DËSHMOJNË EKSPERTI FINANCIAR DHE PËRFAQËSUESI I AKK-SË KUNDËR ZYRTARËVE TË KOMUNËS SË KAMENICËS

Raporton: Gita LUSHI

Gjilan – Ka vazhduar të mërkurën procesi gjyqësor ndaj tre zyrtarëve të komunës së Kamenicës dhe menaxherit të prokurimit të kësaj komune, lidhur me veprën penale “shpërdorimi i pozitës zyrtare”.

Në këtë seancë të mbajtur në Gjykatën Themelore në Gjilan, në procesin gjyqësor ndaj katër të akuzuarve, Shaban Kastrati, Asllan Beqiri, Irfan Dërmaku dhe Hasan Keqmezi dëshmuan eksperti financiar Riza Blakaj dhe përfaqësuesi i Agjencisë Kundër Korrupsion, Burim Sadiku.

Eksperti financiar, Riza Blakaj  konstatoj se qëndron prapa mendimit dhe vlerësimit të paraqitur në ekspertizë. Tutje, ai është sfiduar me pyetjet e shumta të avokatëve mbrojtës.

Eksperti tha se në rastin e shpalljes së tenderit përcaktohen kriteret, të cilat duhet të plotësojnë pjesëmarrësit në tender. Sipas tij, nuk përjashtohet mundësia që disa kompani të bashkohen për të marr pjesë në tender, por janë të obliguar të formojnë konsorciumin, e jo secili veç e veç.

Eksperti financiar pohoi se kriteret që duhet të plotësojnë operatorët ekonomik caktohen në dosje të tenderit.

Megjithatë, sipas tij, edhe pse nuk janë respektuar kushtet e tenderitmit, në këtë ekspertizë nuk është konstatuar se ka pasur dëmtim material të komunës.

Secili dokument i paraparë në dosje të tenderit, sipas dëshmitarit e ka rëndësinë e vet pa përjashtim, ndërsa në këtë rast nuk kanë qenë të gjitha dokumentet.

“Me Ligjin e Prokurimit Publik neni 6 apo 7 , s’më kujtohet mirë, parasheh barazinë e pjesëmarrësve në tender. Vlerësuar në këtë kontekst, rrjedh se mos plotësimi i kërkesave të parapara në dosje të tenderit nga cili do pjesëmarrës në tender dhe tolerimi për atë veprim, shkakton pabarazi në tender”, tha eksperti Riza Blakaj.

I pyetur nga mbrojtja nëse i është shkaktuar dikujt dëm me këtë rast, eksperti financiar tha se një gjë e tillë nuk është kërkuar të vërtetohet nga ai, por sipas tij me këtë tender dëmi ka mund t’i shkaktohet kompanive të cilat janë eliminuar nga  gara. “Në ekspertizë nuk është konstatuar dëm apo përfitim të tjetrit për shkak të lëshimeve procedurale të tenderit”, është shprehur eksperti.

Ndërsa i pyetur nga trupi gjykues se a është  përfunduar rruga për të cilën është dhënë tenderi, dëshmitari tha se  janë shtruar 4 metra e gjysmë më shumë se sa ishte paraparë në tender.

Pas ekspertit financiar, ka dëshmuar edhe përfaqësuesi i Agjencisë Kundër Korrupsion, Burim Sadiku.

Dëshmitari përveç që qëndroj prapa kallëzimit penal të AKK-së, tha se nga ky tender, për të cilin akuzohen katër të pandehurit është dëmtuar buxheti komunal, edhe pse sipas tij nuk e di lartësinë e këtij dëmit të shkaktuar.

“Nuk jam në dijeni nëse kanë përfituar  ndonjëri nga të akuzuari, por është shkelur Ligji i Prokurimit Publik lidhur me këtë tender”, tha Sadiku, përfaqësues i AKK-së.

Pas përfundimit të dëshmive të dy dëshmitarëve, trupi gjykues caktoj seancën e radhës ndaj këtij procesi gjyqësor më 10 maj, në ora 14:00.

Ndërkohë, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, Hasan Keqmezi akuzohet se si menaxher i prokurimit me qëllim të  shkaktimit të dëmit për personin  tjetër ose për organizatën e biznesit, ka shpërdorë pozitën zyrtare, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare. Ai akuzohet se  përveç kushteve tjera për pjesëmarrjen në tender më 30 shtator  2009 të shpallur nga Zyra Prokurimit në Komunë e Kamenicës, nuk i ka respektuar garancionet për sigurimin e tenderit prej 3% në vlerë të ofertës, si dhe operatorët ekonomik që i kanë fituar punët nga ky tender nuk i kanë plotësuar kushtet e lartpërmendura.

Shaban Kastrati, Irfan Dërmaku dhe Asllan Beqiri akuzohen se më 22 tetor 2009 si anëtarë  të Komisionit për Vlersimin e Tenderit të 30 shtatorit 2009 në Komunë e Kamenicë me qëllim të shkaktimit  të dëmit për personin tjetër, ose për organizatë e biznesit kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë