Dëshmitarja thotë që “Elkos” nuk mund ta regjistronte tokën e blerë, pasi i akuzuar nuk e kishte paguar tatimin

Author

Raporton: Blerta BARKU

Shtator 13, 2021

Prishtinë – Përfaqësuesja e palës së dëmtuar-dëshmitarja Ardita Abazaj deklaroi se tokën që e kontraktoi kompania “Elkos” nga i akuzuari Avni Krasniqi nuk ka mundur ta regjistrojë në zyrën kadastrale në Komunën e Prishtinës, pasi i akuzuari nuk i kishte paguar obligimet tatimore në Administratën Tatimore të Kosovës.

Këtë deklarim, dëshmitarja Abazaj e bëri në seancën e së hënës në rastin ku Avni Krasniqi po akuzohet për “mashtrim” dhe “shmangie nga tatimi”.

Dëshmitarja Ardita Abazaj tha se nuk e posedon një kopje të aktakuzës mirëpo kallëzimin penal e ka paraqitur dhe deklaratën e ka dhënë pranë prokurorit dhe mbetet në tërësi pranë asaj deklarate.

Kompania “Elkos” dhe i akuzuarin Avni Krasniqin kanë lidhur kontratë të shitblerjes së paluajtshmërisë për parcelën në fjalë, kontrata e cila është nënshkruar dhe vërtetuar në gjykatën komunale në Prishtinë.

“Toka e kontraktuar në mes të kompanisë Elkos dhe të akuzuarit Krasniqi është nënshkruar dhe vërtetuar në Gjykatën Komunale në Prishtinë dhe e njëjta nuk ka mundur të regjistrohet në zyrën kadastrale në Komunën e Prishtinës për shkak të obligimit të akuzuarit ndaj Administratës Tatimore të Kosovës”, deklaroi dëshmitarja Abazaj.

Tutje, ajo tha se pas takimit të Bordit Drejtues të kompanisë “Elkos”, është udhëzuar të paguajë obligimin tatimor të të akuzuarit dhe pastaj janë dorëzuar kërkesa me të gjitha dokumentet për regjistrim në zyrën kadastrale në Prishtinë.

Nga kjo e fundit, Abazaj pranoi konkluzione që prona nuk mund të regjistrohej për shkak që ATK-ja kishte vendosur obligimin tatimor më të lartë se shuma e paguar më lartë për të cilën ishte i njoftuar i akuzuar Krasniqi më parë dhe i njëjti nuk e kishte njoftuar edhe pse ishin kryer të gjitha pagesat ndaj të akuzuarit.

Pyetjet e Prokurorit të rastit Bekim Kodraliu ishin të fokusuara në rrjedhën e ngjarjes dhe pjesën kontraktuale të saj, për të cilën mori përgjigje nga dëshmitarja Abazaj.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, Valdrin Behrami pas pyetjeve rreth kohës së nënshkrimit të kontratës dhe rolit të dëshmitares Abazaj, kërkoi nga gjykatësi që të shtyhet seanca, pasi i njëjti kishte një seancë tjetër.

Propozimi i tillë nuk u pranua nga ana e gjykatësit Adnan Kamberi, me ç’rast kërkoi të largohet nga salla për të marrë pjesë në seancën tjetër.

Seanca vazhdoi me pyetjen e të akuzuarit drejtuar dëshmitares Abazaj, ku të njëjtit i është tërhequr vërejtja disa herë nga gjyqtari i rastit Kamberi, se pyetjet duhet të jenë në lidhje me deklaratën e dëshmitares.

Abazaj i është përgjigjur pyetjeve që kanë të bëjnë me bisedat në mes të akuzuarit dhe drejtorit të kompanisë “Elkos”, Ramiz Kelmendit. Ajo deklaroi që për disa raste ishte në njohuri, ndërsa për disa jo.

Dëshmitarja Abazaj deklaroi rreth njohurive të saj lidhur me rastin kur u pyet nga gjyqtari Kamberi dhe tha se ndjehej e mashtruar nga i akuzuari Krasniqi lidhur me këtë rast.

Seanca e radhës do të vazhdojë me administrimin e provave materiale me datë 22 shtator 2021.

Aktakuza e ngritur në dhjetor të 2015-ës nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkon Avni Krasniqin se në prill të vitit 2012 me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i sjell dobi pasurore të kundërligjshme e ka vënë në lajthim të dëmtuarën SHPK “Elkos” ,të cilën e ka përfaqësuar Ardita Abazaj.

Thuhet se këtë, i akuzuari e bëri  duke e shtyrë të veprojë në dëm të pasurisë së saj, duke i fshehur faktet ka lidhur kontratë mbi shitblerjen, me anë të së cilës i akuzuari Krasniqi ia ka shitur të dëmtuarit patundshmërinë me nr. P-70914059-00161-5.s

Në aktakuzë thuhet se, këtë ai e ka bërë edhe pse e ka ditur se në muajin janar të vitit 2012 Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) e ka përfunduar dhe ka konstatuar borxhin tatimor në shumë prej 458 mijë e 526 euro e 52 centë.

Tutje, akti akuzues thotë se ATK-ja ka kërkuar nga Shërbimi Kadastral në Prishtinë vendosjen e barrës tatimore në parcelën e lartcekur, që për pasojë ka pasur moslejimin e bartjes së patundshmërisë së cekur në pronarin e ri SHPK “Elkos” me ç’rast të njëjtës i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “mashtrimi” nga neni 261 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Ndërsa, dispozitivi i dytë i kësaj aktakuze e ngarkon Krasniqin edhe me veprën penale “shmangia nga tatimi” nga neni 249 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, sepse nga viti 2005 deri në prill të vitit 2011 i akuzuari me qëllim që t’i shmanget pagimit të tatimeve dhe kontributeve tjera nuk ka deklaruar në ATK qarkullimin real që e ka pasur në kuadër të aktivitetit të tij afarist në kompaninë e tij NTP “Shpeta”.

Ekspertiza financiare ka konstatuar se shuma e shmangur e pagimit të tatimit është në vlerë prej 223 mijë e  934 euro ku për këtë vlerë i akuzuari e ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në ketë̈ artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë̈ fajtorë me vendim të formës së prerë.