të shtetit Agron Matjani, nëse dëshmitarja Dashurie Kreziu kishte paraqitur ankesë kundër mospranimit në shkollë, në bazë të konkursit, dëshmitarja tha se kontratën e punës e kishte pasur një vjeçare me mundësi vazhdimi, ndërsa theksoj se kishte paraqitur ankesë në Drejtorinë e Kulturës dhe Arsimit, nga të cilët kishte marr vendim me shkrim.

Në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit Hana Bytyqi, avokatit Emrush Kastrati, nëse kishte paraqitur ankesë pranë Inspektoratit të Punës, dëshmitarja tha se ankesë kishte paraqitur vetëm në Inspektoratin e Arsimit në Gjakovë, ndërsa nuk ishte ankuar edhe në Inspektoratin e Punës.

Në vazhdim të shqyrtimit gjyqësor, ka dëshmuar Avni Morina, i cili në pyetjen e prokurorit Agron Matjani, për përvojën e punës dhe parashtrimit të ankesave, dëshmitari tha se kishte kontratë një vjeçare me mundësi vazhdimi. Tutje dëshmitari tha se kishte paraqitur ankesë në Drejtorinë e Kulturës dhe Arsimit dhe në Inspektoratin e Arsimit në Gjkaovë, por edhe kishte paraqitur padi në gjykatë.

Në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit Nazmi Zogaj, avokatit Bekim Kryeziu, se a njihet me të akuzuarin dhe çfarë raportesh kanë, dëshmitari tha se me të akuzuarin kishin punuar dhe kishte raporte të mira pune.

Në vazhdim të shqyrtimit gjyqësor, ka dëshmuar Besnik Gegaj, i cili tha se kishte dy vite punë në atë shkollë. Tutje, dëshmitari tha se personat e pranuar në punë kishin përgatitje më të ulët profesionale dhe se nuk i plotësonin kriteret për të dhënë mësim në shkollë të mesme. Në pyejten e prokurorit, nëse ishte ankuar në Inspektoratin e Arsimit, dëshmitari tha se ishte ankuar edhe në Inspektoratin e Arsimit, të cilët kishin rekomanduar rishpalljen e konkursit.

Në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit Halim Hoti, avokatit Ramadan Paçarizi, nëse ishte ankuar në Inspektoratin e Punës dhe çfarë përgjigje kishte marr, dëshmitari tha se ishte ankuar edhe në Inspektoratin e Punës, të cilët kishin dhënë përgjigje negative për të, me arsyetimin se nuk kishte pasur shkelje të të drejtave nga marrëdhënia e punës.

Në vazhdim ka dëshmuar Fatmir Morina, i cili tha se në lidhje me këtë rast kishte paraqitur padi në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Dega në Malishevë, të cilët pjesërisht kishin pranuar kërkesëpadinë e tij. Tutje dëshmitari tha se në bazë të ankesës lënda tani është në Gjykatën e Apelit.

Në vazhdim të shqyrtimit gjyqësor, ka dëshmuar Shpejtim Hoti, i cili tha se prej vitit 2011 kishte themeluar marrëdhënie pune në atë shkollë. Tutje, dëshmitari tha se kishte paraqitur ankesë në Drejtorinë e Arsimit dhe Kulturës në Malishevë, si dhe në Inspektoratin e Arsimit në Gjakovë. Dëshmitari tha se kishte parashtruar ankesë edhe në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Dega në Malishevë, të cilët pjesërisht kishin pranuar kërkesëpadinë e tij, ndërsa në bazë të ankesës lënda tani është në Gjykatën e Apelit. Seanca e radhës është caktuar për 17 mars 2016, në ora 9:00.

Ky proces gjyqësor zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Thenelore në Gjakovë, me arsyetimin se të akuzuarit Halim Hoti, Hana Bytyqi dhe Nazmi Zogaj, në cilësi të anëtarëve të pnelit vlerësues lidhur me përzgjedhjen dhe rekrutimin e mësimdhënësve të SH.M.P. “Qendra e Kompetencës”. Në konkursin e 17 korrikut 2014, në mënyrë joligjore kishin larguar nga puna disa nga mësidhënënsit dhe në vend të tyre kishin sjellë në punë persona tjerë që nuk i kishin përmbushur kriteret e konkursit.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë