DËSHMOJNË EDHE TRE DËSHMITARË, NË NJËRIN PREJ MASHTRIMEVE NDAJ INSTITUCIONIT MIKROFINANCIAR “FINCA”

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj Anton Vuçajt, Vjollca Kabashit dhe Bajram Kryeziut, të cilët akuzohen nga prokuroria se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale të mashtrimit, falsifikimit të dokumentit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare, duke i shkaktuar institucionit mikrofinanciar “Finca” dëm, në vlerë rreth 1 milion euro.

Shqyrtimi ka vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitarëve, ku ka dëshmuar Fadil Berisha, i cili ndër të tjera ka thënë se në vitin 2006-2007, ia kishte dhënë letërnjoftimin personit me emrin Ismet Gashit, i cili i kishte thënë se po i duhet për të marrë kredi dhe ky të ishte dëshmitarë i marrjes së kredisë. Më tej ka shtuar se më vonë e kishin thirrur zyrtarët e bankës “Finca” dhe i kishin thënë se kishte borxh ndaj tyre shumën prej 600 euro, të cilën shumë ishte detyruar ta paguajë sepse nuk i është lëshuar një kredi tjetër, të cilën ka dashur ta marrë në bankën TEB, pa e shlyer borxhin ndaj bankës “Finca”.

Ka dëshmuar edhe Lulzim Gashi, i cili ka rrëfyer se kishte hyrë në kredi për Sadik Gashin, të cilin e ka mik shtëpie dhe i njëjti i kishte kërkuar letërnjoftimin për të marrë kredi, marrëveshjen e kishte nënshkruar në tregun e quajtur “Qylhan”, e cila kredi sipas tij, është kthyer sepse asnjëherë nuk e kanë thirrur banka.

Dëshmitari tjetër, Jeton Hoti, ka deklaruar se nuk kishte aplikuar ndonjëherë për kredi në bankën “Finca” por më vonë e kishin vizituar tre persona nga banka dhe i kishin thënë se ka borxh 350 euro, ky u kishte thënë se nuk ka marrë kredi, më vonë ishte ftuar edhe në prokurori për t’u marrë në pyetje dhe aty kishte kuptuar se familja Gashi kishte marrë kredi në emër të tij.

Kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj, për shkak të mungesës së dëshmitarëve tjerë, ka ndërprerë shqyrtimin dhe vazhdimin e të njëjtit e ka caktuar për datën 19.07.2016, në ora 13:00.

Më 16.06.2008, ish Prokuroria Publike e Qarkut, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Anton Vuqaj, Vjollca Kabashi dhe Bajram Kryeziu, me të cilën i akuzon se duke punuar në institucionin mikrofinanciar “Finca”, kanë realizuar të ardhura pasurore të kundërligjshme, në vlerë prej 900 mijë euro, me ç’rast kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, me anë të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë