Dëshmitari thotë se nuk ndjehet mirë që gruaja e “Sandokanit” akuzohet për korrupsion

IMG-9609
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Janar 11, 2021

Prishtinë – Dëshmitari Xhemajl Kuka ka thënë se nuk ndihet mirë që ish-ushtruesja e detyrës së drejtorit në DIFDL të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Sanije Rexha është duke u akuzuar për korrupsion.

Ai këtë deklaratë e ka dhënë në seancën e mbajtur të hënën në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku bashkë me Rexhën po akuzohet edhe zyrtari tjetër i MPMS-së, Kushtrim Bala, të cilët po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ushtrim ndikimi.

Ata akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, se në cilësinë e personave zyrtarë, u kanë mundësuar qytetarëve të Shqipërisë që në mënyrë të kundërligjshme të fitojnë statusin e veteranëve të luftës, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën prej 133.280.00 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk ndjehem mirë për këtë burrneshë që ndodhet këtu që ka kontribuar në çlirimin e Kosovës”, ka thënë dëshmitari Xhemajl Kuka para se i njëjti të fillojë dëshminë e tij.

Ai duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Dren Paca ka thënë se kishte qenë pjesëtar i luftës çlirimtare të Kosovës në logjistikë, edhe pse është shtetas i Republikës së Shqipërisë, për të cilin kontribut ka deklaruar se e merr edhe pensionin e veteranit të luftës, për të cilin tha se kishte aplikuar në Prishtinë.

Ai ka thënë se dy të akuzuarit i njeh me rastin e dorëzimit të dokumenteve për aplikim të statusit të veteranit të UCK-së, me të cilët tha se nuk kishte pasur asnjëherë raporte të tjera.

Në pyetjen e prokurorit Paca se pse nuk kishte aplikuar dëshmitari për status të veteranit në fshatin Krumë të Republikës së Shqipërisë, prej edhe nga vinte, dëshmitari ka thënë se nuk i kujtohet nëse kishte pasur zyre për aplikim në këtë fshat dhe sipas tij ai asnjëherë nuk e kishte parë dëshmitaren në fshatin Krumë.

“Sjella e Sanijes ka qenë shembullore, ajo nuk ka kërkuar asnjë shërbim për me mu njoftë e drejta e veteranit”, ka thënë në fund dëshmitari.

Në seancën e së hënës është dëgjuar edhe dëshmitari Xhelil Sokoli i cili ka thënë se me 13 shkurt 2018, nga Republika e Shqipërisë kishte shkuar në MPMS në Prishtinë për të marrë një vërtetim punësimi për personin me emër Shyhrete Bokqiu.

Ai tha se një kushëri i tij me emrin Yll Sokoli i kishte kërkuar që t’ia dërgojë vërtetimin e punësimit për pension të Bokqiut pasi sipas tij, ajo kishte aplikuar më herët, por i kishin kërkuar edhe këtë vërtetim.

“Shyhrete Bokqiu është në moshë të shtyrë, kjo ka qenë pjesëmarrëse në luftën e UÇK-së, ka qenë me logjistiken, dhe mesa e di nuk ka pësuar ndonjë lëndim gjatë luftës”, ka thënë dëshmitari.

Por sipas dëshmitarit, pas 20 minutash pasi e kishte dorëzuar vërtetimin, kishin ardhur dy persona civil dhe i kishin kërkuar që të jap deklaratë në polici, të cilën deklaratë e pranoi se e kishte nënshkruar.

Prokurori special Dren Paca e ballafaqoi dëshmitarin me këtë deklaratë, në të cilën kishte thënë se kishte shkuar në MPMS-së, që të interesohej për aplikacionin e Shyhrete Bokqiun e cila kishte aplikuar për njohjen e statusit të veteranit të UCK-së, pasi të njëjtën sipas tij nuk i kishte dalë pensioni i veteranit.

“Unë nuk kam deklaruar ashtu, unë e kam dërgu letrën pasi kushëriri im në Angli, Yll Sokoli ma ka kërkuar, unë nuk e kam lexu deklaratën pasi nuk shoh edhe pse e pranova se nënshkrimi është i imi”, ka thënë dëshmitari.

Prokurori Paca e pyeti dëshmitarin edhe në lidhje me dy dokumente të cilat policia kishin deklaruar se të njëjtat dëshmitari i kishte dorëzuar në MPMS-së bashkë më vërtetimin për punësim të Bokqiut.

Por sipas dëshmitarit ai këto dy dokumente nuk i kishte parë asnjëherë dhe se ai e kishte dorëzuar vetëm vërtetimin.

“Përveç vërtetimit unë asnjo se kam pasur, policia i kanë shkru vet, jam i gatshëm të ballafaqohem edhe me polici”, ka thënë dëshmitari.

Ai tha se të akuzuarën Rexha e kishte parë në luftë dhe kur ishte paraqitur në MPMS-së, ndërsa tha se e njeh edhe burrin e saj “Sandokanin” të cilin tha se e kishte pasur mik, ndërsa të akuzuarin Bala tha se e kishte parë shumë herë, por nuk kishte kontaktuar me të.

Në seancën e së hënës është dëgjuar edhe drejtori i Auditimit të Brendshëm në MPMS, Ruhan Kadriu, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit së të akuzuarës Rexha, avokatit Tahir Rrecaj, ka thënë se kishte kryer auditimet në Departamentin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës (DFDIL).

Ai tha se kishin bërë auditimin e këtij departamenti në vitin 2019, ndërsa për tetorin e vitit 2017, për të cilin periudhë po bëhet pjesë edhe në këtë aktakuzë, dëshmitari tha se nuk ishte i sigurtë nuk ishte bërë auditim në vitin 2017.

Sipas tij, gjatë auditimit kishin vërejtur lëndë pa leje të njoftimit valide, apo pa vërtetimin të punësimit, por tha se nuk kishin hasur në asnjë lëndë që nuk kishte pasur vërtetim-certifikatë të lëshuar nga zyra e kryeministrit.

Ai ka thënë se aplikacioni duhet të plotësohet nga aplikuesi, por në udhëzim administrativ ishte paraparë që zyrtari i MPMS-së mund ta ndihmojë aplikuesin për plotësimin e këtij formulari.

Sipas tij, ai nuk e di nëse e akuzuara Rexha kishte pasur të drejtë të marrë aplikacion nga zyrtari përgjegjës dhe të shkojë në teren te personi i caktuar për mundësimin e plotësimit të aplikimit.

“Nuk kam siguri të mjaftueshme që ligji që e rregullon këtë çështje e thotë se duhet me shku me bo aplikimin diku tjetër, përshkrimi i vendit të punës nëse e lejon, njësia e monitorimit dhe kontrollit ka të drejtë në kontroll të kësaj skeme kudo që paguhen paratë e MPMS-së, brenda apo jashtë vendit.”, ka thënë dëshmitari.

Por pasi i njëjti nuk ishte në dijeni nëse ishte kryer auditimi në vitin 2017, ai do të vazhdojë dëshminë e tij edhe në seancën e radhës e cila pritet të mbahet me 12 janar 2021, në ora 09:30.

Sipas aktakuzës së ngritur më 16 dhjetor 2019, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e pandehura Sanije Rexha akuzohet se në cilësi të personit zyrtar, udhëheqëse e Divizionit për Kontroll të Brendshëm dhe të Jashtëm në DIFDL të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëveprim me të akuzuarin Kushtrim Bala, gjatë muajit tetor të vitit 2017, kanë tejkaluar autorizimet zyrtare.

Siç thuhet në aktakuzë, të njëjtit, pa autorizim kishin marrë 31 formular për aplikim për njohjen e të drejtës së veteranit të luftës dhe kanë shkuar në Republikën e Shqipërisë, në qytetin e Krumës, ku i kanë plotësuar 31 formularët për aplikim për persona të ndryshëm nga Republika e Shqipërisë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, formularët e plotësuar i kanë sjellë në Kosovë dhe i kanë dorëzuar në MPMS, duke u mundësuar atyre fitimin e statusit të veteranit të luftës në shumë prej 133.280.00 euro, në mënyrë të kundërligjshme.

Me këto veprime ata akuzohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”, nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPK-së.

Po ashtu, ata akuzohen se në cilësi të personave zyrtarë, kanë ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në zyrtaren me inicialet V.B, për pranimin e katër formularëve për aplikim për statusin e veteranit të luftës që i kishte sjellë Sokol Pogba, shtetas i Republikës së Shqipërisë, me qëllim që këtyre katër personave t’u sigurojë pa të drejtë përfitimin e statusit të veteranit të luftës dhe të drejtën në kompensim për këtë status në bazë të ligjit.

Për këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi