DËSHMOJNË KOLEGËT E POLICIT TË AKUZUAR PËR MARRJE RYSHFETI

Raporton: Gita LUSHI

Prishtinë- Dy policë të Njësitit të Komunikacionit Rrugor në Autostradë,  të enjtën kanë dhënë dëshmitë e tyre  në shqyrtimin kryesor ndaj ish-kolegut të tyre Xhevdet Xhemajli, i akuzuar për veprën penale “marrje ryshfeti”. Shemsi Zejnullahi dhe Hysen Beqiri ishin ftuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për të dhënë detaje rreth akuzës me të cilën ngarkohet ish-kolegu i tyre.

Dëshmitari Shemsi Zejnullahu, bëri të ditur se kishte qenë prezent në kohën kur ka ndodhur rasti për të cilin akuzohet Xhevdet Xhemajli. “Po kam qenë prezent kur ka ndodh kjo ngjarje. Aty kemi ndal një veturë, e cila ka qenë me tabela të Shqipërisë, ku kan qenë pesë persona në të dhe e njëjta  ka qenë duke lëvizur nga drejtimi i Pejës në drejtim të Fushë-Kosovës. Automjeti ka qenë “Mercedes”. Arsyeja e ndalimit ishte tejkalimi i shpejtësisë, të cilin kalim e kemi bërë me radar “, shpjegoi dëshmitari. Sipas tij, dokumentet e vozitësit i kishte marr kolegu i tij, tashmë i  akuzuari Xhemajli, dhe  i njëjti kishte vazhduar t’ia shkruaj tiketën. Madje, ai thekson se përderisa Xhemajli bisedonte me të ndaluarit, dëshmitari kishte qëndruar tri deri katër metra larg kolegut të tij. “Kam vërejtë sjellje të dyshimtë mes vozitësit dhe kolegut. Kam parë se vozitësi ka tentuar dhe ia ka futur në xhep 10 euro Xhevdetit”, deklaroi dëshmitari.
Tutje ai tha se i’a kishte tërhequr vërejtjen kolegut të tij për këtë, dhe kishte reaguar duke ia marr paratë nga xhepi, si dhe menjëherë e kishte lajmëruar eprorin e tyre,  në atë kohë Hysen Beqirin, i cili pas rreth 20 minutave kishte shkuar në vendngjarje. “Kur rreshteri Hysen Beqiri erdhi në vendngjarje, i tregova për atë problem që ndodhi mes të akuzuarit dhe kundërvajtësve. Rreshteri është marr me rastin  menjëherë dhe na ka dërguar në stacionin policor. Bashkë me ne kanë ardhur edhe kundërvajtësit”,u shprehë dëshmitari Shemsi Zejnullahu. Megjithatë, i njëjti mohoi të ketë dëgjuar bisedën mes të akuzuarit dhe vozitësit. Madje kur ai e kishte paralajmëruar të akuzuarin se do ta paraqes  këtë rast, i njëjti ishte nervozuar dhe i kishte thënë se “ Mu nuk mund të më bëj askush  asgjë se s’kam bërë asgjë”.

Në anën tjetër, dëshmitari i dytë Hysen Beqiri, njëherit ish- udhëheqësi i Njësitit Policor të Komunikacionit Rrugor në Autostradë, deklaroi para trupit gjykues se në momentin kur kishte  ndodhur rasti  në fjalë, kolegu i tij Shemsi Zejnullahu e kishte telefonuar atë dhe  i kishte  kërkuar të shkoj në vendin e ngjarjes. “Kur shkova Shemsia më njoftoj se Xhevdeti i’a ka marr 10 euro vozitësit të automjetit. Xhevdeti nuk e ka pranuar asnjëherë se i ka marr ato para dhe për atë arsye të gjithë i kam dërguar në stacion policor për të sqaruar atë çështje. Kur  kemi shkuar në stacion e kemi njoftuar Inspektoriatin Policor të Kosovës,  dhe rasti i’u  ka kaluar atyre” u shpreh dëshmitari Beqiri.

Para përfundimit të seancës, prokurorja  Ikramije Bojaxhiu kërkoi nga trupi gjykues që të fothet si dëshmitar edhe Gentian Kastrati, për të cilin pretendohet se i kishte dhënë ryshfet të akuzuarit në fjalë.

Seanca e radhës në këtë proces gjyqësor u caktua me datë  22 qershor 2016 në ora 9:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Xhevdet Xhemajli në cilësinë e personit zyrtar policor, në Policinë e Kosovës, deri sa ka ushtruar detyrën e tij zyrtare në pikë-kontrollin e automjeteve në fshatin Sllatinë, ka marr ryshfet në vlerë prej 10 eurosh nga vozitësi i makinës “Mercedes”, Gentian Kastrati, shtetas i Republikës së Shqipërisë. Të njëjtin ai e kishte ndaluar për tejkalim të shpejtësisë dhe e kishte liruar pa i shqiptuar fletëparaqitje.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë