Dëshmitari thotë se viktima ishte goditur me thikë nga i dyshuari që gjendet në arrati, ndërsa i akuzuari e sulmoi me grushte e shqelma

Raporton: Doruntina MEHMETI

Mitrovicë- Dëshmitari Egzon Bajrami ka deklaruar se e kishte parë të dyshuarin Lundrim Beqiri, i cili gjendet ende në arrati, duke e sulmuar dhe goditur me thikë viktimën A.M, ndërsa shtoi se i akuzuari Ardit Zymeri e kishte goditur me shqelma dhe grushte tani të ndjerin.

Këtë deklarim, dëshmitari Bajrami e ka dhënë të mërkurrën në shqyrtimin gjyqësor në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ndaj të akuzuarit Ardit Zymeri, për vrasje në bashkëkryerje. Ndërsa, i dyshuari Lundrim Beqiri, i cili sipas aktit akuzues e kishte goditur me thikë viktimën A.M edhe më tutje gjendet në arrati, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së mërkurës të pranishëm ishin prokurori Naim Beka, i akuzuari Ardit Zymeri me mbrojtësin e tij, avokatin Gani Rexha, përfaqësuesi ligjor i familjes së viktimës, avokati Valon Mehmeti, si dhe dëshmitarët Egzon Bajrami dhe Artan Ademi.

Kurse, mungoi dëshmitari Florent Kamberi, për të cilin kryetari i trupit gjykues Veljko Vuqetiq, tha se në fletëkthesë është konstatuar se nuk banon në adresën e dhënë, ndërsa edhe përmes telefonit ka qenë i paqasshëm për gjykatën.

Dëshmitari Bajrami në lidhje me ngjarjet e natës kritike deklaroi se kishte qenë brenda një lokali-dyqani në afërsi të rrugës me dëshmitarët Florik Qitaku dhe Ali Muja, kur kishin dëgjuar disa zëra dhe kishin dalë jashtë lokalit, ndërsa e kishin parë të dyshuarin Lundrim Beqiri duke e sulmuar me thikë viktimën A.M në afërsi të veturës së të dyshuarit.

Ai shtoi se dëshmitari Florik Qitaku ishte afruar i pari tek vetura duke thënë se i njëjti është kërcënuar me thikë nga i dyshuari Beqiri, pasi ky i fundit i kishte thënë “mos u afro se ta prej fytin”.

Dëshmitari Bajrami shtoi se viktima A.M kishte qenë duke qëndruar në pjesën e prapme të veturës, ndërsa i akuzuari Zymeri kishte filluar ta sulmonte me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit.

Ai tha se e kishte shtyrë të ndjerin A.M prapa dhe i kishte dalë përpara të akuzuarit Zymeri.

“Pas kësaj u shku mbrapa tek karrigia e pasagjerit dhe ka fillu me kërku një armë që sigurisht e ka pasë në veturë, por pas kësaj ka hyrë në veturë edhe janë larguar të dy”, deklaroi dëshmitari Bajrami.

I pyetur nga prokurori Naim Beka, se çfarë kishte ndodhur me viktimën pasi të akuzuarit ishin larguar, dëshmitari tha se në ato momente e kanë parë se viktima A.M kishte plagë therëse në gjoks dhe në dorë, ndërsa menjëherë e kishin dërguar në spital.

Ai deklaroi se me të akuzuarit nuk kishin pasur asnjëherë probleme, ndërsa shtoi se i kishte njohur vetëm si figura.

Tutje, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Zymeri, avokatit Gani Rexha, se çfarë kishte qenë duke bërë i dyshuari Lundrim Beqiri përderisa i akuzuari e kishte sulmuar viktimën, dëshmitari Bajrami deklaroi se ai kishte qenë duke hyrë në veturë, pasi e kishte goditur me thikë tani të ndjerin.

Më pas, dëshmitari u pyet se përderisa i akuzuari Zymeri kishte kërkuar armën në veturë a ishte ndjerë i rrezikuar në ato momente, dëshmitari Bajrami pohoi një gjë të tillë pasi tha se kishte qenë i pari duke qëndruar përballë tij.

Shqyrtimi gjyqësor vijoi me dëgjimin e dëshmitarit të dytë Artan Ademi, i cili deklaroi se është familjar (mik) i të akuzuarit, ndërsa shtoi se të nesërmen e ditës kritike kishte kontaktuar me të njëjtin në telefon, duke e lutur që të dorëzohet në polici, pasi i kishte thënë se ai nuk kishte ndërmarrë kurrfarë veprimi ndaj tani të ndjerit A.M.

“Më ka thanë që Lundrimi e ka therë dikënd me thikë e ky veç ka qëllu në vend të ngjarjes, ndërsa më tha se nuk e njeh as viktimën”, tha dëshmitari Ademi.

Dëshmitari Ademi tha se i akuzuari i kishte thënë se vetëm kishte tentuar t’i ndajë, ndërsa në ato momente kishte pranuar grushte nga personat që ishin prezent.

Ai shtoi se i akuzuari Zymeri kishte qenë shumë i stresuar pasi nuk është përballur më herët me raste të tilla.

Meqenëse në seancën e sotme mungoi dëshmitari Florent Kamberi, shqyrtimi gjyqësor u ndërpre dhe seanca e radhës u caktua më 1 korrik 2022, ku edhe pritet të dëgjohet i njëjti.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 29 mars 2022 kishte ngritur aktakuzë ndaj Ardit Zymerit të cilin e akuzon se më 30 tetor 2021, në Mitrovicë në rrugën “Artim Jashari” së bashku me Lundrim Beqirin, i cili edhe më tutje gjendet në arrati, me dashje kanë privuar nga jeta A.M deri më tani për motive të panjohura.

Sipas aktakuzës, ngjarja kishte ndodhur në atë mënyrë që përderisa tani i ndjeri A.M së bashku me dëshmitarin Florent Kamberi ishin duke qëndruar në udhëkryqin e rrugës “Artim Jashari” dhe “Aziz Zhilivoda”, aty me veturë afrohen dy të pandehurit, dhe i pandehuri Lundrim i drejtohet atyre me fjalët “pse po na këqyrni”, ku pastaj Florenti i përgjigjet “kërkush nuk po të këqyr po vazhdo rrugën”.

Gjithmonë sipas aktit akuzues, i pandehuri Lundrim prapë u drejtohet me fjalët “ju nuk guxoni me më këqyr se unë jam Lundrim Beqiri dhe ja u q* robt” atëherë të pandehurit Lundrim Beqiri dhe Ardit Zymeri dalin nga vetura dhe i pandehuri Lundrim me thikë e godet të ndjerin A.M në gjoks dhe atë në zonën e zemrës me depërtim në mushkrinë e majtë si dhe në parabarkushën e majtë të zemrës me thellësi të plagës afër 6-7 cm, po ashtu viktimës i shkakton plagë prerëse shpuese në shpatullën e majtë me thellësi afër 4-5 cm.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Ardit kishte vazhduar ta godas tani të ndjerin A.M me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit ku pas reagimit të personave Ali Muja, Florik Qitaku dhe Egzon Bajrami, dy të pandehurit futen në veturë dhe me shpejtësi vihen në arrati.

Aktakuza thotë se tani i ndjeri A.M meqë kishte gjakderdhje të madhe nga gjoksi, fillimisht është dërguar në spitalin rajonal në Mitrovicë dhe për shkak të gjendjes së rëndë transferohet në QKUK në Prishtinë, ku i njëjti nuk arrin t’i mbijetojë plagëve dhe vdes.

Me këtë, të njëjtit sipas prokurorisë, kanë kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë