DËSHMOJNË ARSIM ÇEKU DHE ADNAN DRENI NË RASTIN KUNDËR ZYRTARËVE TË MKRS-së

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë – Arsim Çeku dhe Adnan Dreni janë dy dëshmitarët që të martën kanë rrëfyer versionin e tyre për dallaveret me tenderë, për të cilat akuzohen zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Burim Reçica, Xhafer Murtezaj, Enver Tahiraj.

Gjatë dhënies së dëshmisë së tij, dëshmitari Arsim Çeku si pronar i kompanisë “Com Arsimi” deklaron se me dëshmitarin tjetër, Adnan Drenin, pronar i kompanisë “Expo kishin bërë një marrëveshje bashkëpunimi për përfitimin e tenderit ”Renovimi i stadiumit të Pejës”. Sipas tij Dreni i kishte i kishte thënë që si invalid i luftës kishte njerëz të njofshëm që do t’i ndihmonin në këtë rast. Për të arritur këtë qëllim, marrëveshjen në fjalë e kishin shtuar si pjesë të dokumentacionit të tenderimit, ku vetëm pas pas disa muajsh,  më 22 shtator 2010 janë shpallur si  fitues të tenderit duke nënshkruar kështu kontratën me Minsitrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Tutje Çeku deklaroi se në tetor të po atij viti kanë filluar punën në stadium, ku kishin ndërtuar 52 metra gjatësi të stadiumit dhe 14 etazhe të ulseve, të cilën punë e kishte kryer pothuajse vet, pasi bashkëpunëtori i tij Adnan Dreni vetëm i kishte kontraktuar disa punëtorë  dhe kishte shkuar në Angli për çëshje personale. Gjatë asaj kohe, ai shtoi se ishte kontaktuar në telefon nga një person me emrin Avdi Pireva. “Më tha se duhet të takoheshim pasi kinse ai kishte qenë personi që ka ndihmuar për fitimin e tenderit por nuk u pajtova pasi e pash si rreng nga ortaku im Adnan Dreni” tha ai.  Çeku theksoi se Adnani ia kishte kërkuar 10 mijë euro, me arsyetimin se i duhen për blerjen e një kamioni bartës, para të cilat sipas tij asnjëherë nuk ia kishte kthyer.

Sipas tij, nga fitimi i tenderit nga ana e konsorciumit ”Com Arsimi & Expo”nuk ka pësuar dëm as Ministria e as ndonjë person fizik apo juridik, pasi janë plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara. Madje  shpjegoi se në bazë të paramasës nënkontraktori ka të drejtë deri në 40 përqind të tenderit,e që në këtë rast i takonin kompanisë”Expo”, por shtoi se paratë nuk ia kishte dhënë operatorit në konsorcim’Expo”,pasi i njëjti nuk i kishte kryer punët e caktuara për të cilat paraprakisht i kishin ndarë gojarisht.

Në këtë senacë gjyqësore u dëgjua edhe dëshmitari Adnan Dreni, i cili deklaroi se shumën e parave prej 10 mijë euro i kishte marrë nga Arsim Çeku, në hotel “Prishtina”, pa i treguar arsyen pse i duheshin dhe të njëjtat ia kishte dhënë Avdi Pirevas. “Ai më ka thënë se duhet të i’a japim shumën prej 10 mijë euro nëse duam që ta fitojmë tenderin”. Këtë deklaratë e kundërshtoi avokati Florim Vërtopi, i cili paraqiti para gjykatës kontratën e lidhur ndërmjet Avdi Pirevës dhe Adnan Drenit, më datë 9 gusht 2010, për shitblerjen e kamionetës me çmim prej 11 mijë eurosh. Kontratën në fjalë e kundërshtoi dëshmitari duke theksuar se nënshkrimi që shihet aty nuk është i tij.

Ndërkaq, sa i përket të akuzuarve, dy dëshmitarët bënë të ditur se nuk e kanë parë anjëherë të akuzuarin Xhafer Murtezi dhe Enver Tahiraj, ndërsa Burim Reçicën e kishin takuar vetëm gjatë dorëzimit të dokumentacionit për tender dhe në momentin kur ishte nënshkruar kontrata me Ministrinë.

Sipas aktakuzës së datës 27 nëntor 2014, Burim Reçica,Xhafer Murtezaj dhe Enver Tahiraj akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, si anëtarë të Komisionit vlerësues, kanë keqpërdorë detyrën zyrtare. Sipas aktakuzës, të njëjtit kanë tejkaluar kompetencat e tyre në atë mënyrë që gjatë vlerësimit të përgjegjshmërisë së tenderëve dhe gjatë procedurës së udhëheqjes së tenderit ”Renovim i stadiumit të Pejës”, me rastin e përzgjedhjes së ofertuesve, edhe pse nuk i  kanë plotësuar kriteret e parapara me Ligjin e Prokurimit Publik në Kosovë, i cili ka qenë në fuqi në atë kohë, duke bërë kështu shkelje të neneve 57.3,61,62,63,64,65 dhe 66. Në këtë mënyrë, më datën 22 shtator 2010 është nënshkruar kontrata në mes të Ministrisë dhe ofertuesve ekonomik të përzgjedhur N.SH “Com Arsimi” dhe NTP”Expo” nga Arsim Çeku, për tenderin në vlerë prej 237.622,23 euro, edhe pse të njëjtat nuk kanë pas dokumenatacionet e kërkuara me ligj, me ç’rast kanë dëmtuar kompaninë ”North”,me shumën e prave prej 240.353,70 euro dhe kompaninë “Menti” në vlerë prej 286.793,56 euro dhe kompaninë “Qeta”,në vlerë prej 294.726,02 euro,si kompani të përgjegjshme të cilat mund të ishin fituese të tenderit në fjalë.

Seanca e radhës për këtë shqyrtimi gjyqësor vazhdon nesër me datën 20 prill 2016.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë