Dëshmitarja thotë se e akuzuara i kishte kërkuar t’i qeraste anëtarët e komisionit për projektin që kishte fituar

Rasti i Zana Kotorrit etj 10.10.2018
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Tetor 10, 2018

Prishtinë – Dëshmitarja Naile Halaj, ka thënë se tani e akuzuara për mashtrim me subvencione Hana Berisha, përmes telefonit e kishte njoftuar se te ajo do të shkonte komisioni lidhur me projektin që kishte fituar dhe i kishte thënë që duhet t’i qeraste anëtarët e tij.

Halaj, të mërkurën ka dhënë dëshminë e saj në rastin që po zhvillohet ndaj ish-sekretares së përgjithshme në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim (MKK), Zana Kotorri, Ardiana Goranit dhe Hana Berishës që akuzohen për mashtrim me subvencione, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast, që ka filluar rishtas pasi që ka ardhur deri te ndërrim i plotë i trupit gjykues për herë të tretë, Kotorri akuzohet edhe për “keqpërdorim të pozitës zyrtare” dhe për “marrje ryshfeti”.

Halaj duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit të Prokurorisë Speciale, Haki Gecaj, deklaroi se ishte marrë që nga pas lufta me biznes familjar me veprimtari artizanale.

Ajo tha se në vitin 2008 kishin aplikuar për një projekt në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim (MKK), derisa vlera e projektit tha se nuk i kujtohet, por thotë se kishte qenë mbi 10 mijë euro.

Halaj tha se nuk i ka njohur të akuzuarat, përpos Hana Berishën të cilën tha se e ka bashkëvendëse dhe Ardiana Goranin të cilën tha se e kishte njohur vetëm si konsumatore.

Ajo tha se aplikacionin për projektin për artizanale e kishte plotësuar dhe dorëzuar bashkëshorti me djalin e saj, e ajo nuk ishte marrë me ketë punë.

Mirëpo, sipas saj, kur kishin aplikuar për projekt, e akuzuara Berisha e kishte njoftuar përmes telefonit se një komision do të shkonte dhe se duhej ta qerasnin.

Halaj tha se Berisha nuk kishte përmendur se kush do të shkonte përveç se kishte thënë se një komisioni e që e kishte përmendur edhe sekretaren permanente Zana Kotorrin.

“Unë i kam thanë Hanës që për këto punë për me qarros diçka ta thrras bashkëshortin tim Hamdin pasi që ai merrej me biznes, e unë jo sepse punoja si mësimdhënëse e vetëm pasditeve dhe në vikend iu ndihmoja”, shtoi Halaj.

Ajo tha se nuk e din nëse Berisha i kishte thënë se duhet ta qeraste të akuzuarën Kotorri apo komisionin.

Mirëpo, pas kësaj deklarate dëshmitarja tha se emrin e të akuzuarës Zana Kotorri, e akuzuara Hana Berisha vetëm e kishte përmendur, por ajo nuk kishte qenë anëtare e komisionit.

Pas dhënies së dëshmisë nga dëshmitarja Halaj, e akuzuara Hana Berisha tha se ka vërejtje në dëshminë e saj pasi që nuk kishte qenë komision, por një grup për monitorim që do të shkonin te Halaj.

Ndërsa, dëshmitarja duke u përgjigjur në pyetje të trupit gjykues tha se përpos të akuzuarës Berisha e kishte njohur edhe bashkëshortin e saj, pasi që ai kishte kryer disa punime në shtëpinë e saj.

Seanca e radhës për këtë rast sipas gjykatëse Nushe Kuka-Mekaj do të mbahet më 11 tetor 2018, duke filluar nga ora 10:30.

Ndryshe në seancën e mbajtur një ditë më parë kishin dhënë dëshminë e tyre edhe tre dëshmitarët Yllka Kotorri, Hamdi Halaj dhe Melihate Hulaj.

Kurse, është shqyrtuar edhe marrëveshja për pranim të fajësisë e lidhur mes prokurorit Gecaj dhe të akuzuarës Adriana Goranit për veprën penale “mashtrimi”, e të cilën marrëveshje e ka aprovuar gjykata.

Ky gjykim ka filluar rishtas për shkak se ky është trupi i tretë gjykues që e merr në punë këtë lëndë, rasti kishte qenë te gjykatësi Valon Kurtaj i cili ka kaluar në pozitën e drejtorit të Akademisë së Drejtësisë, e që pas largimit të tij lëndën e kishte marrë gjykatësja Shadie Gerguri.

Mirëpo, pas ardhjes së gjykatësve të ri, rasti ka kaluar te gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, e cila ka vendosur që sipas dispozitave ligjore të fillojë rishtas me gjykimin ndaj tri të akuzuarve, ku pritet që edhe njëherë të dëgjohen të dëmtuarit dhe dëshmitarët e këtij rasti.

Përkundër deklarimit të prokurorit Gecaj dhe mbrojtësve të të akuzuarve, avokatëve Xhafer Maliqi dhe Afrim Salihu që të konsiderohen të lexuara ose të lexohen veprimet e ndërmarra më parë, gjykatësja Kuka-Mekaj kishte thënë se pasi që është ndërruar komplet trupi gjykues nuk do të konsiderohen të lexuara, por do të fillohet nga e para.

Në seancën e 18 shtatorit 2017, Zana Kotorri dhe Hana Berishës nuk e kishin pranuar fajësinë për veprat penale me të cilat i ngarkon akuza, ndërsa e akuzuara Gorani kishte pranuar fajësinë për njërën pikë të aktakuzës, përkatësisht për veprën penale të mashtrimit.

Ndryshe, gjykimi ndaj ish-sekretares së përgjithshme në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete, Zana Kotorri dhe dy të akuzuarave tjera, Hana Berisha dhe Ardiana Gorani, është përballur me shtyrje të shumta të seancave.

Vetëm në periudhën maj-gusht të vitit të kaluar, pesë herë me radhë ishin shtyrë seancat për arsye të ndryshme.

Aktakuza e ngritur nga prokurori Besim Kelmendi, e ngarkon Zana Kotorrin, që në cilësinë e sekretares së përgjithshme në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, në bashkëpunim me Hana Berishën, kanë marrë pjesë në bashkim kriminal.

Sipas aktakuzës, Kotorri dhe Berisha ishin marrë vesh që të gjejnë persona të interesuar për subvencione nga kjo ministri dhe pastaj, shumën e subvencioneve të ndajnë përgjysmë, ashtu që gjysmën e shumës ta marrë e pandehura Kotorri dhe gjysmën tjetër, e pandehura Berisha.

Sipas aktakuzës, përmes Hana Berishës, e pandehura tjetër Ardiana Govori, kishte rënë në kontakt me Zana Kotorrin, e ku kjo e fundit duke tejkaluar kompetencat e saj, ia kishte përgatitur dokumentet për aplikim për subvencione, të pandehurës, Govori.

66.465.00 euro ishte shuma e subvencionit të projektit të shoqatës SHIPPL, me emër “Duam dhe mundemi së bashku”, e të cilat mjete pas ndarjes nga ana Ministrisë, të pandehurat i kishin ndarë mes tyre.

Gjithnjë sipas aktakuzës, 33.232.00 euro i kishte marrë e pandehura Kotorri, 15.00.00 euro i kishte marrë Hana Berisha dhe pjesën tjetër e kishte marrë, Ardiana Govori.

Në aktakuzën që tashmë e përfaqëson, prokurori Haki Gecaj, theksohet gjithashtu se të pandehurat, për çdo përfitues të subvencioneve kërkonin përqindje që shkonte nga 30 deri në 50 %, nga shuma e subvencioneve.

Mbi këto fakte, prokuroria akuzon të pandehurat, Kotorri, Berisha dhe Govori, se në bashkim kriminal, kanë kryer veprën penale të mashtrimit lidhur me subvencionet, ndërsa Zana Kotorri akuzohet edhe për veprat “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrje ryshfeti”. Hana Berisha dhe Ardiana Govori, ngarkohen gjithashtu edhe me veprën penale “dhënia e ryshfetit”.