Dëshmitarja thotë se vëllai e hoqi nga trashëgimia që ua kishte lënë babai

Raporton: Ronesa DRAGUSHA

Prishtinë – Paditësja F.Ç, në cilësinë e dëshmitares ka thënë se vëllai i saj e ka hequr nga trashëgimia anipse babai i tyre iu kishte lënë pasurinë gjithë fëmijëve.

Këtë dëshmi F.Ç e ka dhënë të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë ku bashkë me B.Ç si dhe me ish-paditësen M.B kanë dhënë dëshminë në rastin ku janë paditur nga familjarët A.B, Sh.K, A.M, S.B, I.B dhe H.B ku po kërkojnë të vërtetohet se të njëjtit janë të padenjë për trashëgiminë e trashëgimlënësit tani të ndjerit D.B.

Në këtë seancë ishte prezent përfaqësuesi i tri paditëseve të para, avokati Lirim Gashi dhe përfaqësuesi i S.B. I.b dhe H.B, avokati Valon Jupa, dhe po ashtu përfaqësuesi i të paditurve  F.Ç, B. Ç, dhe B. Ç  avokati Asdren Bytyqi.

Fillimisht është dëgjuar ne cilësi të dëshmitares, paditësja F.Ç, raporton”Betimi për Drejtësi”.

Kam ardh për hise temen çka na ka lon baba kretjve”,”Mua vëllau më ka heq prej trashëgimisë”, ka deklaruar e paditura.

Pas pyetjeve të parashtruara nga përfaqësuesi i saj, e njëjta ka thënë se ka pasur raporte shumë të mira me babain e saj të ndjerë D.B dhe se para vdekjes së tij më 1994 janë takuar vëllezërit e saj edhe motra e saj më të ndjerin dhe ai gojarisht u ka thënë se secilit do ia ndaje nga pesë ari ndërsa sa i përket pronave tjera do t’i ndajnë ata bashkë mes vete pas vdekjes së tij.

E njëjta ka thënë se babai i saj nuk lënë asnjë testament para vdekjes së tij për ndarjen e pasurisë, po ashtu ka thënë se marrëdhëniet me vëllezërit e saj tani paditësit janë përkeqësuar pas vdekjes së D.B

Tutje e paditura ka thënë se bashkë me vëllezërit e saj dhe motrën e saj te noteri Sefedin Blakaj për të nënshkruar një dokument me të cilin vërtetohet se të gjithë janë fëmijët dhe trashëgimlënësit e D.B.

Ndërsa lidhur me pyetjet e përfaqësuesve të paditësve, e paditura ka thënë se babai i saj i ndjerë i ka gjetur vetëm truallin ku e kanë ndërtuar ajo dhe bashkëshorti i saj i ndjerë shtëpinë e tyre mirëpo shtëpinë e kanë ndërtuar ata vetë.

Sa i përket përjashtimit nga takimi për ndarjen e paluajtëshmërisë të cekur më lartë me të ndjerin, e paditura ka thënë se nuk ka qenë zakon që “bijat” të marrin pjesë  në takime të tilla në atë kohë, dhe se ai për pjesën tjetër të pasurisë ia ka lënë amanet vëllait S.B, mirëpo i njëjti e ka përjashtuar atë nga trashëgimia pas vdekjes së babit.

Tuje në këtë seancë është dëgjuar edhe i padituri B.Ç, i cili ka thënë se ndarja e pronave ne Dragodan është bërë më  1987 dhe se ai e ka dokumentin, i cili është në gjuhën serb-kroate. Dokument, ky për ndarjen e pasurisë mes vëllezërve B.B,E.B, Sh.B F.B, Sh.B dhe gjyshit të tij D.B.

“Unë si B.Ç jam më së shumti i targetum nga paditësit pasi që unë jam iniciator për ndarjen e trashëgimisë, pas vdekjes se gjyshit tim D.B.”, ka deklaruar i padituri.

I njëjti ka deklaruar se ka qenë duke punuar në dyqanin e gjyshit të tij, dhe së një ditë kur ishte duke punuar gjyshi i tij i ndjerë i kishte thënë fshehurazi nga djemtë e tij  se ua ka ndarë të gjithëve nga pesë ari kurse të tjerat që ekzistojnë në emër të të tij t’i ndajnë kur të vjen koha.

Po ashtu ka shtuar se ka pasur raporte shumë të mira me gjyshin e tij dhe se e posedon një dokument të 16 korrikut 1968, kontratë për shkëputjen e bashkësisë familjare në gjuhën serbo-kroate ku thuhet se daja i tij i ndjerë I.B bashkë më pjesën tjetër të familjes ishin duke jetuar në bashkësi mirëpo shkaku i mosmarrëveshjeve janë ndarë.

Provën e lartcekur i padituri tha se do t’ia dorëzojë gjykatës në kopje të mjaftueshme.

“Qëllimi i kësaj procedurë të iniciuar nga paditësit, ka qenë që të na largojnë nga trashëgimia” ,ka deklaruar i padituri.

Ndërkaq i padituri ka deklaruar se janë kanë ushtruar padi lidhur me të gjitha pasuritë e D.B dhe në disa nga pronat kanë arritur të vendosin masat e sigurisë dhe ka thënë po ashtu se në vitin 2015 ka zbuluar se nga dajtë e tij është inicuar procedura e trashëgimisë ku nuk ka qenë prezente as nëna e tij F.Ç e as daja i tij tjetër I.B.

Tutje gjatë seancës është dëgjuar edhe i padituri tjetër B.Ç, i cili ka thënë se ka pasur raporte shumë të mira me gjyshin e tij të ndjerë e po ashtu edhe me dajtë e tij dhe se më I.B ka pasur edhe marrëdhënie të punë pasi që ka punuar në lokalin e tij.

“Fillimisht dajtë e mi i kanë prishur marrëdhëniet mes vete se unë kam pasur raporte normale me ta”, ka thënë i padituri.

Per testamentin e lartcekur i njëjti ka thënë se ka dëgjuar për herë të parë sikur vellai dhe nëna e tij me rastin e padisë së ushtruar nga dajtë e tij.

Në fund të seancës është dëgjuar edhe dëshmitarja M.B e cila ka thënë se kur ka marrë pjesë në procedurën e trashëgimisë vëllezërit e saj S.B dhe H.B e kanë gënjyer se të tjerët kanë nënshkruar më herët.

Lidhur me pjesëmarrjen e saj në padinë e ushtruar ndaj motrës së saj F.Ç ka thënë se nuk e ka ditur se çfarë po nënshkruan dhe nuk e ka pritur se vëllezërit e saj kanë mundur ta gënjejnë.

Gjykatësja e rastit Lendita Berisha ka konstatuar se seanca e sotme ka përfunduar ndërsa e radhës është caktuar më 18 korrik.

Ndërsa në seancën e radhës do të dëgjohen dëshmitarët, B.N, Sh.B dhe R.B.

Ndërsa, sipas rregullimit të padisë në aspektin subjektiv më 2 mars 2022, paditësit kanë kërkuar që të aprovohet si e bazuar kërkesa e paditësve A.B, Sh.K, A. M, S.B, I.B dhe H.B, dhe të vërtetohet se të paditurit F.Ç, B.Ç dhe B.Ç janë të padenjë për trashëgimi dhe të përjashtohen nga e drejta në trashëgimi në pasurinë trashëgimore të trashëgimlënësit D.B.

Po ashtu, në këtë precizim thuhet se ekziston testamenti i humbur ku qartësisht dhe me bindje të plotë ishte shprehur vullneti i trashëgimlënësit për përjashtim të të paditurve nga masa trashëgimore e tij dhe të detyrohen të njëjtit që t’ia paguajnë shpenzimet gjyqësore.

Gjithashtu, në precizim paditësit kanë propozuar dëgjimin e M.B në cilësi të dëshmitares, pasi që e njëjta mund të vërtetojë thëniet e paditësve lidhur me padenjësinë e të paditurve.

Po ashtu edhe dëshmitarët A.D dhe V.B thuhet se mund  të vërtetojnë sjelljet fyese dhe poshtëruese të bëra nga i padituri B.Ç në ditën e ceremonisë së varrimit të trashëgimlënësit.

Sipas padisë së ushtruar më 6 dhjetor 2016, paditësit S.B, I.B, H.B dhe M/B si dhe tani i ndjeri I.B, me të paditurën Fexhrije Çitaku janë vëllezër e motra nga të njëjtit prindër tani të ndjerë D.B dhe Z.B, ndërsa të paditurit B.Ç dhe B.Ç janë të bijët e të paditurës F.Ç.

Në padi thuhet se babai D.B i paditësve dhe të paditurës F.Ç më 12 korrik 2001 kishte përpiluar një testament, ndërsa më 22 korrik 2001, kishte ndërruar jetë.

Sipas padisë, gjatë përpilimit të testamentit i ndjeri D.B, ka jetuar në një shtëpi me paditësin S.B, ku thuhet se gjendja e tij shëndetësore ishte jo e mirë, andaj i njëjti thuhet se e kishte njoftuar tani paditësin S.B për përmbajtjen e këtij testamenti si dhe gjendjen e tij shpirtërore nga akuzat, shpifjet të sajuara nga të paditurit si dhe kërcënimet, shantazhet e sharjet nga të njëjtit.

Bazuar në padi, tani i padituri B.Ç pas vdekjes së motrës së tij kishte shkuar në lokalin afarist të paditësit H.B, ku prezent thuhet se ka qenë edhe trashëgimlënësi, ku i padituri iu kishte drejtuar të njëjtit me kërcënime dhe shantazhime, duke i thënë se “A e din ti ku na ke maru shtëpinë, në çfarë vendi në atë gropë e Bajgorve e vëllezërve të tu ja ke maru në qendër të Prishtinës”.

Andaj, me anë të kësaj padie ata po kërkojnë nga gjykata që mitratohet kërkesa e tyre si dhe të vërtetohet se të paditurit janë të padenjë për trashëgimi dhe përjashtohen nga kjo e drejtë nga pasuria e trashëgimlënësit D.B, në bazë të testamentit të përpilaur më 12 korrik 2001, i cili testament thuhet se kishte humbur pas vdekjes së trashëgimlënësit.

Sipas përgjigjes në padi të dhënë nga të paditurit më 25 korrik 2018, të njëjtit e kanë kontestuar në tërësi padinë dhe kërkesëpadiën e paditësve, me arsyetimin se padia është e palejuar dhe e pasafatshme, pasi që thuhet se ka kaluar afati pesëvjeçar, duke e mbështetur pretendimin në Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve konkretisht në nenin 352 lidhur me nenin 351 si dhe nenin 124 të Ligjit për Trashëgimin.

Andaj, të paditurit kanë kërkuar nga gjykata që të refuzohet në tërësi si e pabazuar padia dhe kërkesëpadia e paditësve si dhe të detyrohen të njëjtit që t’i paguajnë shpenzimet e procedurës. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë