Dëshmitari thotë se nuk është takuar me policët gjatë transportit të mallrave në rrugë ilegale

Raporton: Anesa HOXHA

Prishtinë –  Në gjykimin ndaj tre zyrtarëve policorë, Ana Vasoviq–Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq, dëshmitari Sergjan Vukadinoviq ka thënë se gjatë transportit të mallrave në rrugët ilegale nuk ishte takuar asnjëherë me këta të fundit.

Vukadinoviq i cili është dëshmitari i fundit në këtë rast, ka shtuar se të akuzuarit i njeh nga rruga, pasi që sipas tij Leposaviqi është vend i vogël dhe të gjithë njihen.

“Po unë i njoh të gjithë në Leposaviq se është vend i vogël, të gjithë njihemi. Jo nuk kam qenë në situatë të tillë këta njerëz i njoh nga rruga”, tha dëshmitari.

Vasoviq–Baraq, Dimitrijeviq dhe Uskoviq po akuzohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal lidhur me keqpërdorim të pozitës apo autoriteti zyrtar dhe për marrje ryshfeti, raporton “Betimi për Drejtësi.

Ndryshe, në këtë rast akuzoheshin edhe Aleksandër Dimitrijeviq dhe Darko Saviq, por pas dëgjimit të tyre në cilësi të dëshmitarëve bashkëpunues, për ta ishte veçuar procedura penale dhe me 15 mars 2021, të njëjtit ishin shpallur fajtorë dhe ishin dënuar me 1,000 euro gjobë për kontrabandim me migrantë, ndërsa ishin liruar për “dhënia e ryshfetit”.

Në seancën e së premtes, dëshmitari Vukadinoviq, ka deklaruar se gjatë viteve 2016-2019 kishte punuar tek Aleksandër Dimitrijeviq në fermë si dhe si  punëtor fizik, ku ndër të tjerash tha se kishte ngarkuar dru dhe pije.

Për Aleksandër Dimitrijeviq, dëshmitari ka thënë se i njëjti ishte marrë edhe me transportim të mallrave, ku dhe vet ai kishte qenë disa herë me të kur kishin transportuar pije në rrugët ilegale.

“Po është marrë me transport. Aq sa di unë, disa herë kam qenë me të, disa herë kam ngarkua pije, dhe disa herë kam qenë me të siç kam thënë edhe në deklaratë”, tha ai.

Këto herë, sa dëshmitari kishte qenë me Dimitrijeviq si bashkudhëtar, ai tha se asnjëherë nuk ishin ndal nga policia.

“Jo nuk kam pasur asnjëherë rast të takoj polic e as njerëz nuk ka pasur në rrugë. Unë sa herë kom qenë me të normal ka qenë rruga”, tha ai.

I pyetur  nga prokurori Burim Çerkini nëse Dimitrijeviq gjatë transportimit të mallit kishte kontaktuar me zyrtarët policorë, dëshmitari tha se ai gjatë tërë kohës kishte biseduar me dikë në telefon, por që  nuk e dinte se me kë.

“Unë ato nuk mund ta vërtetoj, gjatë tërë kohës e ka pasur telefonin në dorë dhe me përgjegjësi nuk muj me thonë që ka bisedu por tërë kohën ka bisedu me dikënd. Gjatë bisedave e kam dëgjuar fjalën “po kaloj” por konkretisht nuk e di saktë për çka bëhej fjalë dhe kënd pe njofton”, tha dëshmitari.

Tutje, dëshmitari ka konfirmuar deklaratën e dhënë më 5 prill 2019 në të cilën kishte thënë se Dimitrijeviq dakordohet me dikë nga policia dhe se kur transportohet malli në rrugët ilegale i njëjti e thërret dikë dhe kërkon konfirmim për të kaluar në këto rrugë.

Derisa, ai tha se nuk kishte njohuri që gjatë këtij transporti kishte pasur tarifa të caktuara nga policët.

Dëshmitari ka thënë se nuk ishte ndalur në asnjë vend gjatë transportit derisa i është përgjigjur nëse është ndalur te pompa “Qeki Neco” dhe te dyqani “Te Mira” për të lënë të holla po dhurata.

“Jo asnjëherë nuk kam qenë në atë pompë, kurrë asnjëherë nuk kemi ndaluar. Siç edhe thash besoj se kam qenë i qartë, jemi nisur prej pikës a deri tek pika b, nuk kemi bërë asnjëherë pauzë apo çfarëdo qoftë”, tha ai.

Pas përfundimit të dëshmisë nga Vukadinoviq, seanca është ndërprerë pasi që  prokurori Çerkini ka kërkuar kohë nga gjykata për përgatitjen e provave që do të administrohen në këtë gjykim.

Andaj seanca e radhës në këtë rast është caktuar të mbahet më 9 nëntor.

Sipas aktakuzës së ngritur më 23 prill 2020, nga PSRK-ja Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq akuzohen se nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, në bashkëpunim edhe me të pandehurit Rade Radosavljeviq, Milan Jovanoviq dhe Dragan Radojeviq, të cilët gjenden në arrati, duke vepruar si grup i organizuar, nën udhëheqjen e të pandehurit Rade Radosaljeviq, komandant i stacionit në SPMK Leposaviq, me dashje dhe me qëllim të përfitimit pasuror kishin marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit.

Sipas PSRK-së, të akuzuarit kishin lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshëm dhe atë si mallra ushqimor, transportin e drunjëve, barnave dhe derivateve, nga Serbia për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, nëpërmjet rrugëve ilegale.

Prokuroria pretendon se tre të akuzuarit, derisa kanë qenë në detyrë zyrtare, duke mbikëqyrë rrugët e brezit kufitar në fshatrat Mure, Sharpel dhe Tresava, dhe duke bashkëpunuar edhe me të pandehurit Aleksandër Dimitrijeviq, Darko Saviq dhe persona të tjerë, si transportues të mallrave, ku nga të njëjtit për kalimin e automjeteve me mallra kanë pranuar shuma të ndryshme të parave, sipas tarifave të përcaktuara për çdo automjet dhe atë nga 20 euro për vetura të vogla, 30-50 euro për furgona dhe 100-150 euro për çdo kamion.

Sipas PSRK-së, një pjesë të këtyre parave ata e kanë marrë për vete, një pjesë e parave ka shkuar për udhëheqësin e grupit-komandantin e stacionit, tani të pandehurin Rade Radosavljeviq, ku kanë pas obligim që secili ndërrim të paguaj dhe atë në baza mujore shumën prej 700 euro, ndërsa pjesa tjetër është ndarë tek policët e ndërrimit, e që këtë shumë të parave e kanë marrë direkt nga ana e kontrabanduesve apo edhe në vende të caktuar ku ata janë udhëzuar që t’i lënë, si tek pompa e derivateve “Çekalic”, dyqani “Te Mira”, si dhe në veturën e tani të pandehurit Millan Jovanoviq-Llaki, me ç’rast kanë përfituar shuma të konsiderueshme të parave dhe i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.

E akuzuara Ana Vasoviq-Baraq akuzohet se duke vepruar si anëtare e grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, saktësisht udhëheqëse e ndërrimit në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale, duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë si dhe me kontrabanduesit, në atë mënyrë që dhe pas komunikimit dhe marrëveshjes me ta ka dhënë udhëzimet për kohën dhe vendin ku duhet të kalojnë dhe nga ta ka pranuar shuma të ndryshme të parave, qoftë personalisht apo në vende të caktuara, ku një pjesë e ka mbajtur për vete dhe pjesën tjetër për komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit Rade Radosavjleviq.

I akuzuari Veroljub Dimitrijeviq akuzohet se duke vepruar si anëtarë i grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, polic patrullues në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë si dhe me kontrabanduesit, në atë mënyrë që ka zbatuar udhëzimet e shefave të ndërrimit dhe komandantit të stacionit dhe pas komunikimit me të njëjtët, i ka udhëzuar kontrabanduesit se në cilat vende dhe në çfarë kohe të kalojnë, ku nga ta ka marrë shuma të ndryshme të parave dhe një pjesë të shumës e ka mbajtur për vete, kurse pjesën tjetër e ka dorëzuar për udhëheqësit e ndërrimeve dhe komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit Rade Radosavljeviq.

I akuzuari Izet Uskoviq akuzohet se duke vepruar si anëtar i grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, zëvendës i udhëheqësit të ndërrimit në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë, e sidomos me të pandehurin Dragana Radojeviq, të cilin e ka pas epror ku ka zbatuar udhëzimet e tij dhe të komandantit të stacionit, duke udhëzuar kontrabanduesit se në cilat vende të kalojnë, duke marrë shuma të ndryshme të parave dhe duke shkuar në vende të caktuara për të mbledhë shumat e parave e të cilët kontrabandistët i kishin lënë dhe të njëjtat shuma i ka dorëzuar për udhëheqësin e ndërrimit dhe komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit, Rade Radosavljeviq.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”.

Sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq akuzohen se që nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, me qëllim të përfitimit material të kundërligjshëm kanë kontrabanduar mallra, dhe atë mallra ushqimorë, transportin e drunjëve, barnave dhe derivateve, nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, duke iu shmangur kontrollit doganor dhe tarifave doganore me rastin e importimit apo eksportimit të mallrave, në atë mënyrë që duke bashkëpunuar me tani të pandehurit Rade Radosavljeviq, Milan Jovanoviq, Ana Vasoviq Baraç, Izet Uskoviq dhe Dragan Radojeviq, në cilësinë e personave zyrtarë në Policinë e Kosovës në SPMK-Leposaviq, me ç’rast kanë përfituar shuma të konsiderueshme të parave dhe i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq se kanë kryer veprën penale “Kontrabandë me mallra”.

Sipas dispozitivit të tretë të kësaj aktakuze, Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq akuzohen se që nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, me qëllim të kalimit të mallrave kontrabandë nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, u kanë dhënë shuma të parave apo përfitim tjetër personave zyrtarë-policëve të SPMK në Leposaviq, në mënyrë që personat zyrtarë të veprojnë ose të mos veprojnë në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare, ku me të njëjtit janë dakorduar që me rastin e kalimit të mallrave të paguajnë shuma të parave sipas tarifave të përcaktuara për çdo automjet, dhe atë nga 20 euro për vetura të vogla, 30-50 euro për furgona dhe 100-150 për çdo kamion, që këto shuma të parave i kanë paguar tek zyrtarët policorë, por edhe i kanë lënë nëpër vende të caktuara si tek pompa e derivateve “Cekaliç”, dyqani “Te Mira”, si dhe në veturën e tani të pandehurit Millan Jovanoviq-Llaki, ku pas hetimit nga ana e policisë edhe janë arrestuar.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq se kanë kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë