Dëshmitari thotë se persona të ndryshëm kanë marr pjesë në vrasje gjatë vitit 1999, në lagjen “Kristal” në Pejë

unnamed
Author

Raporton: Egzon HALILI

Janar 20, 2020

Prishtinë – Në procesin gjyqësor ku Zoran Gjokiq po akuzohet se në mars të vitit 1999, kishte kryer krime lufte ndaj popullsisë civile, të hënën, ka vazhduar me dhënien e dëshmisë, dëshmitari Shaban Kaliqani.

Ndryshe, Kaliqani, në seancën e mbajtur më 19 dhjetor 2019, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka rrëfyer mënyrën se si ishin vrarë më 29 mars 1999, tani të ndjerët Hilmi e Skender Zeqiraj, Bashkim Berisha dhe Riza Mamaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Kaliqani, ka deklaruar se tani i ndjeri Hilmi Zeqiraj, ishte vrarë para syve të tij, brenda shtëpisë, i cili ishte goditur me një plumb, ndërsa jashtë oborrit kishin qenë gruaja dhe fëmijët e tij.

Duke u përgjigjur në pyetjen e avokatit Kujtim Kërveshi, ky dëshmitar ka thënë se një person e ka vrarë Hilmi Zeqirajn, ndërsa një person tjetër e ka vrarë Skender Zeqiraj dhe Bashkim Berisha.

Më pas, Kaliqani tregoi edhe për mënyrën se si i kishin larguar nga shtëpia e familjes Zeqiraj, duke thënë se kur kishte dal në rrugë, një person me uniformë ushtarake e kishte ndalur dhe e kishte kapur për fyti dhe kishte bërtitur më zë të lartë duke thënë “çka me bo me ta, personi i cili kishte qenë në oborr, i ishte përgjigjur “lëshoji se kanë dhënë diçka”.

I pyetur nga avokati Kërveshi, ai që ishte brenda në oborr cili ishte, Kaliqani ka thënë se e kishte fjalën për personin me mbiemrin Miniq, për të cilin ka thënë se edhe ishte ai person që kishte vrarë tani të ndjerin Hilmi Zeqiraj, i cili sipas sjelljeve dukej se kishte një rol autoritativ.

I pyetur se ku kishte dëgjuar për herë të parë me emrin Nebojsha Miniq, Kaliqani ka thënë se për herë të parë për të kishte dëgjuar gjatë dhënies së deklaratës  në Këshillin për Lirinë dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (KLMDNJ).

“Në KLMDNJ, kur e kam dhënë dëshminë tek i ndjeri Tahir Demaj në bazë të atij që kam identifiku Zorani qysh kanë thana ata, ai ma ka përmend edhe Miniqin”.

Më pas, i pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Zoran Gjokiq, avokati Lubomir Pantoviq, nëse personi të cilin e kishte parë më 1999 dhe që e kishte identifikuar përmes fotografisë në Polici, a është tani i njëjti person i cili është i akuzuar.

Kaliqiani ka deklaruar se atë ditë fotografia ka qenë gjysmë trupi, në bazë të saj e kishte identifikuar dhe i kishin thënë se është Zoran Gjukiq, mirëpo pasi që kanë kaluar 20 vite ka thënë se nuk mund të thotë asgjë sigurt.

Po ashtu, gjatë kësaj seance dëshminë e tij e ka dhënë edhe dëshmitari Murat Xhemajli, i cili ka treguar mënyrën se si ishte keqtrajtuar nga forcat serbe dhe se si i kishin kërkuar para dhe më pas mënyrën se si një nga ushtarët serb ia kishte kthyer paratë.

“Kam qenë më 29.03.1999 në shtëpi ditë e hëne ka qenë, jam kanë tu nejt, meqenëse ka qenë Bajram, dita e dytë. Fëmijët e mi kanë dal, edhe kur jam dal prej shtëpisë me dal me i lyp, ata kanë ikë, se kanë filluar krismat, kur jam kthye nga kërkimi që ia bana fëmijëve të mi, para shtëpisë së Valbones, e kam takuar ofensivën dhe ku me thanë një ushtar kryesor “Llezhi’ bjer poshtë me tha, aty me ka shtri për toke dhe me ka kërkua paratë, më pas jam çu në këmbë dhe kem shku te shtëpia ime i ka ra derës shkelm dhe me pyeti a e ki najkon në shtëpi dhe mu kthy mu, i ka thanë një ushtari merrja paret, ndërkohë qe unë ia ofrova paret këtij ushtari, ai ndërkohë nuk mi morri paret dhe me tha se te duhen dhe këtë ma ka than ne shqip”, ka deklaruar ai.

I pyetur nëse ka dëgjuar ndonjëherë se kush kanë qenë personat të cilët e kanë keqtrajtuar, i njëjti ka thënë se nuk i kishte njohur më parë.

Xhemajli më pas ka thënë se lidhur me vrasjen e tani të ndjerëve të lartpërmendur kishte kuptuar kur ishte kthyer nga Shqipëria më 30 qershor 1999.

Pas dhënies së dëshmisë nga dëshmitarët, kryetari i trupit gjykues Arben Hoti ka ndërprere shqyrtimin gjyqësor, ndërsa i radhës është caktuar më 21 shkurt 2020, në ora 09:30.

Gjykatësi Hoti ka njoftuar se për seancën e radhës do të ftohen dëshmitarët Fatmir Shala dhe Bernandika Marku.

Sipas aktakuzës së ngritur më 31 maj 2019, i pandehuri Zoran Gjokiq, akuzohet se gjatë muajit mars – prill të vitit 1999, në lagjen “Kristal” të Pejës, duke bashkëvepruar me një grup të organizuar kriminal, të veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake ka shkaktuar vuajte të mëdha apo cenim i integritetit trupor ose i shëndetit, aplikim i masave të frikësimit, ndaj popullatës së pambrojtur civile, vrasje, plaçkitja e një qyteti ose vendi, urdhërimi për zhvendosjen e popullsisë civile ose ndaj individëve të veçantë civilë që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në konflikt.

Këtë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që duke bashkëvepruar me personat deri më tani të paidentifikuar, ka shkuar në lagjen e lartcekur dhe kanë hyrë dhunshëm nëpër shtëpitë e qytetarëve shqiptarë, i kanë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, i kanë maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, ashtu që me të arritur te shtëpia e Hilmi Zeqiraj, tanimë i ndjerë, i pandehuri me personat e paidentifikuar kishin hyrë dhunshëm në shtëpi e tani të ndjerit dhe derisa i njëjti  kishte qenë në shtëpi, së bashku me familjen e tij dhe vëllait të tij, Skenderit, tani i ndjerë, dhe me familjen e të dëmtuarit Shaban Kaliqani, serbët kishin detyruar familjarët të largohen nga shtëpitë e tyre.

Akti akuzues thotë se fillimisht e kishin rrahur të dëmtuarin Kaliqani, pastaj i kishin maltretuar tani të ndjerët e lartcekur, i kanë plaçkitur, detyruar t’ua dorëzojnë të gjitha të hollat që i kishin ata dhe familjet e tyre, duke ia marrë arin e familjes, pastaj në oborrin e kësaj shtëpie fillimisht e rrahin përsëri të dëmtuarin Kaliqani, në atë mënyrë që e godasin në fytyrë dhe ia thyejnë dhëmbët. Ndërsa, thuhet se të dëmtuarin Skender e detyrojnë të shkojë për të siguruar të holla, e në ndërkohë e vrasin Hilmi Zeqiraj dhe me të arritur Skender Zeqiraj e sheh vëllain e vrarë, në gjendje të keqe, fillon të bërtas dhe detyrohet t’ua dorëzojë 1000 marka dhe më pas i detyrojnë të largohen nga shtëpia ku ishin.

Pasi dalin jashtë shtëpisë, sipas aktit akuzues, Skenderi e Shabani takojnë Bashkim Berishën, tanimë i ndjerë, të cilin paramilitarët serb e kishin detyruar të largohet nga shtëpia, me të arritur te dera e Asllan Mulës, përafërsisht 70 metra nga ku u vra Hilmiu, i kanë ndarë nga kolona e qytetarëve shqiptarë të cilët i kishin larguar dhunshëm nga shtëpitë e tyre.

Tutje, thuhet se i pandehuri Zoran Gjokiq, i ka ndaluar që të tretë, Skenderin, Bashkimin e Shabanin, duke i detyruar të kthehen me fytyre nga ai, me tu afruar që të tretë një metër përpara tij, iu kishte drejtuar  Skenderit e Bashkimi “ju dy hyni brenda” në oborrin e Asllan Mulës.

Sipas aktakuzës, Skenderin e Bashkimin i kishte futur brenda në oborr 4 -5 metra, pastaj me kallashnikovë ka gjuajtur në drejtim të tyre, duke i lënë të dytë të vdekur. Në aktakuzë thuhet se ai i është drejtuar Shabanit me fjalët “ngaj çka po pret”, e atëherë i dëmtuari Shaban duke vepruar sipas urdhrit të pandehurit arrin të largohet, rrugës takon Riza Mamaj, tanimë i ndjerë, i cili ishte me një karrocë në dorë, të cilën paramilitarët e pyesin se ku ishte nisur, derisa i njëjti u tregon, vazhdon rrugën me karrocë për në shtëpinë e kushëririt, të njëjtin e gjuan me armë në gjoks dhe rrëzohet mbi karrocë dhe vdes, pastaj Shabani vazhdon rrugën dhe vendoset fillimisht në shtëpinë e babait të tij për tu larguar të nesërmen për në Mal të Zi.

Me këtë, i akuzuari pretendohet se ka kryer veprat penale, Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të konventave të Gjenevës, që ndiqet sipas nenit 152, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës dhe nenit 142 të Kodit Penal të RSFJ-së, Krimet e luftës në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar, që ndiqen sipas nenit 153, paragrafi 1, nën paragrafët, 2.1,2.2,2.5,2.8,2.13 dhe 2.15 dhe nenit 3 të KPK-së. /BetimipërDrejtësi