Dëshmitari thotë se prona që Komuna e Pejës ia dha në shfrytëzim Rrustem Berishës ishte private

72112358_420286042024704_6554361582527184896_n
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Tetor 10, 2019

Pejë – Dëshmitari Gani Kelmendi, ka deklaruar se prona të cilën Komuna e Pejës, ia kishte dhënë në shfrytëzim Rrustem Berishës, aktualisht ministër në detyrë i Mbrojtjes, ka qenë private.

Ky dëshmitar është dëgjuar në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Pejë, në rastin ku Ibrahim Fazliu e ka paditur Rrustem Berishën dhe Komunën e Pejës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paditësi Fazliu pretendon se në mënyrë kundërligjore i është marrë e drejta e pronës në Pejë  me sipërfaqe prej mbi katër ari dhe i është bartur ish-komandantit të UÇK-së, Rrustem Berisha.

Ai pretendon se Komuna e Pejës, pa bazë juridike ka lëshuar vendimin me të cilin ia ka dhënë të drejtën e shfrytëzimit të përhershëm të paditurit Rrustem Berisha.

Në padi thuhet se më 12 nëntor të vitit 1999, dhënësi i tokës, Kuvendi Komunal i Pejës, i cili ka qenë i përfaqësuar nga kryetari Et’hem Çeku, kishte lidhur kontratë me tani të paditurin Berisha, për dhënien në shfrytëzim të tokës ndërtimore.

Lidhur me këtë rast, dëshmitari Gani Kelmendi, në seancën e së enjtes ka thënë se kjo pronë, të cilën e kishte përkthyer, kishte qenë private dhe jo publike.

Dëshmitari Kelmendi, që me profesion është avokat, ka thënë se para luftës së fundit në Kosovë, me kërkesën e paditësit Ibrahim Fazliu kishte bërë rregullimin e dokumenteve të dy pronave, për të cilat paditësi thotë se i kishte blerë nga një qytetare e komunitetit serb dhe disa persona tjerë.

Kelmendi ka thënë se pronat të cilat i kishte blerë paditësi kishin qenë prona private të serbëve, pasi sipas tij, ai këtë e kishe parë edhe në fletat poseduese tek shërbimi kadastral në Komunën e Pejës.

“Unë kam shkuar në shërbimin kadastral kam nxjerrë fletën poseduese dhe kopjen e planit për të dy pronat të cilit ishin të pronarëve serbë dhe më pas shitësit kanë qenë prezent në zyrën time dhe i kam pyetur se a e shesin pronën me vullnet të lirë. Ata kanë thënë se po”, ka thënë dëshmitari Kelmendi.

Ai ka shtuar se pasi kishte siguruar pëlqimin e palëve, për blerjen e pronës ai kishte shkuar në Beograd për të bërë përkthimin e pronave për t’i transferuar ato në emër të paditësit.

Mirëpo, sipas dëshmitarit Kelmendi, Ministria e Financave në Serbi, kishte lejuar të përkthehet në emër të paditësit vetëm njëra pronë dhe jo edhe prona e dytë, pasi siç ka thënë ai, nuk e kishte lejuar që një person t’i ketë dy prona.

Duke u gjetur në këtë situatë, dëshmitari ka thënë se përkthimin e pronës së dytë të blerë nga paditësi e kishte bërë në rrugë gjyqësore trashëgimore, përmes pëlqimit edhe të shitësve serbë.

“Shitëses i nevojiteshin paratë dhe unë i thash shitëses se këtë mund të bëjmë në rrugë të trashëgimisë. Ajo ka pranuar dhe shitblerjen e pllacit të dytë e kemi bërë përmes rrugës së trashëgimisë pasi nuk kishte kontestuese mes palëve”, ka thënë Kelmendi.

Ai ka deklaruar se ishte dëshmitar okular kur paditësi Ibrahim Fazliu u kishte dhënë shitësve serbë paratë prej 250 mijë marka për dy pronat dhe e njëjta ishte e incizuar me kamerë, si dhe sipas tij, ishte bërë në prezencë të shumë dëshmitarëve.

Në pyetjen e përfaqësueses të të paditurit të parë, Rrustem Berisha, avokates Qendresa Lajqi se a i kishte njoftuar ai trashëgimtarët e shitëses për shitjen e parcelës së dytë, dëshmitari  ka thënë se i kishte njoftuar edhe trashëgimtarët të tjerë dhe se sipas tij, për këtë gjë i kanë marrë 250 mijë marka.

Dëshmitari Kelmendi ka shtuar se në aktvendimin mbi trashëgimi nuk ishin përfshirë edhe trashëgimtarët e tjerë, sepse në fletëposeduese ishte vetëm një shitëse si pronare.

Në seancën e së enjtes është dëgjuar edhe dëshmitari i dytë, Murteza Mertaj, i cili shkurtimisht ka thënë se ai ka qenë prezent kur paditësi Falizu ia kishte dhënë paratë shitësve të pronave,  dhe ajo shumë sipas tij, ishte mbi 200 mijë marka.

Në këtë seancë, gjykatësja Afërdita Mulhaxha e ka refuzuar kundërpadinë e të paditurit Rrustem Berisha, i cili ka kërkuar që të anulohet aktvendimi mbi trashëgiminë në bazë të së cilës, vëllai i paditësit, Hysen Fazliu e kishte fituar të drejtën e pronësisë.

Seanca e radhës është caktuar më 24 dhjetor 2019, nga ora 11:00.

Ndryshe, paditësi Ibrahim Fazliu, po pretendon se kundërligjshëm i është marrë e drejta e shfrytëzimit të pronës në Pejë, me sipërfaqe prej mbi katër ari dhe i është bartur ish-komandantit të UÇK-së, Rrustem Berisha, njëherësh ministër në detyrë i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës.

Sipas tij, Kuvendi Komunal i Pejës, më 12 nëntor të vitit 1999, kishte marr vendim që këtë pronë t’ia jep në shfrytëzim të përhershëm Berishës.

Në atë kohë, kryetar i Kuvendit Komunal në Pejë, ka qenë dikur bashkëpartiaku i Rrustem Berishës, ish-ministri i Energjisë dhe Minierave, Et’hem Çeku.

Me pretendimet se padrejtësisht dhe në mënyrë të kundërligjshme i është mohuar e drejta e shfrytëzimit të pronës, fillimisht Hysen Fazliu e pastaj vëllai i tij, Ibrahim Fazliu, kishin ushtruar padi në Gjykatën e Pejës.

Pasi Hysen Fazliu, që nga komuna ishte regjistruar si pronar i pronës me vendim mbi trashëgiminë, këtë pronë ia kishte falur vëllait të tij, Ibrahim Fazliu, i cili gjithashtu e kishte vazhduar “betejën” në gjykatë, me pretendimet se prona është e tij.

Që nga atëherë, ky rast është kthyer dy herë në rishqyrtim, pasi që Gjykata e Pejës e kishte refuzuar si të pabazuar padinë, por që më pas Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë.

Ibarhim Fazliu, më 11 nëntor të vitit 2011, ka ushtruar padi ndaj Rrustem Berishës, si i paditur i parë, si dhe Komunës së Pejës, si e paditur e dytë.

Paditësi Fazliu, pretendon se është pronar i ngastrës kadastrale nr.5390/23, në Pejë.

Sipas tij, deri te fitimi i pronësisë në këtë pronë kontestuese ka ardhur në bazë të kontratës për faljen e paluajtshmërisë të lidhur mes tij dhe vëllait, Hysen Fazliu.

Kurse, sipas padisë, vëllai i tij, këtë paluajtshmëri e kishte fituar sipas aktvendimit të trashëgimisë të së ndjerës, Radosllava Obradoviq.

Edhe pse paditësi në bazë të fletës poseduese figuron pronar juridik, ai sipas padisë, nuk është në posedim të pronës kontestuese.

Ai pretendon se Komuna e Pejës, pa bazë juridike ka lëshuar vendimin me të cilin ia ka dhënë të drejtën e shfrytëzimit të përhershëm të paditurit Rrustem Berisha.

Më 12 nëntor të vitit 1999, dhënësi i tokës, Këshilli Komunal i Pejës, i cili ka qenë i përfaqësuar nga kryetari Et’hem Çeku kishte lidhur kontratë me tani të paditurin Rrustem Berisha, për dhënien në shfrytëzim të tokës ndërtimore.

Sipas padisë, në rastin konkret kemi të bëjmë me pasuri private, e cila si e tillë në asnjë mënyrë, nuk ka mundur të jepet në shfrytëzim nga Komuna e Pejës për të paditurin e parë, Rrustem Berisha

Historiku procedural i çështjes civile

Për këtë çështje juridiko-civile, padia e parë ndaj të paditurve të njëjtë, është ushtruar në vitin 2000, për të njëjtën bazë juridike, nga Hysen Fazliu, vëllai i tani paditësit, Ibrahim Fazliu.

Sa i përket kësaj kërkese, dy herë është vendosur nga gjykatat në nivel të shkallës së parë dhe të dytë.

Lidhur me padinë e parë, më 19 shtator 2001, ish-Gjykata Komunale në Pejë, nxori aktvendim me të cilin e kishte aprovuar propozimin e të paditurit Rrustem Berisha, për ndërprerjen e procedurës kontestimore.

Ndër të tjera, ish-Gjykata Komunale, ndërprerjen e procedurës e kishte arsyetuar për faktin se mes palëve ndërgjyqëse ishte paraqitur si kontestues, vlefshmëria e aktit të trashëgimisë  dhe për këtë çështje vendoset në procedurë jokontestimore.

Kundër këtij aktvendimi, për ndërprerjen e procedurës kontestimore, kishte paraqitur ankesë nga paditësi, e cila ishte aprovuar nga ish-Gjykata e Qarkut.

Vendimi tjetër i radhës, në të cilën gjykata kishte vlerësuar themelësinë e kërkesëpadisë, ishte më 9 maj 2002, me të cilin aktgjykim ishte refuzuar kërkesëpadia e paditësit Hysen Fazliu, me të cilin kërkonte të vërtetohet se është pronar i patundshmërisë nr.5390/23.

Ish-Gjykata Komunale në Pejë, me vendim e saj, paditësit nuk ia kishte njohur të drejtën e pronësisë në bazë aktvendimit mbi trashëgimi, ngase, sipas gjykatës, ky vendim nuk i plotëson as për së afërmi formën e paraparë procedurale për shqyrtimin e trashëgimisë.

Sipas Gjykatës, vendimi mbi trashëgiminë në bazë të cilit paditësi Hysen Fazliu, evidentohej si pronar, ishte në kundërshtim më Ligjin mbi Trashëgiminë.

Ky aktgjykim, ishte atakuar me ankesë nga paditësi, ku për shkak të vlerësimit jo të plotë dhe të gabuar të gjendjes faktike dhe shkelje të dispozitave procedurale, ka propozuar që shkalla e dytë aktgjykimin e atakuar ta ndryshoj apo anulojë  dhe ta kthej në rishqyrtim.

Ish-Gjykata e Qarkut në Pejë, me aktvendimin e saj më 11 janar 2006 , gjeti se ankesa e paditësit ishte e bazuar, duke e prishur aktgjykimin e shkallës së parë, duke e kthyer në rishqyrtim.

Gjykata Themelore në Pejë më 2 korrik 2017, kishte marr aktvendim, me të cilën kishte hedhur poshtë padinë e paditësit Ibrahim Fazliu si të parregullt .

Sipas gjykatës së shkallës së parë, paditësi Fazliu kishte dhënë adresë e të paditurit të parë, por sipas fletëkthesës së kthyer kishte rezultuar nga postierit se “pala jeton në Prishtinë”.

Në bazë të kësaj, Gjykata merr vendim, ku ia kthen padinë paditësit Fazliu për korrigjim, duke e detyruar që në afat prej tre ditësh, të potencojë adresën e saktë të paditurit Rrustem Berisha.

Kurse, paditësi, sipas Gjykatës, si adresë të vendbanimit, prapë, kishte paraqitur adresën e parë , të cilën e kishte theksuar në padi.

Si pasojë e kësaj, Gjykata kishte hedhur padinë.

Kundër këtij aktvendimi, është ushtruar ankesë nga paditësi, ku Gjykata e Apelit, më 13 korrik 2017, kishte prishur vendimin e shkallës së parë, duke e kthyer në rishqyrtim.

Gjykata e Apelit ka theksuar se gjykata e shkallës së parë, pas dorëzimit të parashtresës për plotësim të padisë, nuk ka provuar që të njëjtën t’ia dorëzojë të paditurit Rrustem Berisha, pavarësisht, së është prezantuar adresa e njëjtë. /BetimipërDrejtësi