DËSHMOJNË INVESTITORËT E OBJEKTEVE NDËRTIMORE NË RASTIN E “ISH–INSPEKTORËVE TË KOMUNËS SË PRISHTINËS”

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë – Në gjykimin kundër ish–inspektorëve të Komunës së Prishtinës, të akuzuar për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, dëshmuan Isen Sadiku, Isuf Berisha dhe Xhafer Rrmoku. Të njëjtit të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, deklaruan se me leje ndërtimore janë pajisur pasi objektet kishin filluar të ndërtohen.

Prokuroria Speciale pretendon se të pandehurit Ismet Halili, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mergim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, duke mos i parandaluar ndërtimet kundërligjore ndaj objekteve të investitorëve “Isen Sadiku nga kompania ”Hysi Group”, Ymer Veliu ”Naki Trade”, Arbër Kryeziu ”Al Petrol”, Bedri Prishtina ”Tregtia”, Shefik Rexhepi  “Euro Abi”, Azem Rusinovci ”Reforma”, Bejtush Gashi ”VG Construction” dhe Fisnik Morina nga kompania “ART Group”. Tutje të njëjtit supozohet se nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin e këtyre objekteve.

Ndërkaq i pandehuri Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers” akuzohet për falsifikim të dokumenteve pasi që i njëjti pretendohet se ka ndryshuar lejen e ndërtimit me qëllim të shfrytëzimit të tij si dokument original.

Isen Sadiku, gjatë dëshmisë, tha se ka poseduar lejen e ndërtimit lidhur me objektin e ndërtuar në Lagjen Lakrishte nga kompania “Hysi”. Ai bëri të ditur se objekti në fjalë është paraparë të ndërtohet  në hapësirë prej 70 metrave katrorë. Tutje Sadiku konsideroi se asnjëherë nuk ka pasur tejkalim të lejes së ndërtimit. Ai poashtu tha se në pamundësi që të paguaj taksat e ndërtimit në vlerë prej tre mijë eurove, me vendim të kryetarit të atëhershëm të Komunës së Prishtinës, i’u është ofruar mundësia që të njëjtën pagesë ta kryej përmes fazave. Sadiku pohoi se objektin e tij e kanë vizituar inspektorët e ndërtimit, ku më pas kanë shkruar procesverbale për rrënimin e objektit kinse për tejkalimin e lejes ndërtimore.

Ai bëri të ditur se pas vizitës së inspektorëve, ka kontaktuar me të akuzuarin Halili, ku i njëjti e kishte njoftuar Sadikun se nuk ishte ai që i kishte dërguar inspektorët për kontroll të vend punishtes.

Tutje në pyetjen e prokurores së rastit Drita Hajdari, nëse e ka ditur se hapësira e ndërtimit të objektit ka qenë pronë shoqërore, dëshmitari u përgjigj se këtë gjë më së miri e din pronari i asaj parcele Nazmi Murturi, i cili i kishte vërtetuar Sadikut se i gjithë dokumentacioni ishte në rregull.

Në fund të deklaratës së tij, Sadiku bëri të ditur se në seancat e radhës do t’i sjellë të gjitha provat në bazë të së cilave vërtetohet pagesa e të gjitha taksave për lejen ndërtimore. Ai gjithashtu shtoi se objekti i tij, ende është i pa përfunduar për shkak të mungesës së fondeve, e jo për shkak të anulimit të lejes së ndërtimit.

Isuf Berisha, dëshmitari i dytë i ftuar për këtë seancë, deklaroi se nuk ka pasur leje të ndërtimit, kur është filluar gropimi për ndërtimin e objektit. Ai bëri të ditur se inspektorët e kanë vizituar vend punishten në mars të vitit 2012, përderisa me leje ndërtimore është pajisur në muajin shtator.

Ai poashtu tha se piketimi i objektit është bërë para se i njëjti të pajiset me leje ndërtimore. Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues Beqir Kalludra, se si është e mundur që të lëshohet leja për tërë sipërfaqen e ndërtimit të objektit e më pas të kërkohet leje e veçantë për legalizimin e ballkonave të objektit në fjalë, Berisha u përgjigj se është bërë kërkesë shtesë meqenëse leja e ndërtimit nuk është përputhur me lejen paraprake.

Berisha gjatë procesit gjyqësor, deklaroi se prej të gjithë inspektorëve të akuzuar, ai njeh vetëm Ismet Halitin dhe Blerina Sylën.

Xhafer Maloku, dëshmitari i fundit për këtë seancë, në deklaratën e tij bëri të ditur se është investitor në dy objekte banesore të ndërtuara në lagjen Rexhep Krasniqi dhe Shefqet Shkupi. Lidhur me ndërtimin në lagjen Rexhep Krasniqi ai tregoi se punimet kanë filluar të zhvillohen në vitin 2011, përderisa me leje ndërtimore është pajisur kur objekti ka qenë në ndërtimin e katit të tretë ose të katërt.

Ndërkaq sa i përket rrugës Shefqet Shkupi, Maloku tha se ende është në procedim e sipër marrja e lejes ndërtimore.

Tutje, Maloku pranoi se në maj të vitit 2011, ka shkëmbyer mesazhe me të akuzuarin Mërgim Shala, më të cilin ishin marrë vesh për largimin e shiritave në vend punishten ku ndërtohej objekti pasi që ky i fundit e mbulonte atë teren. Mirëpo në deklaratën e tij, në këtë seancë Maloku dëshmoi të kundërtën duke thënë se “ Kam bërë shaka për largimin e shiritave, pasi që unë jam në dijeni se një veprim i tillë konsiderohet vepër penale”.

Gjykata caktoi seancën e radhës me 23 shtator.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë