DËSHMOJNË PËR RASTIN KEK 2, HILMI LUSHTAKU DHE AGRON JUSUFI

Raporton:Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të enjten ka vahduar procesi gjyqësor në rastin e njohur “KEK-u 2” me marrjen në pyetje të dëshmitarëve Hilmi Lushtaku, zëvendës menaxherit për siguri dhe skenim në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ”Adem Jashari” dhe Agron Jusufit, Drejtor Gjeneral dhe pronar i kompanive “WDG”dhe “Katana”.

Në pyetje nga prokurori Paul Flynn,dëshmitari Hilmi Lushtaku tha se gjatë një bisede me Milazim Lushtakun, i njëjti kushëri i tij, i kishte treguar se është duke e përgatitur dokumentacionin për aplikim për tenderin e KEK-ut dhe se kishin nevojë për disa punëtorë që janë të specializuar në sektorin e sigurisë. Pas kësak bisede ai tha se kishte folur me disa prej punëtorëve  në lidhje me kalimin e tyre në kompaninë “Security Code” dhe gatitshmërinë e tyre për të punuar në projektin e KEK-ut, për të cilët punëtorë  ishte mbikëqyrës vet ai (Hilmi Lushtaku).

Ndër të tjera, Hilmiu tha se këta punëtorë kishin arritur marrëveshje me udhëheqësit e kompanisë ”Security Code”, përkatësisht me Drejtorin Gjeneral, Esat Tahirin dhe sipas të njëjtës marrëveshje kishin pranuar që të punonin për projektin e sigurimit të objekteve të KEK-ut.

Sipas dëshmitarit këta punëtorë pas kësaj marrëveshje të arritur me”Security Code” kanë dhënë dorëheqje para kompanisë”Limak” dhe në bazë të hierarkisë edhe atij i ishte dhënë një kopje e këtij dokumenti për secilin punëtorë veç e veç.

Ndërsa lidhur me çështjen se pse kompania”Limak”, punëdhënës i të njëjtit dëshmitar, që operon në APN “Adem Jashari” nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, pasi të gjithë këta punëtorë ishin trajnuar nga e njëjta kompani dhe se pozita e tij ishte rrezikuar nga ky angazhim për kalimin e punëtorëve nga APN në “Security Code”, dëshmitari tha se këtë gjë nuk e ka parë si të rrezikshme për pozitën e tij pasi vetëm iu kishte thënë punëtorëve nëse ishin të interesuar për një punë tjetër apo jo.

Gjatë dëshmisë së tij,dëshmitari dekalaroi se me Sami Lushtakun asnjëherë nuk kishe fol në lidhje me projektin e KEK-ut.

Lidhur më projektin e KEK-ut u morrë në pyetje pronari dhe Drejtori Gjeneral Agron Jusufi i kompanive “WDG” dhe “Katana”,i cili në dëshminë e tij të dhënë para gjykatës tha se marrëveshjen për konsorcium për projektin e KEK-ut e ka lidhur me drejtorin Esat Tahiri të kompanisë “Security Code” dhe sipas dëshmisë të së njëjtit kompania në fjalë kishte kërkuar nga ai që të bashkoheshin në konsorcium dhe të aplikonin së bashku për tenderin e KEK-ut.

Po ashtu i njëtit theksoi se si kompani”WDG”-ja nuk kishte pasur licenca për operimin e veprimtarive të sigurisë dhe këtë veprimtari e kishin ndalë në vitin 2010, dhe atë jo për mungesë të licencave, pasi aso kohe sipas të njëjtit e kishin poseduar, por sipas vullnetit të tyre.

Agron Jusufi dëshmoi se konsorciumi “Security Code & WDG” i ka plotësuar kriteret e tenderimit dhe mbi këtë fakt edhe e ka fituar të njëtin dhe po ashtu theksoi se veprimtaria është e bazuar mbi këtë tender.

Ndërsa në pyetjen e prokurorit nëse pas 5 majit 2012, datë e cila konsiston në ndalimin e kompanive të sigurimit të operojnë me licencat e vjetra dhe deri në ditën e fillimit të implementimit të kontratës së KEK-ut, nëse kompania”Security Code” i ka siguruar licencat e kërkuara, dëshmitari Jusufi tha se nuk është marrë me përgatitjen e dosjes së tenderit dhe këto pyetje sipas të njëjtit duhet t’i adresohen atij që e ka përgatitur dosjen.

Jusufi shtoi se pas 5 majit 2012 janë kërkuar pesë licenca nga kompanitë e sigurimit e jo vetëm një ashtu siç praktikohej para kësaj date.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, shtatë personat e akuzuar në lidhje me tenderin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përfshihen kryetari i Skënderajit, Sami Lushtaku dhe Drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe pesë të akuzuar tjerë. Që të shtatë të akuzuarit, akuzohen për tenderin milionësh për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut,ku i akuzuari Sami Lushtaku akuzohet për veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Arben Gjukaj e Hysni Hoxha për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit”, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku për veprat penale të “mashtrimit” dhe ‘’falsifikimit të dokumenteve’’ në bashkëkryerj’, Driton Pruthi për veprat penale ‘keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit’ dhe lidhja e kontratës së dëmshme dhe Azem Duraku për veprën penale ‘’shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit’’.

Seanca e ardhshme u caktua për 16 maj 2016 në ora 09:00, ndërsa dëshmitari Agron Jusufi do ta vazhdoj dëshminë e tij me 18 maj 2016 në ora 09:00.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë