Dëshmojnë edhe tre dëshmitarë në rastin ku roja e pyllit në Kamenicë po akuzohet se kanosi të dëmtuarit me armën zyrtare

Raporton: Blerim JAKUPI

Kamenicë – Dëshmitarët Sh.K., B.K. dhe Z.K., kanë dhënë dëshmitë e tyre në rigjykimin ku roja e pyllit në Kamenice, Rr.G., po akuzohet se pas një mosmarrëveshje me F. e G.S në lidhje me dokumentacionin për transportimin e druve, i kanos ata me armën zyrtare.

Dëshmitë e tyre, këta dëshmitarë i kanë dhënë të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari i parë Sh.K., ka thënë se mbetet pranë deklaratës së dhënë në gjykatë në shkurt të vitit të kaluar, dhe se ai personalisht nuk e ka parë të akuzuarin te ketë pasur diçka në dorën e tij (armë), pasi që ka qenë larg në distancë përafërsisht prej 200 metrave.

“Unë këtë situatë e kam parë nga një largësi përafërsisht 200 metra”, deklaroi dëshmitari K., i cili ka thënë se me tepër nuk ka çfarë të shtoj pasi nuk e ka parë mirë ngjarjen.

Dëshmitari tjetër, zyrtari policor B.K., po ashtu ka thënë se mbetet pranë deklaratës së dhënë në gjykimin e parë.

“Me sa më kujtohet rasti është inicuar nga tjetër njësit. Në vend të ngjarjes nuk më kujtohet a kam qenë”, përfundoi dëshminë e tij, B.K.

Ndërsa dëshmitari Z.K., ka deklaruar se të akuzuarin dhe të dëmtuarit i kishte parë vetëm tek një restorant derisa ishin fjalosur mes vete, por se ai nuk ka qenë në vendin e ngjarjes ku pretendohet të jetë kryer kanosja.

“I akuzuari është nisur i pari për të shkuar në punën e tij, ndërsa personat tjerë me kamion janë nisur me shpejtësi pas tij”, deklaroi dëshmitari K.

Gjykatësja Valbonë Dërvodeli, seancën tjetër për këtë rast e ka caktuar të mbahet më 9 qershor të këtij viti.

Me 4 mars të vitit të kaluar, Gjykata e Kamenicës në mungesë provash e kishte liruar nga akuza Rr.G., por që me ankesë të prokurorisë ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 17 janar 2017, ka ngritur aktakuzë ndaj Rr.G., me arsyetimin se ai në dhjetor të 2016-ës, në kafiterinë “Kosova” në Rogaqicë të Kamenicës, pas një mosmarrëveshje me të dëmtuarit F. e G.S., në lidhje me dokumentacionin për transportimin e druve, fillimisht përmes telefonit dhe pastaj edhe në kafiterinë e lartcekur, në prezencën e djemve të axhës së të dëmtuarve, L. e K.S., i kanos ata.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari G., po ashtu u del në rrugë të dëmtuarve, para kamionit në fshatin Muqivercë, rruga që dërgon në fshatin Kranidell, iu drejton armën zyrtare gjysmë automatike të tipit “arsma”, dhe në momentin kur i dëmtuari S. e ndal kamionin, i akuzuari e futë tytën e armës në dritaren e kamionit dhe i kanos të dëmtuarit me fjalët “a e dini që ja u .. n… të katërve, ju vras”, duke u shkaktuar të dëmtuarve frikë, ankth dhe pasiguri për jetën.

Me këtë, Rr.G. akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja”, nga neni 185 paragrafi 4 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme prej një deri në pesë vjet burgim. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë