Dëshmitari thotë se tekniku i pyjeve s’mund të lëshojë fletë-përcjellje për transport të thëngjillit

Muharrem Basha
Author

Raporton: Avni BERISHA

Shtator 23, 2019

Prizren – Drejtori i Drejtoratit Qendror të Inspektoratit për Pyje dhe Gjueti, në kuadër të Agjencisë Pyjore të Kosovës, Besim Zogu ka deklaruar se nuk është kompetencë e teknikut të pyjeve që të lëshojë fletë-përcjelljen për thëngjill, si produkt i drurit.

Një deklaratë të tillë, ai e ka dhënë, të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren, ku ka vazhduar gjykimi ndaj ish-teknikut të pyjeve Muharrem Basha, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Basha, akuzohet se duke e shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, i ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i lejuar një qytetari transportimin e thëngjillit, me ç’rast atij i shkakton dobi, duke ia lejuar transportimin e papenguar të thëngjillit të dedikuar për treg, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së hënës, dëshmitari Besim Zogu, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores së rastit, Ervehe Gashi, ka deklaruar se nuk është në kompetencë të zyrtarëve të Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, dhënia e fletë-përcjellësve për thëngjill.

“Komunat kanë përgjegjësi të deleguara nga autoritetet qendrore sa i përket mbrojtjes së pyjeve, tenderimit dhe dhënies së lejeve-për pyjet private dhe fletë-përcjellësve, mirëpo në asnjë moment, asnjë zyrtar nuk ka të drejtë që përmes fletë-përcjellësve të legalizojë apo të lëshojë dokument për përcjelljen e thëngjillit si produkt i drurit”, ka deklaruar dëshmitari Zogu.

Ai ka thënë se fletë-përcjellësja është dokument zyrtar, i cili vlen vetëm për masën drurore.

“Kjo masë që transportohet duhet të jetë e damkosur, nëse sasia drurore është e asortuar, sipas udhëzimit administrativ duhet së paku 70 % të jetë e damkosur, ndërsa nëse masa drurore është teknike nën diametër 30 cm, secili trup duhet të ketë vulën në njërën anë, kurse në diametrat mbi 30 cm, në të dyja anët, dhe e njëjta vulë që është në masën drurore duhet të jetë edhe në fletë përcjellje”, ka thënë ai, duke shtuar se për thëngjillin jo që nuk vlen, por edhe teknikisht nuk mund të realizohet.

Dëshmitari Zogu, ka thënë se thëngjilli është produkt i drurit, mirëpo nxjerrja, transporti, deponimi dhe shitja e tij në Republikën e Kosovës, është në kompetencë të KEK-ut.

“Me sa di unë nuk ka të regjistruar asnjë subjekt tjetër fizik apo juridik përveç KEK-ut, e cila në kuadër të vetë ka një ndërmarrje që quhet “Kosova Thëngjill”, e cila merret me nxjerrjen, transportimin, deponimin dhe shitjen e thëngjilli”, ka deklaruar ai.

Ai ia ka dorëzuar trupit gjykues edhe një dokument zyrtar të lëshuar nga Komisioni për Miniera dhe Minerale, i cili i është dërguar të gjitha njësive policore, në të cilin kërkohet sekuestrimi i çdo ngarkese që haset në qarkullim për shitje të thëngjillit.

Kjo, sipas dëshmitarit Zogu, dëshmon se askush tjetër nuk ka të drejtë të bëjë nxjerrjen, transportin, deponimin dhe shitjen e thëngjillit, përveç “Kosova Thëngjillit”.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjen mbrojtësit të akuzuarit Basha, avokatit Bashkim Nevzati se ky dokument për çfarë lloj të thëngjillit bëhet fjalë, dëshmitari Zogaj, ka deklaruar se një dokument i tillë ka të bëjë me thëngjillin, i cili nxirret me gërmim për nevojat e termocentraleve, por dhe për thëngjillin e prodhuar nga djegia e drurit si proces antrapologjik.

Pas dëgjimit të dëshmitarit, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Nevzati, i ka propozuar trupit gjykues që për seancën e radhës në cilësinë e dëshmitarëve të ftohen Hasan Buzhala dhe Hamëz Kolgeci, të cilët kanë punuar në vendin e njëjtë të punës, sikurse i akuzuari Basha, e ku sipas tij, në këto rrethana do të dëshmojnë a janë lëshuar fletë-përcjelljet për thëngjill.

Trupi gjykues pasi që ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes, e ka ndërprerë seancën e së hënës dhe seancën e radhës e ka caktuar më 4 nëntor 2019, në ora 10:00.

Në seancën fillestare të mbajtur më 1 prill 2019, i akuzuari Basha është deklaruar i pafajshëm për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ngritur më 27 shkurt 2019, Muharrem Basha, akuzohet se më 13 korrik 2018, në cilësinë e personit zyrtar si teknik i pylltarisë, në Drejtorinë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural (DBPZHR), në Komunën e Suharekës, duke e shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare, i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër.

Sipas organit të akuzës, ai në kundërshtim me dispozitat ligjore që burojnë nga udhëzimi administrativ i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe Ligjit për Pyje të Kosovës, ai e pajisë qytetarin Shefket Aliaj me fletë-përcjellje dhe i lejon atij transportimin e thëngjillit, me ç’rast i shkakton dobi këtij qytetari duke e lejuar transportimin e papenguar të thëngjillit të dedikuar për treg.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi