Dëshmitarja thotë se ata që e sulmuan djalin e axhës së saj me shufër hekuri apo druri, ia gjakosën kokën

Raporton: Arbenita RRAHMANI

Lipjan- Dëshmitarja Marigona Maloku ka thënë se të dëmtuarin Hysni Ibrahimin, personat që e kishin sulmuar në natën e 5 marsit 2018, ia kishin gjakosur kokën dhe kishin ikur në drejtim të Komunës.

Këtë deklaratë, dëshmitarja Maloku e bëri të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, ku për këtë rast po akuzohet Hysni Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Maloku ka deklaruar se ka qenë me vajzat e hallës kur e kanë vërejtur se një person po e sulmonin, pa e ditur se ai person ishte djali i axhës së saj.

Ajo shtoi se saktësisht nuk i kujtohet a kanë qenë dy apo tre persona, kurse në momentin që të njëjtat kishin bërtitur, personat kishin ikur në drejtim të Komunës.

Tutje, dëshmitarja Maloku ka thënë se ishte errësirë dhe nuk ka mundur ta vërejë se me çfarë e kishin sulmuar, me shufër të hekurit apo të drurit, por tha se e dinte se me një mjet kanë qenë duke e goditur të dëmtuarin Ibrahimi, pasi që ai e kishte kokën e gjakosur, për ç’rast nga aty kishin shkuar në polici për të dhënë deklaratë.

E pyetur nga gjykatësi Selman Salihi se a ishte dikush aty afër, Maloku tha jo dhe kishte qenë errësirë.

Rreth deklaratës së dëshmitares Maloku, vërejtje në kuptim të mbrojtjes kishte mbrojtësi i të akuzuarit Hysni Bytyqi, avokati Valon Sadiku.

Gjatë kësaj seance ishte paraparë të ndëgjoheshin edhe dëshmitarët Basri Neziri dhe Bahti Neziri, por që të njëjtit nuk ishin të pranishëm edhe pse thirrjet i kishin pranuar, kurse mungësen e tyre nuk e kishin arsyetuar.

Andaj, në mungesë të dëshmitarëve të lartcekur, gjykatësi Salihi seancën e sotme e ndërpreu, ndërsa të radhës e caktoi më 25 nëntor 2021.

Gjykatësi tha se ndaj dëshmitarëve gjykata do të lëshojë urdhërresë për sjellje në gjykatë përmes policisë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur më 7 shtator 2018, i akuzuari Hysni Bytyqi po akuzohet se më 5 mars 2018, në rugën “Skenderbeu”, në Komunën e Lipjanit , në afërsi të lokalit “Rexha Comerc”, për shkak të një mosmarrëveshje paraprake rreth lokalit që gjendet në sheshin “Adem Jasahri” të cilin nga AKP-ja e kishte blerë Fatmir Ibrahimi, vëllai i të dëmtuarit, Hysri Ibrahimi, me të cilin i pandehuri disa herë kishte biseduar personalisht por edhe i kishte dërguar njerëz, në mënyrë që ta bind vëllanë e tij për t’ia liruar lakalin në fjalë me pretendimin se lokali ishte i familjës së pandehurit, pasi që i pandehuri dhe i dëmtuari nuk kishin arritur marrëveshje, i pandehuri me qëllim të hakmarrjes dhe me dashje kishte shtyrë personat tjerë që në vendin e sipërcekur ta sulmonin të dëmtuarin Ibrahimi.

Në aktakuzë thuhet se në ditën kritike, persona të panjohur të shtyrë nga i pandehuri e kishin e kishin goditur të dëmtuarin me shufra metalike në kokë dhe trup, mjete këto të rrezikshme që mund të shkaktojnë dëmtim të rëndë të shëndetit dhe si rrjedhojë e këtyre goditjeve, i dëmtuari kishte pësuar lëndimetë lehta trupore, me pasoja të përkohshme në shëndet.

Në dispoztivin e dytë të aktakuzës thuhet se nga viti 2017 e deri më 5 mars 2018, në komunën e Lipjanit, i pandehuri me sjellje të vëmendjes së vazhdueshme dhe të padëshirueshme, me qëllim të frikësimit të të dëmtuarit Hysri Ibrahimi, vazhdimisht kishte shkruar dhe i kishte dërguar njerëz të ndryshëm në shtëpinë e tij, me qëllim që i dëmtuari ta bind vëllanë e tij Fatmir Ibrahimi, që t’ia kthejë lokalin e blerë nga AKP-ja, të pandehurit.

Me ç’rast të dëmtuarin e vë nën shqetësim të madh emocional se do t’i shkaktojë lëndim të rëndë trupor apo dëm pasuror.

Me këtë, i akuzuari ngarkohet për kryerjen e veprës penale “shtytje në kryerjen e veprës penale lëndimit i lehtë trupor” nga neni 188, paragrafi 2, lidhur me nenin 32 paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryesi dënohet me burgim deri në tri vjet.

Si dhe kryerjen e veprës penale “Ngacmimi” nga neni 186,  paragrafi 1, lidhur me paragrafin 4 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tri vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë