Dëshmitari tregon se si ia kishte shitur pronën të akuzuarit për pastrim parash e shmangie nga tatimi

IMG-0427 (2)
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Prill 12, 2021

Prishtinë – Dëshmitari Sami Ademi ka treguar se si ia kishte shitur pronën mbi 4 hektarësh të akuzuarit për pastrim parash e shmangie nga tatimi, Ramadan Mavraj.

Për të njëjtat vepra penale, në këtë rast po akuzohen edhe Muharrem dhe Flamur Mavraj, si dhe Xhelal Kastrati, Valdet Muriqi dhe Rexhë Kastrati, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së hënës, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë është dëgjuar dëshmitari Sami Ademi, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Milot Krasniqi ka thënë se pronën mbi 4 hektarësh ia kishte shitur të akuzuarit Ramadan Mavraj.

Ai ka thënë së pronën e cila gjendet rrugës për Lipjan, në sipërfaqe prej 6 hektarësh, e kishte blerë në vitin 2000 nga një serb, emrin e të cilit tha se nuk i kujtohej.

Pas 8-9 vitesh këtë pronë ai tha se ia kishte shitur dy personave, 2 hektar një tetovari, ndërsa pjesën tjetër tha se ia kishte shitur të akuzuarit Mavraj.

“Nuk më kujtohet çmimi i shitblerjes pasi kanë kaluar më tepër se 10 vite, por shuma është e shënuar në kontratën e shitblerjes pasi ka qenë vet asistimi i Mavrajt me bo një kontratë të shitblerjes me avokat, që të jenë të gjitha të arsyetuar”, ka thënë dëshmitari Ademi.

Sipas tij, pagesa ishte bërë përmes bankës me dy këste, të cilën shumë tha se nuk i kujtohej se sa kishte qenë, por sipas tij Mavraj e kishte paguar me kohë gjithë shumën.

I pyetur nga prokurori Krasniqi, se pagesat për pronën a ishin bërë sipas llogarisë bankare të të akuzuarit Mavraj apo nga llogaria bankare e firmës NNT “Albes”, dëshmitarit tha se nuk i kujtohet, por sipas tij e gjithë procedura kishte shkuar në rregull.

Përveç të akuzuarit Ramadan Mavraj, ai ka thënë se Muharrem e Flamur Mavrajn nuk i njeh, ndërsa për Ramadan Mavraj ka thënë se përveç marrëdhënies kontraktuale lidhur me pronën, nuk kishte pasur asnjë marrëdhënie tjetër.

Ai ka mbetur në tërësi pranë deklaratës së dhënë në polici me 5 shkurt 2018, në të cilën kishte deklaruar se kësti i parë i kësaj prone kishte qenë 312,500 euro dhe se këtë shumë e kishte pranuar nga llogaria bankare e kompanisë “NNT Albes”.

Meqenëse i akuzuari Muharrem Mavraj ka insistuar që të mos vazhdoj seanca me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të tij, seanca është ndërprerë për të vazhduar me 22 prill 2021, në ora 09:30.

Ndryshe, për shkak se seanca ka filluar me mbi një orë vonesë, si pasojë për shkak të vonesës së mbrojtësit të të akuzuarit Ramadan Mavraj, avokatit Xhafer Maliqi, ndaj tij kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shadije Gerguri ka shqiptuar vërejtje në procesverbal, si dhe i ka njoftuar edhe avokatet e tjerë se mos prezenca e tyre nuk do të tolerohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së ngritur më 21 gusht 2019, Ramadan Mavraj dhe Muharrem Mavraj, nga viti 2010 deri në vitin 2017, në vazhdimësi, me dashje dhe në bashkëveprim me njëri tjetrin, pasurinë e fituar me aktivitet kriminal, me qëllim të konvertimit, transferimit, fshehjes së natyrës dhe burimit të pasurisë, kanë kryer deponime dhe tërheqje në para të gatshme, në llogari individuale, kanë pranuar dhe transferuar mjete monetare me përshkrimin “kthim borxhi i deponimeve të viteve të mëhershme”.

Në aktakuzë thuhet se ata kanë pranuar dhe transferuar mjete pa mbulesë, me të cilat mjete kanë blerë prona pa mbulesë financiare.

Me këto veprime ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “pastrim i parave” nga neni 308 i Kodit Penal i Republikës së Kosovës lidhur me nenin 56 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 dhe paragrafi 3 nën paragrafi 1.3 i Ligjit mbi Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit lidhur me nenin 31 të Kodit Penal i Republikës së Kosovës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Flamur Mavraj, Xhelal Kastrati, Valdet Muriqi dhe Rexhë Kastrati, akuzohen se që nga viti 2010 e deri në vitin 2014 në vazhdimësi, me dashje dhe në bashkëveprim me njëri-tjetrin, pasurinë e fituar me aktivitet kriminal, me qëllim të konvertimit, transferimit, fshehjes së natyrës dhe burimit të pasurisë, kanë kryer deponime dhe tërheqje në para të gatshme, në llogari individuale, kanë pranuar dhe transferuar mjete monetare me përshkrimin “huazim ose kthim huazimi”.

Me këto veprime ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “pastrim i parave” nga neni 308 i Kodit Penal i Republikës së Kosovës lidhur me nenin 56 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 dhe paragrafi 3 nën paragrafi 1.3 i Ligjit mbi Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit lidhur me nenin 31 të Kodit Penal i Republikës së Kosovës.

Sipas prokurorisë, ata akuzohen se kanë kryer edhe veprën penale “shmangie nga tatimi”, ashtu që i akuzuari Ramadan Mavraj, nga viti 2010 deri në vitin 2017 në vazhdimësi, në cilësinë e personit përgjegjës të biznesit individual “ALBES” me qëllim të shmangies nga tatimi, tarifave apo kontributeve të tjera të përcaktuara me ligj, nuk ka deklaruar qarkullimin financiar dhe nuk i ka përfshirë informatat lidhur me të ardhurat e tij, ashtu që ka dhënë informata jo të sakta nga veprimtaria e vet afariste, me ç’rast ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 63.700.20 euro.

I akuzuari Muharrem Mavraj nga viti 2010 deri në vitin 2017 në vazhdimësi në cilësinë e pronarit të biznesit individual “ALBES” me qëllim të shmangies nga tatimi, tarifave apo kontributeve të tjera të përcaktuara me ligj, nuk ka deklaruar qarkullimin financiar dhe nuk i ka përfshirë informatat lidhur me të ardhurat e tij, ashtu që ka dhënë informata jo të sakta nga veprimtaria e vet afariste, me ç’rast ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 334,856.40 euro.

I akuzuari Flamur Mavraj nga viti 2010 deri në vitin 2017 në vazhdimësi, duke qenë i punësuar në biznesin individual “ALBES” me qëllim të shmangies nga tatimi, tarifave apo kontributeve të tjera të përcaktuara me ligj, nuk ka deklaruar qarkullimin financiar dhe nuk i ka përfshirë informatat lidhur me të ardhurat e tij, ashtu që ka dhënë informata jo të sakta nga veprimtaria e vet afariste, me ç’rast ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 3,333.60 euro.

I akuzuari Xhelal Kastrati në cilësinë e shitësit të pronës së paluajtshme në vlerë prej 1,500.000 euro, pjesë e tij pronësore prej 10%, me qëllim të shmangies nga tatimi nuk e ka deklaruar këtë transaksion, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës 2,223.60 euro.

I akuzuari Valdet Muriqi, në cilësinë e shitësit të pronës së paluajtshme në vlerë prej 1,500.000 euro, pjesë e tij pronësore 45%, me qëllim të shmangies nga tatimi nuk e ka deklaruar këtë transaksion, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës 28,893.60 euro.

I akuzuari Rexhë Kastrati në cilësinë e shitësit të pronës së paluajtshme në vlerë prej 1,500.000 euro, pjesë e tij pronësore 45%, me qëllim të shmangies nga tatimi nuk e ka deklaruar këtë transaksion, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës 26,733.60 euro. /BetimipërDrejtësi