Dëshmitarja Enisa Trena: Se kam parë Sevdaim Bakijën duke iu dhënë ryshfet policëve, por ai vetë më ka thënë se ju ka dhënë 100 euro atyre për të mos hapur rast

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë – Në seancën ndaj Arben Shalës dhe Tafa Murselit të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ka dëshmuar Enisa Trena. Kjo e fundit tha se nuk i kujtohet mirë deklarata e dhënë në prokurori, andaj e konsideron më të qartë dhe të pranueshme deklaratën e tanishme të dhënë para trupit gjykues.

Ky proces zhvillohet në bazë të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila ngarkon të akuzuarit Arben Shala dhe Tafa Murseli me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Të njëjtit pretendohet se më 20 shkurt 2014, në rrugën Dëshmorët e Kombit”, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që nga i dëmtuari Sevdaim Bakija, i cili ka shkaktuar aksident, duke vozitur në gjendje të dehur, kanë pranuar shumën prej 100 eurove me qëllim që të mos hapet rasti penal.

Gjatë dhënies së dëshmisë, Trena bëri të ditur se me palën e dëmtuar e që në këtë rast është Bakija është njoftuar po atë natë kur ka ndodhur rasti. Ajo bëri të ditur se gjatë aksidentit në makinë ka qenë së bashku me Bakijën dhe të dashurën e tij Vinjola Dalipi, e cila gjithashtu është e ftuar për të dëshmuar në këtë rast.

Sipas dëshmitares në momentin e aksidentit të gjithë kanë qenë nën ndikim të alkoolit, ndërkaq ajo vet deklaroi se ka qenë pa vetëdije. Trena gjithashtu bëri të ditur se nuk ka dhënë deklaratë për policinë pasi që ka qenë e kërcënuar nga Bakija.

Gjatë marrjes në pyetje, Trena deklaroi se ajo nuk e ka parë Bakijën duke i’a ofruar zyrtarëve policor 100 euro, edhe pse i njëjti i ka thënë dëshmitares se ai iu ka dhënë atë shumë.

Dëshmitarja në pyetjet e prokurores së çështjes Habibe Salihu, deklaroi se Bakija i kishte thënë se policia i kishte liruar për shkakun se ajo nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërkaq krejt në fund dëshmitarja Trena theksoi se ka qenë e kërcënuar gjatë gjithë kohës nga Bakija, ku ky i fundit nuk e ka lejuar të njëjtën të shkoj në shtëpi duke e mbajtur të mbyllur në shtëpinë e tij.

Gjykata caktoi seancën e radhës më 3 nëntor 2016, në ora 13:00, ku do të vazhdohet me administrimin e provave materiale dhe do të diskutohet lidhur me dëshmitaren Vinjola Dalipi për të cilën nuk dihet vendqëndrimi.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë