DËSHMOJNË DY PUNËTORË NË RASTIN NDAJ ZYRTARËVE TË UJËSJELLËSIT RAJONAL TË MITROVICËS

Raporton: Gita LUSHI

Vushtrri –  Ka vazhduar marrja në pyetje ndaj dëshmitarëve në rastin kundër dy zyrtarëve të Ujësjellësit Rajonal në Mitrovicë, Muja Istrefi dhe Hazir Shala, të cilët akuzohen për  kryerjen e veprës penale “Përvetësim në Detyrë”. Si dëshmitarë në këtë seancë u dëgjuan dy punëtorë të kësaj kompanie, Shefi i Sigurimit Fizik  dhe Shefi i Punëtorëve të Terenit, të cilët dëshmuan para trupit gjykues të Gjykatës Themelore të Mitrovicës.

Dëshmitari i parë Xhavit Dakolli,  i ftuar nga prokurori i rastit, Ismet Ujkani, rrëfeu për ditën kur është raportuar vjedhja në këtë ujsjellës.  Dëshmitari pohoi, se ai me punëtorët e tij ishte në teren  në fshatin Binarc kur u lajmëruan nga drejtori për vjedhjen  e gjësendeve në këtë kompani.

“E di veç që ka humbur nje gjenerator, në ditën e enjte kemi punuar me gjenrator në fshatin Frashër. Pas kësaj dite, të hënën na është dashur gjeneratori në fshatin Binarc, që të bëjmë kyçje. E kam kërkuar nga Bedri Rama, e ai më lajmëroj se gjeneratori s’është në depo dhe kërkonte  të dinte mos e kishim ne”, është shprehur dëshmitari.

Sipas tij, po këtë ditë kur ishte kthyer në punë e kishte njoftuar se përveç gjeneratorit mungonte edhe një pejsë e madhe e  materialit. Ai tha se në kohën kur ka ndodhur kjo vjedhje, depoistë kanë  qenë dy të akuzuarit  Hazir Bala dhe Muja Istref. Ky i fundit, sipas tij në atë kohë ishte në pushim vjetor.  Bazuar në dëshminë e Xhavit Dakollit, për tu bërë transportimi  i  sasisë së gjithë  mallit të vjedhur, duhet të bëhet me rimorkio. Po ashtu ai tha që çdo material i cili ka dalë nga depot për tu përdorur në teren  është regjistruar dhe nënshkruar nga e gjithë hirearkia e ujësjellësit.

Ndërsa dëshmitari tjetër Mustafë Azemi, Shefi i Sigurimit Fizik  në ndërmarrjen “Ujësjellësi Rajonal” në Mitrovicë, shpjegoj para gjykatës mënyrën e sigurimit fizik të këtij objekti nga punëtorët e tij. I ftuar nga avokati Vehbi Beqiri, mbrojtes i Muja Istrefit, dëshmitari pohoi se punëtorët e udhëhequr nga ai  kishin bërë  kontrollimin e  objekteve  dhe  vazhdimisht kishin raportuar me shkrim në librin e raporitit.

Por nga mesi i vitit 2013, sipas dëshmitarit ky ujësjellës kishte angazhuar një kompani private për sigurimin e objektit.  “Kur ka ardhë kompania private e sigurimit, unë i kam njoftu me objektet, dhe unë nuk kam mbajtur proces për pranim – dorëzim.  Kompania private e sigurimit ka qenë kompania “Panter”, e cila  ka pasur për obligim sigurimin e gjithë objektit”, tha dëshmitari.

Tutje, Azemi tha që kjo kompani private është angazhuar në fillim të muajit gusht 2013 dhe deri sa është angazhuar kjo kompani nuk ka pasur as një rast më të voglin për tentim apo edhe për vjedhje.

Po ashtu ky dëshmitar tregoj që gjatë orarit të rregullt të punës mjetet e transportit nuk janë kontrolluar gjatë hyrje-daljes. Kontrollimi i tyre sipas tij, është bërë vetëm gjatë hyrje –daljeve që janë bërë jashtë orarit të punës . Shefi i sigurimit fizik tha që nuk kishte pasur kamera të sigurisë në këtë kompani dhe vendosja e tyre është bërë pas vjedhjes së materialit.

Ky proces gjyqësor fo të vazhdoj më 27 dhe 28 prill në ora 10:00.

Ndërkohë, Muja Istrefi dhe Hazir Shala  sipas aktakuzës, në periudhën janar të vitit 2013 e deri  më 8 tetor po të këtij viti, të dy bashkë si persona zyrtar në kompaninë  “Ujësjellësi Rajonal SILA” në Mitrovicë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete kanë përvetësuar pasuri të kompanisë në fjalë. Muja Istrefi si deponist dhe Hazir Shala si zëvëndës depoisti akuzohen se kanë marrë gjësende që kanë qenë në depo, të cilat përfshijnë vlerën totale prej 75 mijë eurove.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë