Dëshmitari thotë se zyrtarja e Policisë së Kosovës kishte bashkëpunuar me kontrabandistët në veri të Kosovës

IMG-0860
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Qershor 8, 2021

Prishtinë – Zyrtari i Policisë së Kosovës, Jovica Nastiq ka thënë se e akuzuara Ana Vasoviq-Baraq kishte bashkëpunuar me kontrabandistë në veri të Kosovës, të cilët kishin kontrabanduar mallra nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas. 

Një deklaratë të tillë, Nastiq e kishte dhënë në Inspektoratin Policor të Kosovës e pas të cilës deklaratë tha se qëndron ende, kur të martën u dëgjua në cilësinë e dëshmitarit, në gjykim ku për korrupsion po akuzohen tre zyrtarët policor, Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tre të akuzuarit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), po akuzohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal lidhur me keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për marrje ryshfeti raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në dëshminë e tij, Nastiq tha se qëndron prapa deklaratës që kishte dhënë në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) në korrik të vitit 2019. Në atë deklaratë, Nastiq kishte thënë se derisa kishte punuar në ndërrimin e të akuzuarës Ana Vasoviq, e njëjta së bashku me një rreshter kishin bashkëpunuar me kontrabandistet dhe se ata si pjesë e ekipit kishin marrë para nga e njëjta.

Ndërsa sipas dëshmitarit, kur Vasoviq kishte qenë në pushim, paratë i kishin marrë nga Milan Jovanoviq.

Prokurori Burim Çerkini e ka ballafaquar dëshmitarin me një pjesë tjetër të deklaratës në IPK, në të cilën deklaratë, dëshmitari kishte thënë se shefat e ndërrimeve personalisht i kishin marrë paratë, por sipas dëshmitarit, ka pasur raste kur edhe nga patrulla të cilët sipas tij kishin shkuar në vendet e lartcekura, kinse për të blerë cigare, i merrnin paratë, e pastaj ia kishin dërguar të akuzuarës Vasoviq. Më pas, kjo e fundit, paratë ua kishte ndarë policëve të tjerë.

“Po e vërtetë”, ishte përgjigja e dëshmitarit pas leximit të kësaj deklarate nga ana e prokurorit.

Ai tha se pasi kishte kuptuar për këtë punë të kundërligjshme kishte provuar që ta ndalojë, mirëpo e kishin transferuar nga një njësi në tjetrën.

“E kam parë që nëse do të vazhdoj kështu atëherë do të marrë një transfer edhe më lartë, kjo ka qenë arsyeja pse nuk e kam paraqit”, ka thënë dëshmitari.

Nastiq tha se ka punuar në vijën e gjelbër në Leposaviq, në grupe të ndryshme, udhëheqës të së cilëve sipas tij kishin qenë Dragan Radojeviq, Ana Vasoviq dhe Dragan Nikoliq.

Sipas tij, ka pasur njohuri se ka pasur kontrabandim të mallrave nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas dhe siç tha, në shumicën e rasteve mallrat kishin kaluar përmes rrugëve ilegale.

Ai ka thënë se sipas fjalëve që kishte dëgjuar, kontrabandimi i mallrave kishte ndodhur në bashkëpunim me policinë, por sipas dëshmitarit, ai asnjëherë nuk e kishte parë ndonjë polic duke bashkëpunuar me ndonjë kontrabandues.

Sipas tij, paratë e marra nga kontrabanduesit u ishin paguar shefave të ndërrimeve, të cilët ua kishin shpërndarë pastaj policëve të tjerë.

Në seancën e martës, ka dëshmuar edhe dëshmitari Baki Krasniqi, i cili gjatë periudhës 2016 – 2019 tha se kishte punuar në stacionin policor në Leposaviq në mbikëqyrjen e terrenit.

Ai deklaroi se kishte punuar pothuajse në të gjitha ndërrimet, ndërsa në vitin 2019 tha se kishte punuar në ndërrimin e Dragan Neshoviqit, zëvendës i të cilit kishte qenë i akuzuari Veroljub Dimitrijeviq.

Sipas dëshmitarit, me 27 prill 2019 kishte qenë në patrullë së bashku me kolegun e tij, Vladan Nishoviq, por i cili sipas dëshmitarit, i kishte thënë se Dragan Nishoviqin e kishte pasur të afërt.

“Në mëngjes ka ardhur një veturë e bardhë, e di që ka qenë regjistrim i Novo Pazarit, u nal pak ma larg prej nesh, dolëm me Vladanin, e dëgjova që i tha pseudonimin “Cec”, dhe unë nuk e njoha, kam dëgjuar kur i tha kolegut tim se kalova mirë, i tha që kalova me tre kamionë me kafshë, kolegu i tha nuk dijmë na kurgjo me atë punë”, ka thënë dëshmitari.

Prokurori e ka pyetur dëshmitarin për deklaratën që i njëjti e kishte dhënë në IPK, në të cilën kishte deklaruar se e kishte dëgjuar, kur personi me nofkën “Cec”, i kishte thënë kolegut të tij, se ishte marrë vesh me Alpinen (Veroljub Dimitrijeviq).

“Po, unë e njoftova udhëheqësin përmes telefonit për këtë dhe pasi më tha shkruam raport, i kam shkruar dhe ja kam dërguar”, ka thënë dëshmitari.

Ai tha se kishte dëgjuar prej të tjerëve se i akuzuari Dimitrijeviq kishte qenë i përfshirë në kontrabandim të mallrave.

Lidhur me të akuzuarit Vasoviq dhe Uskoviq, dëshmitari tha se kishte punuar me të dy, por tha se asnjëherë nuk kishte dalë në patrullë me ta.

I akuzuari Dimitrijeviq e pyeti dëshmitarin për një rast, në të cilin kishin qenë në patrullë së bashku me dëshmitarin dhe një polic tjetër me emrin Vladan kur kishin raportuar për një veturë e cila ilegalisht kishte hyrë në pjesën kufitare në Kushoticë.

Lidhur me këtë rast, dëshmitari tha se i kujtohet dhe sipas tij, ky rast kishte qenë i suksesshëm.

Sipas dëshmitarit, shefat e ndërrimit qëllimisht e kishin ndarë orarin e patrullimit që ai të mos ishte në zonën ku ishte zhvilluar aktiviteti kriminal.

“Janë disa pika ku nuk ka as linjë të telefonit, mua më kanë vendosur në këto pika, orarin e ka përgatitur shefat e ndërrimit”, ka thënë dëshmitari.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 16 qershor 2021, në ora 09:30.

Ndryshe, në këtë rast akuzoheshin edhe Aleksandër Dimitrijeviq dhe Darko Saviq, por pas dëgjimit të tyre në cilësi të dëshmitarëve bashkëpunues, për ta ishte veçuar procedura penale dhe me 15 mars 2021, të njëjtit ishin shpallur fajtorë dhe ishin dënuar me 1,000 euro gjobë për kontrabandim me migrantë, ndërsa ishin liruar për veprën penale “dhënia e ryshfetit”.

Sipas aktakuzës së ngritur më 23 prill 2020 nga PSRK-ja Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq akuzohen se nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, në bashkëpunim edhe me të pandehurit Rade Radosavljeviq, Milan Jovanoviq dhe Dragan Radojeviq, të cilët gjenden në arrati, duke vepruar si grup i organizuar, nën udhëheqjen e të pandehurit Rade Radosaljeviq, komandant i stacionit në SPMK Leposaviq, me dashje dhe me qëllim të përfitimit pasuror kishin marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit.

Sipas PSRK-së, të akuzuarit kishin lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshëm dhe atë si mallra ushqimor, transportin e drunjëve, barnave dhe derivateve nga Serbia për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, nëpërmjet rrugëve ilegale.

Prokuroria pretendon se tre të akuzuarit, derisa kanë qenë në detyrë zyrtare, duke mbikëqyrë rrugët e brezit kufitar në fshatrat Mure, Sharpel dhe Tresava, dhe duke bashkëpunuar edhe me të pandehurit Aleksandër Dimitrijeviq, Darko Saviq dhe persona të tjerë, si transportues të mallrave, ku nga të njëjtit për kalimin e automjeteve me mallra kanë pranuar shuma të ndryshme të parave, sipas tarifave të përcaktuara për çdo automjet dhe atë nga 20 euro për vetura të vogla, 30-50 euro për furgona dhe 100-150 euro për çdo kamion.

Sipas PSRK-së, një pjesë të këtyre parave ata e kanë marrë për vete, një pjesë e parave ka shkuar për udhëheqësin e grupit-komandantin e stacionit, tani të pandehurin Rade Radosavljeviq, ku kanë pas obligim që secili ndërrim të paguaj dhe atë në baza mujore shumën prej 700 euro, ndërsa pjesa tjetër është ndarë tek policët e ndërrimit, e që këtë shumë të parave e kanë marrë direkt nga ana e kontrabanduesve apo edhe në vende të caktuar ku ata janë udhëzuar që t’i lënë, si tek pompa e derivateve “Çekalic”, dyqani “Te Mira”, si dhe në veturën e tani të pandehurit Millan Jovanoviq-Llaki,

Me këtë rast, sipas aktakuzës, ata kanë përfituar shuma të konsiderueshme të parave dhe i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.

E akuzuara Ana Vasoviq-Baraq akuzohet se duke vepruar si anëtare e grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, saktësisht udhëheqëse e ndërrimit në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale, duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë si dhe me kontrabanduesit, në atë mënyrë që dhe pas komunikimit dhe marrëveshjes me ta ka dhënë udhëzimet për kohën dhe vendin ku duhet të kalojnë dhe nga ta ka pranuar shuma të ndryshme të parave, qoftë personalisht apo në vende të caktuara, ku një pjesë e ka mbajtur për vete dhe pjesën tjetër për komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit Rade Radosavjleviq.

I akuzuari Veroljub Dimitrijeviq akuzohet se duke vepruar si anëtarë i grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, polic patrullues në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë si dhe me kontrabanduesit, në atë mënyrë që ka zbatuar udhëzimet e shefave të ndërrimit dhe komandantit të stacionit dhe pas komunikimit me të njëjtët, i ka udhëzuar kontrabanduesit se në cilat vende dhe në çfarë kohe të kalojnë, ku nga ta ka marrë shuma të ndryshme të parave dhe një pjesë të shumës e ka mbajtur për vete, kurse pjesën tjetër e ka dorëzuar për udhëheqësit e ndërrimeve dhe komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit Rade Radosavljeviq.

I akuzuari Izet Uskoviq akuzohet se duke vepruar si anëtar i grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, zëvendës i udhëheqësit të ndërrimit në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë, e sidomos me të pandehurin Dragana Radojeviq, të cilin e ka pas epror ku ka zbatuar udhëzimet e tij dhe të komandantit të stacionit, duke udhëzuar kontrabanduesit se në cilat vende të kalojnë, duke marrë shuma të ndryshme të parave dhe duke shkuar në vende të caktuara për të mbledhë shumat e parave e të cilët kontrabandistët i kishin lënë dhe të njëjtat shuma i ka dorëzuar për udhëheqësin e ndërrimit dhe komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit, Rade Radosavljeviq.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”.

Sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq akuzoheshin se që nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, me qëllim të përfitimit material të kundërligjshëm kanë kontrabanduar mallra, dhe atë mallra ushqimorë, transportin e drunjëve, barnave dhe derivateve, nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, duke iu shmangur kontrollit doganor dhe tarifave doganore me rastin e importimit apo eksportimit të mallrave, në atë mënyrë që duke bashkëpunuar me tani të pandehurit Rade Radosavljeviq, Milan Jovanoviq, Ana Vasoviq Baraç, Izet Uskoviq dhe Dragan Radojeviq, në cilësinë e personave zyrtarë në Policinë e Kosovës në SPMK-Leposaviq, me ç’rast kanë përfituar shuma të konsiderueshme të parave dhe i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkonte të akuzuarit Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq se kanë kryer veprën penale “Kontrabandë me mallra”.

Sipas dispozitivit të tretë të kësaj aktakuze, Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq akuzoheshin se që nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, me qëllim të kalimit të mallrave kontrabandë nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, u kanë dhënë shuma të parave apo përfitim tjetër personave zyrtarë-policëve të SPMK në Leposaviq, në mënyrë që personat zyrtarë të veprojnë ose të mos veprojnë në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare, ku me të njëjtit janë dakorduar që me rastin e kalimit të mallrave të paguajnë shuma të parave sipas tarifave të përcaktuara për çdo automjet, dhe atë nga 20 euro për vetura të vogla, 30-50 euro për furgona dhe 100-150 për çdo kamion, që këto shuma të parave i kanë paguar tek zyrtarët policorë, por edhe i kanë lënë nëpër vende të caktuara si tek pompa e derivateve “Cekaliç”, dyqani “Te Mira”, si dhe në veturën e tani të pandehurit Millan Jovanoviq-Llaki, ku pas hetimit nga ana e policisë edhe janë arrestuar.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkonte të akuzuarit Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq se kanë kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”. /BetimipërDrejtësi