DËSHMITARI ZUKRI ÇAROLLI NË RASTIN E MTPT-SË: SHKODRA GJITHMONË KA THËNË SE NJEH NJERËZ NË QEVERI

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë – Pronari i kompanisë “Planing”, Zukri Çarrolli, të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka vazhduar dëshminë në rastin e MTPT-së. Gjatë kësaj seance i njëjti bëri të ditur se gjatë takimeve me Mehmet Shkodrën, pronar i kompanisë “InterEvropa” është përmendur emri i kryeshefit Hashim Thaçi, me pretendimin se kjo punë do të përfundoj me sukses.

Dëshmitari deklaroi edhe njëherë se ka qenë i përfshirë në marrëveshjen me kompaninë “Interevropa”, lidhur me tenderin e organizuar nga MTPT-ja. Ai theksoi se Shkodra ka qenë iniciator sa i përket tenderit në fjalë, pasi që i njëjti ka thënë se ka pasur disa njerëz të cilët do të mund ta ndihmonin rreth fitimit të këtij tenderi.

Çarolli tha se kalkulimin rreth çmimit për punimet lidhur me tenderin i ka bërë ai, përderisa ofertën finale e ka dorëzuar Shkodra. Dëshmitari gjithashtu shtoi se këtë kalkulim e ka bërë me analizat e çmimeve dhe analizat e të gjitha materialeve.

Në këtë proces gjyqësor Çarolli shtoi se pas dorëzimit të ofertës, i njëjti ka biseduar me Shkodrën rreth fitimit të këtij tenderi. Ai theksoi se Shkodra gjithmonë i ka thënë se njeh njerëz në Qeveri. Ndërkaq lidhur me kompanitë e tjera të cilët kanë qenë ofertues të njëjtë për fitimin e këtij tenderi, Çarolli bëri të ditur se nuk janë marrë shumë me ta, pasi që qëllimi i tyre ishte që kompania e tyre të fitonte.

Gjatë marrjes në pyetje lidhur me deklaratën e dhënë në polici nga prokurori i çështjes Charles Hardaway, reagoi mbrojtësi i të akuzuarit Fatmir Limaj, avokati Tahir Recaj. I njëjti tha se prokurori nuk ka të drejtë t’a ballafaqoj dëshmitarin me deklaratën e dhënë në procedurë paraprake, përveç në rastet kur nuk i kujtohet. Ndërkaq prokurori Hardaway deklaroi se mbrojtja gjithmonë po i përdor kundërshtimet si një vegël për t’a drejtuar dëshmitarin se çfarë të deklarohet.

Tutje dëshmitari, lidhur me refuzimin e këtij projekti, bëri të ditur se nuk është në dijeni nëse Shkodra është njoftuar pse tenderi i tyre ka qenë i pa suksesshëm. Ndërkaq lidhur me këtë projekt i njëjti tregoi se për këtë tender me sa i kujtohet është aplikuar çmimi më i favorshëm ekonomik.

Në pyetjet e prokurorit lidhur me disa sms-a të shkëmbyera në mes të Shkodrës me të akuzuarin Fatmir Limaj gjatë datave 10-12 maj 2008, dëshmitari u përgjigj se nuk është në dijeni për të njëjtat.

Në fund të dëshmisë të tij, Çarolli deklaroi se me Shkodrën është takuar vetëm kur kanë bërë analiza rreth vërtetimit të çmimeve lidhur me projektin. Ai shtoi se me sa i kujtohet gjatë këtyre takimeve është përmendur emri i kryeshefit Hashim Thaçi, me pretendimin se kjo punë do të përfundoj me sukses.

Gjykata caktoi seancën e radhës më 27 korrik, në ora 10:00.

Fatmir Limaj, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi akuzohen për veprat penale krim i organizuar, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje ryshfeti, Shpërtim Telaku për veprat penale krim i organizuar dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe i akuzuari i fundit Florim Zuka akuzohet për veprat penale dhënie ryshfeti dhe keqpërdorim i autorizimeve ekonomike. Përveç këtyre veprave penale, Fatmir Limaj akuzohet poashtu edhe për veprën mosdeklarim i parave për fushatë. Këto vepra të përmendura në akuzë, kanë të bëjnë me gjashtë tenderë për mirëmbajtjen dhe ndërtimin e rrugëve nga kjo ministri.

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë