Dëshmitarja thotë se Goran Stanishiq ja vrau vajzën gjatë ofensivës së forcave serbe ndaj popullsisë civile në vitin 1999

image0 (15)
Author

Raporton: Justina FRROKAJ

Janar 13, 2021

Prishtinë – Në gjykimin për krime lufte ndaj popullsisë civile në vitin 1999 në fshatin Sllovi, dëshmitarja S.G ka deklaruar se vajzën e saj Z, e kishte vrarë i akuzuari Goran Stanishiq dhe 4 pjesëtarë të tjerë të forcave serbe.

“Më 16 prill vajzën ma ka vrarë ky, atë ditë ka shkuar vajza me personin A për të marr ushqim në shtëpi e na kemi qenë në mal te Lugi i Laknave. Ato e kanë marr ushqimin dhe janë nisë me ardhë, na kemi qenë shumë larg e këto janë hy në fillim të kodrës me pru ushqimin ku i kanë hasur 4 paramilitarët serbë”, ka thënë G.

Ajo ka përshkruar ngjarjen se si bashkë me nënën e A-së kanë shkuar drejtë fshatit për të kërkuar ato, kur e kishte dëgjuar britmën e vajzës së saj.

“Unë e gjeta trupin e vajzës, masnej kanë ardhë të tjerët, ka pasur venat e prera në duar dhe këmbë, synin e nxjerrur dhe 3 plumba në trup”, ka deklaruar dëshmitarja S.G.

Dëshmitarja më pas ka treguar se personi që ishte me vajzën e saj, e kishin gjetur disa metra më poshtë tek një përrua, duke qëndruar në ujë e plagosur.

“A-ja më ka thënë se këto kanë qenë tu ardhë tek ne me ushqim, ku i kanë hasur 4 veta në mal, ajo e ka njoftë Goranin, se Gorani o rritë me shqiptarë dhe ka ditë shqip e ju ka thënë hajde hajde se na jemi UÇK, e këto kur janë afru, Z-në e kanë ulur aty dhe i kanë thënë thirre A-në, vëllain tënd, le të vjen le të pshton se ju jeni UÇK”, ka shtuar në deklaratën e saj S.G.

Dëshmitari i dytë, A.M i cili kishte qenë pjesëtar i UÇK-së gjatë luftës në Kosovë, ka deklaruar se atë ditë, sa kishte qenë duke u fshehur nga një tanke e forcave serbe, tek përroi, kishte dëgjuar një zë të njeriut, që kishte qenë personi A.

“Kur kom provu me dal nga Tërbovci në zonën e Marevcit, ka ardhë një tenkë prej Sllovisë dhe aty kam mbetë të prroni dhe në ndërkohë e kam dëgju një zë të njeriut, që ish kon personi A, e cila ka qenë e shtrirë në shpinë, e plagosur, dhe e kam nxjerrë dhe e kam qit në krye të prronit, ku më pas kanë ardhur familjarët e personit”, ka shtuar gjatë dëshmisë së tij A.M.

Ai po ashtu ka thënë se më pas e kishte parë të ndjerën Z dhe plagët që i kishin mbetur nga plumbat.

Këtë deklaratë e ka kontestuar mbrojtësi i të akuzuarit Stanishiq, avokati Lubomir Pantoviq i cili e ka ballafaquar dëshmitarin me deklaratën e tij të mëhershme, ku i njëjti kishte thënë se nuk e kam parë trupin e saj mirë sepse kishte qenë errësirë.

Ndërsa dëshmitari ka qëndruar prapa deklaratës duke u shprehur se i kishte parë plagët e saj por më pas familja e saj është marr me të.

Në këtë seancë ka dëshmuar edhe H.G, i cili ka deklaruar se e kishte tërhequr trupin e të ndjerës Z, bashkë me tre persona të tjerë, në ditën e dytë pasi që ajo ishte vrarë,

Sipas dëshmitarit G, personi A i kishte thënë se të ndjerën Z e kishte vrarë i akuzuari Goran Stanishiq.

“Z-ja i ka pas tre plumba në trup, nuk kam parë plagë të tjera e A-ja më ka than që Z-në e ka vrarë Gorani, djali i Tomqit”, ka deklaruar ai.

Ndryshe në këtë seancë, prokurorja speciale Drita Hajdari ka propozuar që të përjashtohet publiku për shkak të mundësisë që dëshmitarët të përmendin emrin e dëshmitares anonime, nga pika 4 e aktakuzës.

Lidhur me këtë, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Valon Kurtaj ka vendosur që monitoruesit mos të përjashtohen, por ka kërkuar nga ta që të ruajnë identitetin e dëshmitares.

Seanca e radhës për këtë çështje penale është paraparë të mbahet më 19 dhe 20 janar 2021 duke filluar nga ora 9:30.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i akuzuari Goran Stanishiq, si pjesëtar i forcës policore rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në muajin prill të vitit 1999, gjatë luftës në Kosovë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik të forcave ushtarake paramilitare dhe policore serbe kundër popullatës civile shqiptare, në fshatrat Sllovi dhe Tërbovc, në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të këtij njësiti, kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare dhe në kryerjen e vrasjeve dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme.

Siç thuhet në aktakuzë, më 15 prill 1999, në fshatin Sllovi të Komunës së Lipjanit, i pandehuri në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të njësitit, kishin shkuar në oborrin e shtëpisë së familjes G, kanë urdhëruar anëtarët e kësaj familje të dalin nga shtëpia, dhe pasi që ata kishin dal, i kishin ndarë meshkujt nga gratë, i kishin detyruar gratë dhe fëmijët të dalin nga oborri në rrugë, ku më pas, në prezencë të dëshmitarëve Z.G dhe vajzës së saj Xh.H, që ende nuk kishin dal nga oborri, i kishin rreshtuar pranë murit të oborrit të shtëpisë M.G, dy djemtë e tij O.G dhe E.G, dhe dy nipat e tij, A.G dhe B.H, e pastaj kanë shtënë në drejtim të tyre me armë automatike, dhe që të gjithë i kishin vrarë në vend, e pastaj e kishin detyruar Z.G dhe X.H që të largoheshin nga oborri.

Tutje, në aktakuzë thuhet se të njëjtën ditë dhe në të njëjtin fshat, në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të njësitit, me automjet kishin shkuar në oborrin e shtëpisë së familjes B. Pasi kishin dal nga vetura, kishin shtënë me armë automatike në drejtim të F.G, B.B, F.B dhe R.B, të cilët kishin qenë në oborr afër bunarit, dhe e kishin vrarë F.B duke e qëlluar në shpinë, ndërsa F.G, B.B dhe R.B kishin shpëtuar duke ikur me vrap në drejtime të ndryshme nga vendi i ngjarjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të njëjtën ditë dhe në të njëjtin fshat, në afërsi të shkollës së vjetër të fshatit, kishin ndarë nga kolona e popullatës civile shqiptare që i kishin detyruar të braktisin fshatin, J.K, B.G, V.P, R.K, A.I dhe F.B, dhe pasi që i kishin rreshtuar përball një muri, kishin shtënë në drejtim të tyre me armë automatike, duke i vrarë të gjithë në vend.

Më 16 prill 1999, në fshatin Tërbovc të Komunës së Lipjanit,  në vendin e quajtur “Lugu i Lakrave”, i pandehuri së bashku me katër persona të tjerë të uniformuar dhe të armatosur kishin ndaluar të dëmtuarën A.I së bashku me tani të ndjerën Z.G, të cilat kishin qenë duke shkuar nëpër mal për t’iu bashkangjitur bashkëfshatarëve dhe familjeve të tyre.

Siç thuhet në aktakuzë, e dëmtuara A.I kishte nxjerrë një pako të cigareve me kërkesë të të pandehurit, dhe duke ua dhënë ai cigaret personave të tjerë, ajo kishte shfrytëzuar rastin dhe kishte filluar që të vraponte për të ikur, ndërsa i pandehuri me persona të tjerë të armatosur kishin shtënë në drejtim të saj që ta vrasin, ku e kishin goditur në pjesën e kofshës së djathtë, për çka ajo ishte rrëzuar, dhe ishte rrokullisur deri tek përroi, ku në mbrëmje e kishin gjetur fshatarët, dhe pasi që ajo ua kishte treguar vendin se ku ishte ndarë me të ndjerën Z.G, fshatarët kishin shkuar aty dhe të njëjtën e kishin gjetur të vrarë.

Për këtë, prokuroria e ngarkon të akuzuarin se në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësitit rezervist të policisë serbe dhe persona të tjerë të armatosur, ka kryer veprën penale “krimet e luftës kundër popullsisë civile” nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të ish-Jugosllavisë, aktualisht e penalizuar si Krimet e Luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të Konventës së Gjenevës nga neni 146, paragrafi 1, dhe neni 2, nën paragrafi 2.1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi