Dëshmojnë eksperti i paluajtshmërisë dhe i dëmtuari në rastin e ish-Avokatit Publik të Komunës së Kaçanikut

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Në çështjen penale ndaj ish avokatit publik të Komunës së Kaçanikut, Muharrem Leka, i akuzuar për veprën penale “shpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimit”, në cilësinë e dëshmitarëve u dëgjuan i dëmtuari Burhan Kuka, dhe eksperti i paluajtshmërisë, që të dy të propozuar nga prokurori i shtetit Shukri Jashari.

I dëmtuari Kuka lidhur me rrugën kontestuese deklaroi se familja e tij qysh në vitin 1987 kishin blerë një pronë e cila gjendet në atë rrugë. Ai tha se nga Komuna e Kaçanikut kishte marrë leje, që t’a shfrytëzonte rrugën për hyrje-dalje në pronën e tij sepse tha se e ka ditur që është pronë shtetërore. Këtë leje, dëshmitari Kuka tha se e ka shfrytëzuar për të kryer punimet në tokën e tij, dhe nuk ka pasur asnjë pengesë. Në vitin 2006 ai tha se i kishte ardhur një ftesë nga institucioni në fjalë, ku ishte thirrur në cilësinë e uzurpuesit. Përkitazi me këtë emërtim ai tha se ishte frustruar me zyrtarët e Komunës dhe kishte shkuar atje për t’i sqaruar se posedon lejen për shfrytëzimin e asaj rruge. I pyetur se a ishte dhënë kjo leje në mënyrë verbale apo të shkruar, ai deklaroi se Komuna i kishte lëshuar lejen në formë të shkruar. Përfaqësuesja e kësaj të fundit, kërkoi nga dëshmitarin lejen në fjalë, mirëpo ai tha se gjatë luftës së fundit i është djegur objekti dhe të gjitha dokumentet e tjerë, përfshirë edhe këtë leje. Në fund ai deklaroi se ndihet i dëmtuar në këtë çështje, ndërsa rreth kompensimit të dëmit ai tha se do të deklarohet në fazat e mëtutjeshme.

Eksperti ndërkaq, lidhur me objektin e çështjes deklaroi se së bashku me zyrtarin e gjeodezisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe i kanë kryer matjet si dhe kanë bërë hulumtimin për çmimin e tregut të lirë përkitazi me pronat që gjenden në atë rrugë.  Sa i përket vlerës së dëmit të shkaktuar në atë ngastër kadastrale, eksperti deklaroi se përafërsisht ka arritur të konstatojë se vlera arrin shumën rreth 106,000 euro.  Në pronën në fjalë, ai tha se nuk ka pasur objekte të ndërtuara.

I pandehuri Leka ndërkaq, nuk i parashtroi asnjë pyetje as të dëmtuarit e as ekspertit, ku për këtë të fundit ai deklaroi se qysh në momentin e propozimit e ka kundërshtuar.

Në këtë çështje penale, në cilësinë e dëshmitares ishte e ftuar edhe përfaqësuesja e Komunës së Kaçanikut, Fitore Krivanjeva e cila ishte ftuar të deklarojë dhe sqaroj se në këtë rast a është e dëmtuar Komuna e Kaçanikut apo jo, mirëpo për shkak se anëtarja e trupit gjykues Hysnije Gashi, kishte të caktuar shqyrtim gjyqësor në orën 14:00, Krivanjeva nuk kundërshtoi propozimin që të dëgjohet në seancën e radhës, e cila u caktua më 12 tetor 2016, në ora 09:30. Gjithashtu për shqyrtimin e radhës, prokurori Shukri Jashari propozoi që në cilësi të dëshmitarit të ftohet, Rexhep Quni.

Ish-Prokuroria e Qarkut në Prizren, kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Muharrem Leka për veprën penale “shpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimit”, të cilën akuzë tani e përfaqëson Prokuroria Themelore në Ferizaj, me të cilën i pandehuri Leka akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar – avokat publik i Komunës së Kaçanikut, me qëllim që vetes dhe paditësve t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm dhe shkaktimit të dëmit Komunës së Kaçanikut, ka shpërdor pozitën e tij zyrtare duke tejkaluar kompetencat. Këtë vepër penale Prokuroria pretendon se e ka kryer në atë mënyrë që pas pranimit të aktgjykimit të Gjykatës Komunale më Kaçanik C.nr.41/2006 të datës 12 dhjetor 2007, me të cilin aktgjykim është aprovuar kërkesë padia e paditësve Mendu Bushi,Enver Bushi dhe Habib Bushi, e me të cilën është vërtetuar se të njëjtit janë bashkëpronar me 1/3 të pjesës ideale të paluajtshmërisë me sipërfaqe prej 0.20.40 ha, duke detyruar të paditurin MTPT – Drejtoria e Rrugëve të Kosovës, në Prishtinë dhe Komunën e Kaçanikut të pranojnë të drejtën e pronësisë së paditësve dhe pas pranimit të aktgjykimit me 21 dhjetor 2007 nuk ka parashtruar ankesë ndaj aktgjykimit në fjalë dhe i njëjti është bërë i plotëfuqishëm me datë 9 janar 2008, edhe pse në shqyrtimin kryesor ka kundërshtuar kërkesë padinë e paditësve me ç’rast përfitimi pasuror i kundërligjshëm dhe dëmi i shkaktuar Komunës së Kaçanikut tejkalon shumën mbi 5000 euro.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë