Dëshmitari thotë se nuk kishte tendencë për ndikime politike në përzgjedhjen e drejtorit të shkollës

Raporton: Avni BERISHA

Rahovec – Anëtari i komisionit për zgjedhjen dhe emërimin e drejtorëve të shkollave, Sakip Kryeziu, tha se gjatë përzgjedhjes së kandidatit për drejtor të shollës në FSHMU “Dëshmorët e Lirisë” , në fshatin Potoqan i Ulët të Rahovecit, nuk ka pasur ndonjë ndikim politik.

Një deklaratë të tillë, dëshmitari Kryeziu e ka dhënë të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega Rahovec, ku ka vazhduar shqyrtimi kryesor i procedurës civile në rastin ku paditësi Avdi Mustafa, përmes padisë ka kërkuar, anulimin e konkursit për pozitën drejtor i FSHMU “Dëshmorët e Lirisë”, të shpallur nga Drejtoria e Arsimit në Rahovec

Sipas padisë, paditësi kishte kërkuar anulimin e këtij konkursi, me pretendimin se ai është i kundërligjshëm, pasi që përbërja e komisionit ka qenë në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ nr.151/2020, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë seancës,dëshmitari Kryeziu tha se kandidati i cili ka pasur diplomë të kolegjit privat është eliminuar, sipas udhëzimit të anëtarit të komisionit, i cili ka qenë i caktuar nga MASHTI.

Ai tha se si anëtar i komisionit ka pasur për detyrë të vlerësojë çështjen e menaxhimit, por sipas tij nga kandidati në fjalë kishte pritur më shumë, por ishte befasuar se sa pak ishte përgjigjur.

Në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar edhe Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Rahovecit, Avni Morina, i cili tha se konkursi nuk ka pasur parregullësi.

“Konkursi në fjalë është hapur në afat ligjor dhe tërë mbarëvajtja ka shkuar sipas Udhëzimit Administrativ për përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave, është themeluar komisioni, është bërë vlerësimi i kandidatëve, janë nxjerrë rezultatet dhe çdo gjë ka shkuar sipas procedurës së rregullt”, tha dëshmitari Morina.

Duke u përgjigjur në pyetjen e përfaqësuesit të paditësit Mustafa, avokatit Berkan Hamza, dëshmitari Morina, tha se në cilësi e Drejtorit të DKA-së, kishte bërë shpalljen e konkursit.

Sipas tij, dy anëtarë të komisionit janë propozuar nga ai, si drejtori i DKA-së dhe të njëjtit ishin emëruar nga Kuvendi Komunal në Rahovec.

Tutje Morina tha se në Kuvendin Komunal kishte dërguar emrat e anëtarëve për komision të rekrutimit dhe vendin e punës se ku punojnë, por jo edhe CV, pasi që sipas tij, një gjë e tillë nuk është e paraparë me Udhëzim Administrativ.

Ndërsa, dëshmitari Lulzim Krasniqi, tha se në cilësi të kryetarit të komisionit pasi që ka marrë vendimin për emërim nga Kuvendi Komunal, kishin bërë vlerësimin e dosjeve të kandidatëve për drejtor, ku pesë kandidatë kishin plotësuar kushtet sipas Udhëzimit Adminnistrativ, ndërsa njërit i ishte refuzuar dokumentacioni, pasi që nuk i plotësonte kushtet.

“Në afatin kur është mbyllur afati i aplikimit, dokumentet i janë dorëzuar komisionit, komisioni e ka informuar MASHTI-n për emërimin e anëtarit të tretë nga Ministria e Arsimit dhe të njëjtit kanë emëruar Fetah Kosumin”, tha Krasniqi.

Sipas tij, pjesë përbërëse e komisionit kanë qenë edhe dy anëtarë vëzhgues nga këshilli drejtues i shkollës “Dëshmorët e Lirisë” dhe se komisioni i ka zhvilluar intervistimet sipas procedurës së Udhëzimit Administrativ.

I pyetur nga përfaqësuesi i paditësit, avokati Hamza se a ka përvojë si mësimdhënës apo drejtor shkolle, dëshmitari Krasniqi tha se ai ka mbi 8 vite përvojë pune në arsim.

“Unë kamë përvojë pune mbi 8 vite në arsim në pozitën e zyrtarit, më pas udhëheqës i sektorit të arsimit e gjithashtu kam të përfunduar trajnim për menaxhim dhe udhëheqje që janë mbi 180 orë trajnim dhe kam me qindra orë trajnime tjera”, tha Krasniqi.

Në cilësinë e dëshmitarit në seancën e së mërkurës është dëgjuar edhe anëtari i komisionit i caktuar nga MASHTI, Fetah Kosumi, por i njëjti ka deklaruar se është i angazhuar me pjesëmarrje çdo ditë në konkurse të ndryshme në tërë Kosovën dhe se lidhur me konkursin në fjalë nuk i kujtohet asgjë.

Pas kësaj, përfaqësuesi i paditësit, avokati Hamza, ka thënë se në bazë të vendimit të Kuvendit Komunal në Rahovec  të datës 26 shkurt 2021, për emërimin e anëtarëve të komisionit në paragrafin 5 të dispozitivit thuhet se “Pas miratimit nga ana e KK Rahovec, ky vendim hyn në fuqi pas dërgimit në autoritetin mbikëqyrës MAPL dhe 7 ditë pas shpalljes publike në tabelën e shpalljeve ose ueb-faqe zyrtare të Komunës”.

Sipas avokatit Hamza, vendimi është publikuar me datën 17 mars 2021, ku afati prej 7 ditësh i bie të kalojë më 24 mars 2021 dhe se ky vendim sipas tij, ka qenë në periudhën e ‘vocatio legis’ dhe i bie që vendimi nuk ka qenë në fuqi.

Ai shtoi se në anën tjetër komisioni për rekrutimin e drejtorëve ashtu siç vërtetohet me provën e quajtur formulari B/1, më 22 mars 2021 e kanë përfunduar fazën e parë të rekrutimit, ku edhe e kanë nënshkruar këtë formuar, me ç’rast kanë bërë shkelje absolute të Ligjit.

Tutje, Hamza tha se përkundër faktit se kryetari i komisionit Lulzim Krasniqi, deklaroi se ka mbi 8 vite përvojë të punës, i njëjti ka qenë dhe është shërbyes civil sipas ligjit.

Ai po ashtu theksoi se nënshkrimi i njoftimit për intervistim të datës 22 mars 2021 nga drejtori i DKA-së, ka qenë i kundërligjshëm pasi që i njëjti nuk ka qenë anëtar i komisionit.

Hamza deklaroi se ky komision nuk iu kishte dhënë kandidatëve afat për ankesë në fazën e parë, ndërsa në fazën e dytë përkundër faktit që është paraqitur ankesa, të njëjtit kanë vazhduar punën e tyre përfundimtare.

Lidhur me deklarimet e përfaqësuesit të paditësi, përfaqësuesi i të paditurës Bilbil Oruqi, tha se nisur nga pretendimet e paditësit, mund të konstatojnë se pala paditëse ka vërejtje kryesisht për procedurën e zhvilluar të konkursit, por jo edhe të punës së komisionit rekrutues.

Ai tha se vlerësimi i kandidatëve në dy fazat e konkursit dhe përbërja e komisionit ka qenë në përputhje me Udhëzimin Administrativ.

Sipas tij, komisioni rekrutues ka bërë vlerësimin në bazë të përgjigjeve të pranuara nga kandidatët dhe këtu paditësi përfundimisht është vlerësuar i treti në listën përfundimtare për çka paditësi nuk ka pasur vërejtje.

Përfaqësuesi i paditësit dhe ai i  të paditurës, kanë kërkuar nga gjykata që t’iu mundësohet që fjalën përfundimtare ta dorëzojnë me shkrim.

Pas kësaj, gjykatësi Betim Behluli ka aprovuar kërkesën ka aprovuar kërkesën e tyre duke i obliguar të njëjtit që fjalën përfundimtare me shkrim ta dorëzojnë në afat prej 7 dite.

Në padinë e ushtruar më 7 maj 2021, paditësi Avdi Mustafa, kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, anulimin e konkursit për pozitën drejtor i FSHMU “Dëshmorët e Lirisë” të shpallur nga Drejtoria e Arsimit në Rahovec.

Sipas padisë, paditësi  kishte aplikuar në konkursin e shpallur nga DKA-ja në Rahovec, pasi që i kishte plotësuar kushtet e konkursit.

Por, sipas pretendimeve në padi, në njoftimin të cilin e ka publikuar drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Rahovec, Avni Morina, me numër të referencës 04/687 të datës 22 mars 2021, të cilin e ka titulluar “Njoftimi për intervistim”, i informon kandidatët të cilët kanë aplikuar për drejtor shkolle, paditësi është njoftuar se është kualifikuar për fazën tjetër të rekrutimit.

Tutje në padi thueht se drejtori i DKA-së në Rahovec nuk ka qenë pjesë e panelit intervistues, por i njëjti ka publikuar këtë njoftim si dokument zyrtar e që do të duhej ta bënte Komisioni për zgjedhjen e drejtorit/eshës së institucionit edukativo -arsimor dhe aftësues.

Gjithnjë sipas padisë, pas përfundimit të fazës intervistuese, paditësi në mënyrë verbale është njoftuar se kundërkandidati i tij është zgjedhur drejtor i SHFMU “Dëshmorët e Lirisë”, në Pataqan të Ulët të komunës e Rahovecit.

Pas kësaj, paditësi si kandidat për drejtor të shkollës ka parashtruar ankesën me numër të protokollit 1477/2021, të 13 prillit 2021 dhe përkundër parashtrimit të ankesës nga ana e paditësit, procedura për përzgjedhjen e drejtorit ka vazhduar pa ndërprerë.

Paditësi pretendon se Komuna e Rahovecit gjatë këtij konkursi ka bërë shkelje të shumta si të natyrës procedurale, ashtu edhe të natyrës materiale si: a) ka emëruar anëtarë të komisionit të cilët nuk i plotësojnë kushtet ligjore dhe nënligjore nga sektori i arsimit për të qenë pjesë e konkursit; b) më pas në kohën kur kanë formuar komisionin për emërimin e drejtorëve nuk kishin komision për ankesa, gjë që e kanë themeluar gjatë vazhdimit të konkursit; c) gjithashtu, përkundër ankesës së paditësit, komuna e Rahovecit nuk e ka ndaluar konkursin por ka vazhduar me procedurat e saja në mënyrë të kundërligjshme.

Në padi thuhet se për kundër ankesës së ushtruar organi përzgjedhës ka vazhduar me procedurat e rekrutimit duke mos u zgjidhur paraprakisht çështja diskutabile e parashtruar me ankesë.

Në kuptim të dispozitave ligjore në fuqi por edhe parimet kushtetuese, ankesa ka dy karaktere, ka karakter devolutiv në njërën anë, ndërsa në anën tjetër ka karakter suspenziv.

Karakteri devolutiv i ankesës nënkupton që për këtë çështje nuk është më kompetencë e organit rekrutues, por çështja në fjalë i kalon një organi tjetër më të lartë, e në këtë rast ashtu siç është e paraparë në nenin 14 të Udhëzimit Administrativ 151/2020 , pra Komisionit për Ankesa në kuadër të komunës së Rahovecit.

Ndërsa karakteri suspenziv i ankesës nënkupton që procedura nuk guxon të vazhdojë më tutje pa u zgjidhur çështja e ankesës, pra procedura është dashur të pezullohet dhe të zgjidhet ankesa. Përkundër këtyre karaktereve të ankesës, organi në fjalë nuk e ka ndalur procedurën dhe ka vazhduar me rekrutimin e kandidatëve edhe pse kemi çështje të pazgjidhura.

Andaj duke pretenduar se e gjithë procedura e konkursit është përcjellë me shkelje procedurale, paditësi ka paraqitur këtë padi duke kërkuar anulimin e këtij konkursi. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë