Dëshmitari thotë se nuk i kujtohet rasti dhe s’e njeh as të akuzuarin që po ngarkohet për vrasje në tentativë në një autobus në 2002-ën

Raporton: Doruntina MEHMETI

Mitrovicë- Dëshmitari Kasim Mustafa ka deklaruar se nuk i kujtohet asnjë detaj i rastit për të cilin është ftuar në gjykatë, madje tha se nuk e njeh as të akuzuarin, Luigj Azizaj, i cili po akuzohet se në vitin 2002 pas një ngatërrese verbale kishte tentuar të therrte me thikë Alfred Dibranin në një autobus të linjës Skenderaj-Mitrovicë.

Një deklarim të tillë, dëshmitari Mustafa e ka dhënë në seancën e së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e sotme të pranishëm ishin prokurori i Njazi Rexha, i akuzuarit Luigj Azizaj me mbrojtësin e tij, avokatin Rexhep Kaqaniku, si dhe dëshmitari Kasim Mustafa.

Ndryshe, prezent në seancën e sotme nuk ishin i dëmtuari-dëshmitari Ejup Ukaj, dhe as dëshmitarët Mirdita Smakaj, Sherif Osaj, Sabit Azizaj dhe Bahri Hasani.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Njazi Rexha, i akuzuari deklaroi se nuk e pranon fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

Tutje, prokurori Rexha në fjalën hyrëse deklaroi se fajësia e të akuzuarit Azizaj do të provohet nga deklaratat e dëshmitarëve, se më 20 shkurt 2002, në autobusin “Haxhija Trans”, që qarkullonte në relacionin Skenderaj-Mitrovicë i akuzuari pas një ngatërrese verbale ka tentuar ta privojë nga jeta Alfred Dibranin, në atë mënyrë që disa herë i ka ra grushte kokës pastaj ka nxjerrë thikën dhe ka tentuar ta sulmojë me të, por në atë moment është penguar nga kondukteri i autobusit.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Azizaj, avokati Rexhep Kaqaniku në fjalën hyrëse deklaroi se i mbrojturi i tij nuk ka pasur qëllim që ta privoj nga jeta të dëmtuarin Alfred Dibrani, por vetëm ta frikësojë. Ai shtoi se gjatë këtij shqyrtimi, mungesën e qëllimit nga i akuzuari që ta privojë nga jeta të dëmtuarin do ta vërtetojnë deklaratat e dëshmitarëve.

Tutje, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Radosllav Markoviq konstatoi se do të dëgjohet dëshmitari Kasim Mustafa i cili ishte prezent në sallë.

Dëshmitari deklaroi se nuk i kujtohet as edhe detaji më i vogël nga ngjarja për të cilën është ftuar për të dëshmuar në gjykatë.

Prokurori Rexha të njëjtin e pyeti në lidhje me një deklaratë të dhënë në polici dhe për një tjetër të dhënë para gjyqtarit hetues më 12 janar 2004, për të cilat dëshmitari deklaroi se nuk i mban në mend.

Duke u pyetur nëse nënshkrimet e dhëna në këto deklarata janë të tij, dëshmitari deklaroi se ai nuk i ka nënshkruar ato deklarata, por pasi që nënshkrimet e dhëna në deklaratë u krahasuan me nënshkrimin e tij në dokumentin e tij identifikues, dëshmitari deklaroi se të njëjtat mund të jenë nënshkrimet e tij.

Ndryshe, prokurori Rexha propozoi që të merren nënshkrime nga dëshmitari dhe të njëjtat të dërgohen për ekspertizë grafologjike dhe për t’i krahasuar me nënshkrimet e dhëna në ato deklarata.

Trupi gjykues e paralajmëroi dëshmitarin se deklarimi i rremë përbën vepër penale të dënueshme deri në 5 vite.

Dëshmitari Mustafa kërkoi 5 minuta që të mendojë nëse i kujtohet fakti nëse i ka nënshkruar këto deklarata apo jo.

Pas kësaj, ai deklaroi se nënshkrimet në deklaratat e dhëna për shikim nga prokurori Rexha janë të tijat.

Marrja në pyetje e dëshmitarit vazhdoi me pyetjet e parashtruara nga prokurori dhe anëtarët e trupit gjykues.

“Nuk më kujtohet aspak ky rast, as edhe detaji më i vogël”, ishte përgjigjja e dëshmitarit në të gjitha pyetjet.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit nëse e njeh të dëmtuarin Alfred Dibrani, ai deklaroi se e njeh të njëjtin edhe pse ka kohë që nuk e kishte takuar.

Prokurori Rexha e pyeti dëshmitarin Mustafa nëse qëndron pranë deklaratës së dhënë para gjyqtarit hetues më 12 janar 2004, dëshmitari deklaroi se qëndron pranë asaj deklarate edhe pse nuk i kujtohet ta ketë dhënë.

Dëshmitari Mustafa, duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Rrahman Beqiri, nëse e njeh të akuzuarin Luigj Azizaj, ai deklaroi se asnjëherë me parë nuk e ka takuar këtë person, dhe nuk i kujtohet as si figurë.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Markoviq, në mënyrë që të ftohen përsëri dëshmitarët që kanë munguar sot, konstatoi shtyerjen e seancës për datën 14 korrik 2022.

Në aktakuzën e Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë, të 5 shkurtit 2007 bashkë me të akuzuarin Azizaj, në pikën e dytë të dispozitivit ngarkohet edhe Alfred Dibrani, për armëmbajtje pa leje (të një spreji gaz helmues).

Për të akuzuarin Dibrani, gjykatësi Markoviq konstatoi se procedura për këtë të fundit është pezulluar, për shkak të parashkrimit të veprës penale për të cilën ëshë akuzuar.

Ndryshe, sipas aktakuzës, i pandehuri Luigj Azizaj, më 20 shkurt 2002 në autobusin e NPT “Haxhija Trans” në relacionin Skënderaj – Mitrovicë, me dashje ka filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes, por nuk e ka përfunduar pasi që e kanë penguar të pranishmit.

Pas një ngatërrese verbale, i pandehuri ka tentuar ta privojë nga jeta Alfred Dibranin, në atë mënyrë që disa herë i ka rënë grushte kokës e pastaj ka nxjerrë thikën dhe ka dashtë që ta prejë në fyt.

Në atë moment është penguar nga i pranishmi – kondukteri Ejup Uka i cili ka ndërmjetësuar dhe në atë rast ka pësuar plagosje të lehtë trupore në dorën e djathtë.

Me ketë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë” nga neni 30 al. 1 të LPK-së lidhur me nenin 19 të LPJ.

Ndërsa, në pikën e dytë të dispozitit, thuhet se i pandehuri Alfred Dibrani, deri më 20 shkurt 2002, në vendin si në pikën e parë të aktakuzës, duke mos pasur më parë leje përkatëse valide të lëshuar nga organi kompetent i administratës, ka përdorur në mënyrë kërcënuese një sprej (gas helmues me mbushje me shtypje), gjatë ngatërresës me të pandehurin e parë.

Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontrollë, posedim ose shfrytëzim të paatorizuar të armëve” nga neni 328, par. 1 të KPPK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë