Dëshmojnë dhjetë dëshmitarë për dallaveret me subvencionet bujqësore në Komunën e Gjakovës

Raporton : Fjolla GAXHA

Gjakovë – Në vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor të caktuar për seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Gjakovë kanë dëshmuar 10 dëshmitarë, ndërsa ka munguar dëshmitari Njazi Morina, i cili ishte ftuar me rregull, por për mungesën e tij nuk e kishte lajmëruar gjykatën.

Prokurori special Faik Halili ka pyetur dëshmitarët Berat Berisha, Hydije Shala, Flamur Thaqi, Alfred Nokaj, Daip Berisha, Nysret Sadiku Selamet Morina, Fatos Matoshi, Agim Dhomi, dhe Fatlum Morina nëse është e vërtetë deklarata e tyre e dhënë në Polici, ku ata kanë deklaruar se nënshkrimet në regjistrin për dhënien e subvencioneve bujqësore nga Komuna e Gjakovës nuk janë të tyre. Të njëjtit deklaruar se qëndrojnë mbrapa deklaratës së dhënë në polici.

Disa prej dëshmitarëve theksuan se këto nënshkrime mund të ishin bërë nga aktivistët e fshatit Rugovë e Hasit si Shemsedin Shala, Musa Shala, Teki Shala, pasi ishin edhe pjesë e komisionit për ndarjen e subvencioneve bujqësore.

Kryetari i trupit gjykues Shaqir Zika pas përfundimit te dhënies se dëshmive nga ana e dëshmitarëve, ndëpreu seancën dhe të njëjtën e caktoi që të vazhdoi nesër në orën 10.

Gani Rama akuzohet se gjatë periudhës 2008-2012 në cilësinë e personit zyrtar financiar në Komunën e Gjakovës, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar kishte tejkaluar kompetencat dhe me qëllim të përfitimit pasuror, ka lejuar alokimin dhe aprovimin e mjeteve monetare për biznesin “UNION-VL” me pronar Veli Hajdaraga për shpërndarjen e subvencioneve bujqësore. Sipas prokurorisë, kjo ishte bërë pa asnjë procedurë ose faturë të rregullt, siç është paraparë në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe rregullat financiare. Rama akuzohet se ka keqpërdorur shumën prej 218,956.67 eurove, me çka ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë