DËSHMOI EKSPERTI TEOLOG NË RASTIN E TERRORIZMIT NDAJ ZEQIRJA QAZIMIT, ILIR KRRABËS DHE SADAT TOPOJANIT

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të enjtën, u mbajt shqyrtimi i rradhës ndaj Zeqirja Qazimit, Ilir Krrabës dhe Sadat Topojanit, të cilët akuzohen për veprat penale që lidhen me terrorizëm dhe atë veprat si “rekrutim për terrorizëm”, “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimi kombëtar racor,fetar apo etnik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” dhe veprën penale “shtytja për kryerjen e veprave terroriste”. Në këtë shqyrtim gjyqësor prezent ishte eksperti i teologjisë, Ilmi Rexhepi, i cili ishte propozuar nga pala mbrojtëse për t’u dëgjuar dhe për të sqaruar disa terme fetare të përdorura nga i akuzuari Zeqirja Qazimi gjatë ligjërimit të tij nëpër xhami dhe organizata joqeveritare – muslimane. Ndërkaq, mungoi dëshmitari Vedat Xhumshiti i propozuar nga mbrojtësi i të akuzuarit Sadat Topojani, avokati Jeton Berisha, e që sipas këtij të fundit ai gjendet në jashtë vendit dhe nuk ka mundur të sigurohet prezenca e tij në këtë shqyrtim gjyqësor, mirëpo tha se ky dëshmitar ka shprehur gatishmëri që përmes videolidhjeve të jap deklaratën e tij nëse kjo është e mundur.

Shqyrtimi i së martës vazhdoi me dëgjimin e ekspertit të teologjisë Ilmi Rexhepi, i cili tutje në pyetjet e parashtruara sqaroi kuptimet e disa fjalëve arabe të përdorura nga i akzuari Zeqirja Qazimi gjatë mbajtjes së ligjeratave nga ai nëpër xhami dhe organizata joqeveritare – muslimane.  Në pyetjen se çka nënkupton fjala “xhihad” në gjuhën shqipe, eksperti Rexhepi deklaroi se “xhihad” në kuptimin etimologjik do të thotë “përpjekje, mund apo angazhim”, ndërsa në terminologjinë islame ai tha se kjo fjalë do të thotë “përpjekje, angazhim ose mund që bën dikush nga muslimanët nga të gjitha format e mundshme përfshirë arsimimin,edukimin, luftën legjitime dhe kontributet e tjera që mund t’i jap muslimani”. Kurse lidhur me atë se çka nënkupton fjala  “shehid”, eksperti u përgjigj se kjo fjalë prezupozohet të jetë “personi që bie në luftë” ose “ veprimet nga të cilat personi i kryen ai vdes”. Në vazhdim në pyetjen se një imam a i ka të kufizuara të drejtat sa i përket ligjërimit apo interpretimit të Kur’anit dhe se a është shkelje nsë një imam ligjëron atë që shkruhet në Kur’an, eksperti përkitazi me këtë dekalaroi se sipas fesë islame Kur’anin dhe burimet e tjera mund t’i zbërthejnë vetëm dijetarët përkatës që quhen “mudshtehid” – person i kualifikuar që të jap gjykimin fetar kurse për imamët ai tha se ata janë të detyruar që të punojnë sipas Kushtetutës së Bashkësisë Islame. Ndërkaq sa i përket asaj se a është shkelje nëse një imam ligjëron Kuranin ashtu siç është ai tha se nëse një imam është i sigurtë që ligjerata e tij nuk do të keqkuptohet dhe nuk ka qëllime të tjera nuk është e ndaluar dhe imami mund të shpjegoj realitetin e fesë.

Në pyetjen e prokurorit special Elez Blakaj se a kanë të drejtë imamët të publikojnë videoinqizime për atë që e ligjërojnë, eksperti deklaroi se sipas një urdhëri të vitit 2014 që Bashkësia Islame e Kosovës u ka drejtuar organeve bartëse të saj u ka ndaluar imamëve dhe punonjësve të tjerë që të plasojnë videoinqizime pa leje përkatëse, por tha se para këtij viti nuk e di se a ka qenë kjo e rregulluar. Gjithashtu ai tha imamët e xhamive kanë planprogramin për punën e tyre dhe tha se ata orientohen nga Kryeimami përkatës i degës nga ata orientohen se çfarë tema do të flasin – ligjërojnë.

Në këtë shqyrtim gjyqësor mbrojtësit  e të akuzuarëve Zeqirja Qazimi, Ilir Krraba dhe Sadat Topojani propozuan trupit gjykues që ndaj tyre të pushojë masa e paraburgimit, ndërsa këtë propozim të palës mbrojtëse e kundërshtoi prokurori Elez Blakaj dhe propozoi trupit gjykues që masa e paraburgimit ndaj tyre të vazhdohet sepse sipas tij ekziston rreziku që të akuzuarit të ikin nga vendi në rast të zëvendësimit të kësaj mase me ndonjë masë tjetër më të butë.

Ndërkaq përkitazi me këtë propozim trupi gjykues i kryesuar nga Musa Konxheli morri aktvendim me të cilin u refuzuan propozimet e paraqitura nga mbrojtja për ndërprerjen e paraburgimit ndaj tre të akuzurëve. Me këtë vendim përfundoi shqyrtimi gjyqësor ndërsa seanca e rradhës u caktua për datën 17 maj 2016 në ora 13:00 ku edhe palët do të japin fjalën e tyre përfundimtare.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë