Dëshmitari thotë se nuk e kishte parë kur polici e kishte goditur vëllanë e tij, por kishte dëgjuar britmat e tij

Raporton: Agnesa HASANI

Mitrovicë- Dëshmitari A.P ka deklaruar se nuk e kishte parë rastin kur i dëmtuari, vëllai i tij A.P është goditur nga polici, por i kishte dëgjuar britmat e tij.

Këtë deklarim, dëshmitari e bëri të premten, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, në rastin ku zyrtari policor Daut Syla, po akuzohet për keqtrajtim të të dëmtuarit A.P gjatë detyrës zyrtare, raporton “Betim për Drejtësi”.

Fillimisht avokati Agim Lushta e pyeti dëshmitarin se a i kujtohej se çka kishte ndodhur në shtëpinë e tij në vitin 2016, mirëpo kjo pyetje u kundërshtua nga ana e prokurorit Bogdan Shpadijer dhe mbrojtësja e palës së dëmtuar, avokatja Luljeta Jashari.

Ky kundërshtim u bë me arsyetimin se pyetja nuk ka të bëjë me rastin, sepse ky shqyrtim gjyqësor është duke u mbajtur për rastin e ndodhur në Stacionin Policor në Mitrovicë.

Gjatë kohës së marrjes në pyetje të dëshmitarit A. nga mbrojtësi i të pandehurit, avokatit Lushta dëshmitari po ashtu është ballafaquar me deklaratën e tij të dhënë në IPK më 5 korrik 2016.

I pyetur nga avokati Lushta se a e kishte parë ai këtë rast dhe cila ka qenë arsyeja që polici e ka përdorur forcë ndaj A.P, ai e pohoi një gjë të tillë.

“Po unë e kam parë këtë rast nga afër 3-4 m distancë dhe arsye ka qenë se A. ka filluar të më qortojë, përkatësisht kërcënojë mua se pse e kisha lajmëruar rastin në polici dhe pasi polici e ka dëgjuar këtë i ka tërhequr vërejtjen”, tha ai.

Tutje, dëshmitari theksoi se A. prapë nuk e ka përfillur atë dhe thotë se mesa i duket i kishte thënë “çka po të intereson ty”.

“Pastaj polici e ka kapë nga dora dhe e ka shtyrë brenda, ndërsa A. e ka kundërshtuar të hyjë në stacion, aty ka mundur ndoshta edhe ta godas polici të pandehurin A.P”, tha tutje ai.

Dëshmitari A.P shtoi se nuk mendon që polici e kishte për qëllim ta rrahë apo keqtrajtojë, por vetëm e ka futur në stacion, pasi që i njëjti prapë ka dalë jashtë.

Dëshmitari ka thënë se nuk e kishte parë ngjarjen kur polici e kishte goditur të dëmtuarin, por i kishte dëgjuar britmat e të dëmtuarit.

“Unë siç thash edhe me herët nuk e kam parë ngjarjen, kur them ngjarjen e kam fjalën për rastin e rrahjes që i ka ndodhur të dëmtuarit A.P i kam dëgjuar të bërtiturat e të dëmtuarit” ka thënë dëshmitari.

Pas kësaj, i njëjti tha se nuk ishte kërcënuar nga vëllai i tij, tani i dëmtuari A, por vetëm e kishte qortuar me fjalë të lehta.

Po ashtu dëshmitari tha se krejt çka kishte parë është ajo që polici e kishte futur brenda të dëmtuarin dhe nuk e di se çka ka ndodhur tutje.

“Krejt çka kam parë unë është që e ka marrë dhe e ka futur brenda ne stacion, më shumë çka ka ndodhur nuk e di”, ka thënë dëshmitari.

Tutje mbrojtësi i të pandehurit, avokati Lushta i rikujtoi përsëri dëshmitarit deklaratën e dhënë në IPK, kur ishte pyetur “ a keni pasur ndonjë vërejtje nga policia apo nga vëllai në prezencën e policisë”.

“Jo, sipas meje policia ka qenë korrekte edhe pse në raport me vëllanë tim ka qenë shumë tolerante në raport me veprimet e tij, pasi që ndoshta atë natë vëllai im ka qenë dashur të shkojë në burg apo në psikiatri, pasi që e kishte rrahur babën e vet”, ishte përgjigja që avokati ia rikujtoi që dëshmitari ta ketë dhënë në IPK.

Për këtë, dëshmitari tha se është e vërtetë kjo përgjigje.

Po ashtu, ai u ballafaqua edhe me përgjigjen e dhënë në pyetjen se a e ka parë ndonjërin nga policës nëse e ka goditur apo ofenduar a keqtrajtuar vëllanë e tij gjatë kohës prej kur është marrë nga shtëpia, derisa është liruar, ku dëshmitari ishte përgjigjur “Unë nuk e kam parë nëse e ka goditur as nuk kam dëgjuar asnjë polic që e ka sharë apo ofenduar vëllanë tim A.P, përkundër faktit se ka qenë shumë i padisiplinuar ndaj policëve përkatësisht nuk i ka zbatuar urdhrat e policëve gjatë gjithë kohës”.

Por, kjo pyetje u kundërshtua nga avokatja Jashari, me arsyetimin se mbrojtësi vazhdimisht është duke ushtruar presion ndaj dëshmitarit për shkak se i njëjti në fillim kishte deklaruar se nuk i kujtohet saktësisht ngjarja.

Po ashtu, të njëjtën e kundërshtoi edhe prokurori Bogdan Shpadijer, mirëpo kjo pyetje u lejua nga ana e gjykatës.

Ndërsa, dëshmitari u përgjigj se është e vërtetë ajo çka kishte deklaruar në IPK.

Tutje, dëshmitari A.P tha se e kishte parë policin që e ka kapur për dore dhe kishte dëgjuar britma.

“Unë thash edhe më herët se e ka kapë për krahu dhe e ka futur brenda, këtë e kam thënë edhe në IPK e po ashtu është e vërtetë se e kam dëgjuar edhe duke bërtitur”, tha dëshmitari.

Ndërsa, gjykatësi Rrahman Beqiri kërkoi nga dëshmitari që të përshkruajë se çka saktësisht kishte dëgjuar, e dëshmitari tha se nga ajo çfarë kishte dëgjuar kishte krijuar përshtypjen se dikush e kishte rrahur vëllanë e tij.

“Unë e kam dëgjuar duke e rrahur dikush, mënyra se si e kam dëgju mua më ka dhënë përshtypjen se është duke e rrahur dikush, por e përsëris se nuk e kam parë”, theksoi ai.

Tutje seanca e shqyrtimit gjyqësor ka vazhduar me administrimin e provave, ku prokurori propozoi që si provë materiale të lexohet dëshmia e dëshmitarit Ramiz Saraqi pasi që i njëjti gjendet jashtë vendit dhe nuk i dihet adresa e saktë.

Gjykatësi konstatoi se si provë materiale nga ato çka janë propozuar në aktakuzë mund të administrohet vetëm CD-ja, ndërsa për propozimet tjera kërkoi nga prokurori që të deklarohet lidhur me të njëjtat.

Prokurori Shpadijer, propozoi që si provë të administrohet CD dhe foto-dokumentacioni, ndërsa sa i përket leximit të dëshmisë së policit Besim Kërleshi, tha se tërhiqet nga ky propozim.

Ndërsa, avokati Lushta i propozoi gjykatës që si dëshmitar të ftohet Besim Kërleshi me arsyetimin se në aktakuzë ka qenë propozuar që të lexohet dëshmia e tij e dhënë me datë 14 prill 2017, dhe ky është dëshmitar kyç dhe ka qenë prezent që nga marrja e të dëmtuarit në shtëpi e deri në lirimin e tij nga stacioni policor për çka edhe kishte dhënë deklaratë në IPK lidhur me këtë çështje.

Gjykata pranoi propozimin e mbrojtësit, meqenëse dëshmitari Besim Kërleshi nuk ishte prezent seanca e radhës do të mbahet më 21 dhjetor 2021.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë të përpiluar më 25 prill 2017, Daut Syla po akuzohet se më 6 tetor 2016, në korridorin e Stacionit Policor në Mitrovicë, pasi e kishin sjellë në stacion të dëmtuarin A.P për shkak të dhunës në familje, me keqpërdorim të pozitës së tij si zyrtar policor e ka fyer rëndë dinjitetin e të dëmtuarit A.P. duke e ofenduar dhe tërhequr të njëjtin.

Me këtë po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” nga neni 198 par.1. i KPK. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë