Dëshmitari thotë se qasja në sistemin e tatimit në pronë mund të bëhej edhe jashtë rrjetit qeveritar e nga persona tjerë

Raporton: Driton NOCAJ

Pejë – Ish-zyrtari në Departamentin e Tatimit në Pronë në Ministrinë e Financave, Ermal Mehaj, ka sqaruar se qasja në sistemin e tatimit në pronë “Protax” mund të bëhej edhe jashtë rrjetit qeveritar.

Madje, sipas dëshmitarit kjo qasje mund të bëhej edhe nga persona tjerë, nëse të njëjtin kishin emrin e përdoruesit dhe fjalëkalimin e zyrtarit për tatim në pronë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Një deklarim të tillë dëshmitari Mehaj e dha në seancën e së hënës, të mbajtur në Gjykatën Themelore në Pejë, në rastin ku zyrtari i Komunës së Pejës, Haki Kartallozi, po akuzohet për fshirjen e pagesave tatimore të qytetarëve në sistemin “Protax”.

Ky i fundit ngarkohet se i ka shkaktuar dëm Komunës së Pejës në vlerë prej 18 mijë e 275 euro përmes shlyerjes së tatimeve.

“Kjo ka qenë e mundshme përmes userit dhe fjalëkalimit të zyrtarit. Për kohën kur kam qenë unë, qasja në sistem është mundësuar edhe jashtë rrjetit qeveritar deri në vitin 2021”, tha dëshmitari Mehaj.

Ai shtoi se për të hyrë në këtë sistem nevojitej vetëm përdoruesi dhe fjalëkalimi i zyrtarit për tatim në pronë.

“E vetmja mënyrë me ndërhy në sistemin “Protax” është që të ketë një username dhe pasword të zyrtarit për tatime dhe privilegjet përkatëse”, tha dëshmitari.

Ai shtoi se të dhënat e tatimit në pronë ruhen në dhomën serverëve në Ministrinë e Financave dhe me kërkesë të menaxhmetit të tij, asokohe kishin evidentuar IP-në në qasje nga përdoruesi i Makfieriete Limani, për të cilën IP, nuk e dinte se kujt i përkiste.

Në pyetjen e të pandehurit Haki Kartallozi, se a mundet dikush të shlyente tatimin në pronë përmes programit “Protax” nëse nuk ka qasje në këtë program, dëshmitari tha se për t’i bërë ndryshimet është e nevojshme që të ketë qasje në sistemin “Protax”.

Në këtë seancë, me kërkesën e mbrojtjes së të pandehurit, u dëgjua në cilësinë e dëshmitarit edhe zyrtari i IT-së në Komunën e Pejës, Labinot Dizdari.

Dizdari shtoi se kryente funksionin e koordinatorit të IT-së në Komunën e Pejës, mirëpo ai tha se nuk kishte qasje në sistemin “Protax” të zyrtarëve të Komunës, pasi sipas tij, kjo ishte në kompetencë të Ministrisë së Financave.

Ai shtoi se funksioni i tij ishte të ndihmonte zyrtarët të vënë përdoruesin startues, ndreqjen e kompjuterëve, mirëpo nuk kishte kompetencë dhe qasjen në sistemin “Protax”

Duke u përgjigjur në pyetjen e të pandehurit Kartallozi, dëshmitari Dizdari tha se asnjëherë nuk kishte punuar në kompjuterin e zyrtarëve të Komunës përderisa ata nuk gjendeshin në zyre.

“Kurrë s’ka ndodh me hy në zyrë kur s’është dikush me punu në kompjuter edhe pse ma kanë dhënë besimin”, tha dëshmitari.

Seanca e nesërme për këtë rast është anuluar për shkaqe shëndetësore të prokurorit Haxhi Sinanaj. Ajo e radhës u caktua të mbahet më 13 dhjetor 2021, në ora 14:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Haki Kartallozi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë me 6 muaj burg, më 2 dhjetor 2019. Mirëpo, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim më 15 tetor 2020.

Sipas aktakuzës së ngritur më 10 nëntor 2017 dhe të ndryshuar më 27 nëntor 2019, Haki Kartallozi akuzohet se nga fillimi i muajit qershor 2016 e në vazhdimësi deri më 18 tetor të atij viti, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, si person përgjegjës për komunitete në Komunën e Pejës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, ka tejkaluar autorizimet ligjore.

Sipas aktakuzës, përmes programit “Free Keylogger”, program ky i cili shërben për vjedhjen e fjalëkalimeve, merr fjalëkalimin e zyrtarit Gani Toska dhe po ashtu me kompjuterin e tij personal, përmes programit “Protaks”, hyn në sistem kompjuterit të zyrtares për tatim në pronë, Makfirjete Limani dhe arrin t’i shlyejë obligimet tatimore të dëshmitarëve Jahja Kelmendi, Enver Avdyli, Arben Kelmendi, Naser Belegu, Vesel Morina, Rakibe Kelmendi, Atdhe Kelmendi dhe Valdet Berisha.

Aktakuza e ngarkon se me këto veprime i kishte shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Pejës në shumë prej 18 mijë e 275.98 euro.

Kurse, në aktakuzë thuhet se në fillim të muajit qershor 2016, nga dëshmitari Besim Gashi kishte marrë shumën e të hollave prej 170 euro për të shlyer obligimin e tij tatimor.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer vepër penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së, për të cilin parashihet dënimi prej 6 muaj deri në 5 vite burgim. BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë