Dëshmitari thotë se tatimi nuk iu shlye pavarësisht se ia dha 50 euro zyrtarit të komunës

gjilan gjykimi
Author

Raporton:Genta PAJAZITI

Korrik 19, 2021

Gjilan – Dëshmitari Ali Xhelili ka thënë se të akuzuarit Bekim Korçia ia kishte dhënë 50 euro për të nxjerrë vërtetimin për tatimin në pronë. Këtë shumë, ai ka thënë se ia kishte dhënë Korçës pasi i ishte thënë se kaq para mjaftojnë për të nxjerrë një dokument të tillë.

Megjithëkëtë, Xhelili ka thënë se e ka kuptuar se asnjë pagesë nuk është kryer në emrin e tij në komunë tek pasi i kishte dërguar ftesë policia.

Xhelili e ka dhënë këtë deklaratë të hënën në Gjykatën Themelore në Gjilan ku janë dëgjuar edhe Xhemile Krasniqi, Rrezart Mustafa dhe Edmon Murati, gjykimi në rastin në të cilin zyrtari i tatimit në komunën e Gjilanit, Bekim Koça, po akuzohet se ka kryer veprën penale “falsifikimi i dokumentit zyrtar”.

Ai po akuzohet se si person zyrtar, në vazhdimësi ka falsifikuar dokumente zyrtare, përkatësisht vërtetime mbi kryerjen e pjesshme ose të plotë të obligimeve tatimore, duke futur të dhëna të pavërteta, me qëllim që personat e caktuar t’i ikin pagesës së tatimit në pronë.

Dëshmitarja Xhemile Krasniqi dhe dëshmitari Rrezart Murati, kanë deklaruar se shërbimet për regjistrimin e automjeteve zakonisht ia kanë kryer kompania e sigurimit dhe se nuk janë marrë fare me to, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitarja Krasniqi tha se për të gjitha shërbimet dhe pagesat ka fatura.

Ndërsa dëshmitari Murati shtoi se agjenti i kompanisë së sigurimit i ka kryer të gjitha procedurat për regjistrimin e veturës së tij, duke përfshire dhe  sigurimin e vërtetimin e tatimin në pronë dhe se nuk është në dijeni për atë se  në atë vërtetim ka figuruar emri i  një gruaje  tjetër e që nuk është emri i nënës së tij.

Në këtë çështje penalo juridike është dëgjuar edhe dëshmia e agjentit të sigurimeve në  kompaninë e sigurimeve “Scardian”, Rrezart Mustafa.

Dëshmitari Mustafa, tha se bënë regjistrimin e automjeteve, dhe se në këtë rast ka kryer krejt procedurën e regjsitrimit të automjetit të Edmond Muratit, ku për të ka paguar vetëm taksën komunale në vlerë prej 10,05 euro, pasi që vërtetimin për tatimin në pronë e ka marrë nga Bekim Korça, por që unë nuk e kam ditur se emri i nënës së tij është i shënuar gabim dhe se pse aty ka figuruar emri e nënës dhe jo i babait të tij.

Pas mbarimit të dëshmisë së dëshmitarve, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Islam Thaçi, në mungesë të dëshmitarit Edmon Hasani, seancën e radhës e ka caktuar më 17 shtator  2021, me fillim nga ora 13:00.

Për seancën e ardhshme gjykatësi Thaçi tha se ndaj dëshmitari i lartcekur do të ftohet në mënyrë të rregullt.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 31 tetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj tashmë të akuzuarit Bekim Korça, me arsyetimin se ai si zyrtar i tatimit në pronë, në Komunën e Gjilanit, në vazhdimësi ka falsifikuar dokumente zyrtare-vërtetime mbi kryerjen e pjesshme ose të plotë të obligimeve tatimore, duke futur të dhëna të pavërteta me qëllim që t’i ikin pagesës së tatimit në pronë.

Sipas prokurorisë, i akuzuari më 8 gusht 2018, ka lëshuar vërtetim me nr. 17022, në emër të tatimpagueses Hixhrete Krasniqi, ku në rubrikën e ushtruesit të kërkesës ka vendosur emrin e Xhemlie Krasniqi për kundër që nuk ka kurrfarë lidhje me tatiminpaguesen.

Sipas aktit akuzues, Korça, më 18 janar 2019, ka lëshuar vërtetim me nr.1181, në emër të tatimpaguesit Ismail Ahmeti, ku në rubrikën e ushtruesit të kërkesës ka vendosur emrin e Ajet Ahmetit, përkundër që nuk ka kurrfarë lidhje me tatimpaguesin, ndërkaq më 21 janar 2019, ka lëshuar vërtetim me numër 1280, 2019.00880RO në emër të tatimpaguesit Adriatik Abdullahu, ku në rubrikën e ushtruesit të kërkesës ka vendosur emrin e Gazmend Abdullahu, përkundër që nuk ka kurrfarë lidhje me tatim paguesin.

Prokuroria pretendon se, i akuzuari më 21 janar 2019, ka lëshuar vërtetim me nr.1257, në emër të tatimpaguesit Mexhid Xhelili, ku në rubrikën e ushtruesit të kërkesës ka vendosur emrin e Ali Xhelili, për kundër që nuk ka kurrfarë lidhje me tatimpaguesin, ndërsa më 15 shkurt 2019, ka lëshuar vërtetim me nr.2879, në emër të tatimpaguesës Ajshe Murati, ku në rubrikën e ushtruesit të kërkesës ka vendosur emrin Edmond (Ajshe) Murati, përkundër që nuk ka lidhje me tatimpaguesin.

Gjithnjë sipas prokurorisë, më 15 shkurt 2019, Korça ka lëshuar vërtetim me nr.2905, në emër të tatimpaguesës Hyrije Bekteshi, ku në rubrikën e ushtruesit të kërkesës ka vendosur emrin e Avni (Hyrije) Bekteshi, përkundër që nuk ka kurrfarë lidhje me tatimpaguesin, e të cilat janë përdorë për regjistrimin e automjetit, në atë mënyrë që në vend që të lëshon vërtetim me përmbajtje të vërtetë, për personin konkret, i njëjti ka gjetur në sistem ndonjë person me mbiemër të njëjtë i cili nuk ka pasur obligime tatimore, dhe në të njëjtin vërtetim ka futur emrin e parashtruesit të kërkesës, e ka shtypur nga sistemi dhe të njëjtin vërtetim e ka nënshkruar, me qëllim të përdorimit të tij si dokument origjinal.

Me këtë, Bekim Korça akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “falsifikimi i dokumentit zyrtar”, nga neni 427, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2, 1.4 dhe 1.5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /Betimipërdrejtësi