Dëshmitarja thotë se nga hetuesit policorë e kuptoi se nga kompjuteri i saj dikush i shleu tatimet

Raporton: Driton NOCAJ

Pejë – Zyrtarja për tatime në pronë në Komunën e Pejës, tani dëshmitarja Makfirjete Limani ka thënë se nga hetuesit policorë e kishte kuptuar se nga kompjuteri i saj zyrtar, kishte patur ndërhyrje në shlyerjen e tatimeve në pronë të qytetarëve.

Këtë deklaratë, dëshmitarja Limani e dha, në seancën e së premtes në gjykatoren e Gjykatës së Pejës, pranë trupit gjykues, në cilin proces gjyqësor, në bankën e të akuzuarve është zyrtari komunal për komunitete, Haki Kartallozi.

Ky i fundit ngarkohet se i ka shkaktuar dëm Komunës së Pejës në vlerë prej 18 mijë e 275 euro përmes shlyerjes së tatimeve.

Prokuroria e Pejës a ngarkon Kartallozin se përmes disa programeve kompjuterike, është futur në fjalëkalimet e zyrtarit për komunitete Gani Toska dhe zyrtares për tatim në pronë Makfirjete Limani dhe nga sistemet e tyre kompjuterike ka arritur që të shlyej obligimet tatimore të dëshmitarit Besim Gashi dhe disa tatimpaguesve të tjerë, duke përfituar për vete në mënyrë të kundërligjshme.

Dëshmitarja Limani sqaroi për trupin gjykues se ajo ishte zyrtare për tatime në Komunën e Pejës dhe kishte për detyrë bënte përmbjedhjen e të dhënave të tatimpaguesve në kompjuterin e saj  përmes programit “Protaks”.

Mirëpo, dëshmitarja rrëfeu se nga hetuesit policor kishte kuptuar se nga kompjuteri i saj, kishte patur ndërhyrje në fshirjen e obligimeve tatimore.

“Unë nuk e kam vërjetur ndryshimet në obligimet tatimore. Këtë e kam kutpuar më vonë nga hetuesit policor”, tha dëshmitarja Limani.

Ajo tutje sqaroi se derisa ishte në pushim gjatë vitit 2016, zyrja e saj në të cilin punonte me tre koleg tjerë, kishte qenë e hapur dhe kompjuteri i saj kishte qenë i kyqur. Ajo shtoi se të akuzuarin  nuk punonte  në zyre e saj, nuk të njëjtin nuk e kishte parë asnjëherë në zyrën e saj në vitin 2016.

Dëshmitarja  në vazhdim tha se të pandehurin e njihte, pasi sipas dëshmitarës i njëjti kishte qenë i punësuar në vitin 2012 si zyrtar për tatime, mirëpo pas dyshimeve për keqpërdorim, të pandehurin Kartallozi ia kishin ndërruar pozitën në zyrtar për komunitete.

“Po ka qenë i dyshuar  dhe mandej e kanë dërgu si zyrtar për komunitete”, shtoi Limani.

Në fund të procesit gjyqësor, Limani shtoi se në vazhdimësi kishte patur kërcënime përmes rrjeteve sociale nga koha kur ishin shfaqur dyshimet për ndërhyrje në kompjuterin e saj dhe se nga këto kërcenime, nuk ishte mirë më shëndet.

“Unë i kam lajmëru organet por asgjë prej kësaj pune. Unë tani jam në depresion lidhur me këtë”, shtoi dëshmitarja.

Në këtë seancë, në cilësi të dëshmitarit, u ndëgjua edhe zyrtari për kthim dhe komunitete, Gani Toska.

Toska rrëfu se të pandehurin Kartallozi e njihte pasiqë deri në vitin 2016 kishin punuar së bashku në një zyrë, si zyrtar për kthim dhe komunitete.  Derisa ishte në pushim, dëshmitari sqaroi se e kishte lajmëruar Drejtori, se kompjuteri i tij, ishte sekuestruar  nga ana e policisë dhe për këtë ishte i dyshuar i pandehuri.

“Unë kam qenë në pushim vjetër, kur më ka lajmëruar shefi se më kanë marrë kompjuterin. Unë e pyeta pse, ai më tha se Hakia po dyshohet”, tha dëshmitari.

Dëshmiri tha se gjatë kohës derisa po punonte me të pandehurin, ky i fundit kishte patur qasje në kompjuterin e tij dhe se i pandehuri e kishte ditur fjalëkalimin e kompjuterit të tij.

“Si koleg pasi kemi qenë në zyre bashkë më ka kërkuar që të hyj në kompjuterin tim për me shiku portalet, pasi ai nuk ka pas kompjuter të vetin pasi policia ia kishte marrë kur ka ardh në zyrën tonë”, shtoi dëshmtiari Toska.

Në këtë seancë u ndëgjua edhe hetuesi policor Faik Jahmurataj, i cili kishte kryer veprimet e para hetimore në lidhje me dyshimet për shlyrjen e obligimeve tatimore.

Duke qenë se në veprimet e tij hetimore nuk kishte dyshime për paligjshmëri, kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj, nuk lejoj prokurorin Haxhi Sinanaj dhe mbrojtjen të parashtroj pyetje hetuesit, për shkak se, sipas gjykatësës, raportet policore nuk janë prova.

“Sikur ty prokuror me të thirrë dëshmitar për aktakuzën tënde. Derisa nuk ka dyshime për paligjshmëri në raportet policore dhe veprimet hetimore,  ndaj të njëjtave nuk mund të  referohemi”, tha gjykatësja.

Mbrojtësi i të pandehurit Kartallozi, Gëzim Kollqaku kërkoi nga hetuesi të sqaronte se përse nuk kishte siguruar kamerat e sigurisë të Komunës për të parë  nëse i akuzuari kishte hyrë në zyret e tatimit në pronë.

Lidhur me këtë, hetuesi policor sqaroi se sigurimi i kamerave nuk kishte qenë e nevojshme pasiqë sipas tij, ishte provuar se ndërhyrjet kompjuterike për shlyrje të tatimeve, ishin bërë nga distanca .

Gjykatësja Kuke-Mekaj e pyeti dëshmitarin nëse ruhen të dhënat e ndërhyrjeve në serverin e programit “Protaks”.

“Po ruhen të gjitha në kuadër të Ministrisë së Financave, Drejtoria për Tatime”, shtoi hetuesi policor.

Seanca e radhës u caktua më 6 dhe 7 dhjetor 2021, ora 9:30

Gjykata Themelore në Pejë, me 2 dhjetor 2019, të pandehurin Kartallozi e ka shpallur fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe e ka dënuar me gjashtë muaj burg. I njëjti ishte njoftuar edhe për mundësinë ligjore që dënimi me burg t’i zëvendësohet me gjobë, në shumën prej 5,000 euro.

Sipas aktgjykimit, Komuna e Pejës, si palë e dëmtuar, është udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike

Ky vendim i shkallës së parë është anuluar nga Gjykata e Apelit më 15 tetor 2020, pasi ka aprovuar pjesërisht ankesën e mbrojtësit të pandehurit, avokatit Gëzim Kollçaku.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se aktgjykimi i Themelores është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384, paragrafi 1 nën paragrafi 1.12 të KPRK-së.

Këto shkelje, sipas Apelit, kanë ndikuar edhe në vërtetimin e plotë të gjendjes faktike.

“Gjykata e shkallës së parë, nuk ka dhënë arsyet për faktet vendimtare, nuk arsyetuar secilin provë, e pastaj ti ndërlidhë me njëra-tjetrën dhe nuk ka vlerësuar saktësinë e provave kundërthënëse, arsyet e mosmiratimit të propozimit konkret të palëve si dhe arsyet në të cilat është bazuar me rastin e zgjidhjes së kësaj çështje juridiko penale, e sidomos me rastin e vërtetimit të ekzistimit të veprës penale dhe përgjegjësisë penale të akuzuarit”, thuhej në arsyetimin e Apelit.

Ndryshe, Sipas aktakuzës të ngritur më 10 nëntor 2017 dhe të ndryshuar më 27 nëntor 2019, Haki Kartallozi, akuzohet se nga fillimi i muajit qershor 2016 e në vazhdimësi deri më 18 tetor të atij viti, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, si person përgjegjës për komunitete në Komunën e Pejës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, ka tejkaluar autorizimet ligjore.

Sipas aktakuzës, përmes programit “Free Keylogger”, program ky i cili shërben për vjedhjen e fjalëkalimeve, merr fjalëkalimin e zyrtarit Gani Toska dhe po ashtu me kompjuterin e tij personal, përmes programit “Protaks”, hyn në sistem kompjuterit të zyrtares për tatim në pronë, Makfirjete Limani dhe arrin t’i shlyejë obligimet tatimore të dëshmitarëve Jahja Kelmendi, Enver Avdyli, Arben Kelmendi, Naser Belegu, Vesel Morina, Rakibe Kelmendi, Atdhe Kelmendi dhe Valdet Berisha.

Aktakuza e ngarkon se me këto veprime kishte shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Pejës në shumë prej 18 mijë e 275.98 euro.

Kurse, në aktakuzë thuhet se në fillim të muajit qershor 2016, nga dëshmitari Besim Gashi, kishte marrë shumën e të hollave prej 170 euro për të shlyer obligimin e tij tatimor.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer vepër penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së, për të cilin parashihet dënimi prej 6 muaj deri në 5 vite burgim. BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë