Dëshmitari thotë se klienti e njoftoi se një person pa flokë ishte duke e mbytur një tjetër me thikë

Raporton: Driton NOCAJ

Pejë- Dëshmitari Art Muqa ka deklaruar para trupit gjykues se një klient, dëshmitari Haxhi Morina në lokal e njoftoi se një person pa flokë ishte duke e mbytur me thikë një tjetër.

Një deklarim të tillë, dëshmitari e bëri në Gjykatën e Pejës,  ku për vrasjen e rëndë të Mentor Zekaj për shkak të një borxhi afro 77 mijë euro, po akuzohet Kreshnik Haliti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Muqa ka thënë se i ndjeri Zekaj dhe i pandehuri Haliti ishin shokë dhe nuk kishte njohuri nëse kishin pasur ndonjë problem mes vete dhe këtë gjë e theksoi pasi i njëjti ishte punëtor në kafenenë e të ndjerit Zekaj dhe kishte qenë dëshmitar kur i pandehuri dhe i ndjerin kishin pasur shoqëri së bashku në lokal.

“Kur Kreshniku ka ardhë si myshteri, ka ardhë me shoqëri dhe me Mentorin, sepse Mentorin e ka pasur shokë”, tha Muqa.

Lidhur me ngjarjen kritike, dëshmitari sqaroi se i ndjeri kishte ardhë në lokal për të pirë një kafe dhe më pas i kishe thënë se po shkonte në shtëpi për të ngrënë bukë.

Pas kësaj, dëshmitari tha se kishte ardhur një klient, dëshmitari Haxhi Morina, i cili i kishte thënë se një person pa flokë ishte duke e mbytur me thikë një person.

“Më pas kam shkuar e kam pa kush është dhe kam parë Mentorin të shtrirë. Jam afruar afër sepse fillimisht s’e kam njohur sepse ka qenë i gjakosur dhe më pas e kam njohur në bazë të çantës që e mbante dhe zinxhirit në qafë”, tha Muqa.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të pandehurit Haliti, avokatit Besnik Berisha, dëshmitari tha se të ndjerin për të fundit herë e kishte parë kur kishte dalë nga lokali deri në momentin që e kishte gjetur të shtrirë.

Ai shtoi se gjatë kësaj kohë nuk e dinte nëse i ndjeri kishte kontaktuar apo ishte takuar me ndonjë person dhe se nuk dinte se pse kishte ndodhur vrasja.

“Ju nuk dini as për ndonjë problem në mes të ndjerit dhe Kreshnikut dhe po ashtu nuk e dini pse ka ndodhur ngjarja tragjike”, ishte pyetja e avokatit Berisha drejtuar dëshmitarit Muqa.

“Nuk e di pse ka ndodhë”, shtoi dëshmitari.

Në këtë seancë, dëshmitari po ashtu tha se çanta e të ndjerit e gjetur në vendin e ngjarjes kishe qenë e mbyllur me patentë dhe se ajo çantë, të cilën e kishte parë në vendngjarje ishte në të njëjtën gjendje si në fotot në shkresa të lëndës.

Pas kësaj, avokati Berisha kërkoi nga dëshmitari të sqarojë se si kishte ardhur deri te konstatimi se çanta ishte mbyllur.

“Ju nuk jeni përkulur në ditën kritike për të parë se a ka qenë patenti i çantës i hapur apo i mbyllur”, pyeti avokati Berisha.

Mirëpo, kjo pyetje u ndalua nga kryetari i trupit gjykues, Murat Hulaj me arsyetimin se dëshmitari e kishte sqaruar atë çfarë kishte parë në ditën kritike edhe bazuar në foton e çantës e cila gjendej në shkresat e lëndës.

Ndryshe, në këtë seancë ishe e paraparë të japë dëshmi edhe bashkëshortja e të ndjerit, Mirjeta Zeka, mirëpo të njëjtën për shkak të gjendjes shëndetësore, gjykatësi Hulaj e liroi nga dëshmia për seancën e  sotme.

Seanca e radhës u caktua më 5, 15 dhe 16 nëntor 2021.

Ndryshe, gjykimi ndaj Halitit ka vazhduar me trupin e ri gjykues, pasi ish-kryetarja e trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri ka ndërruar jetë, ndërsa tani këtë lëndë e gjykon trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Murat Hulaj, me anëtarët Sami Sharraxhiu dhe Musë Povataj.

Gjykata Themelore në Pejë, më 4 korrik të vitit 2018, e kishte gjetur fajtor të akuzuarin Kreshnik Haliti, ndaj të cilit kishte shqiptuar dënim unik prej 22 vite e gjashtë muaj burgim, nën akuzat për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Mirëpo, Gjykata e Apelit kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë, me arsyetimin se aktgjykimi ishte i përfshirë në shkelje të procedurës penale dhe vërtetimin jo të plotë të gjendjes faktike.

Kreshnik Haliti akuzohet se më 6 mars 2017, në rrugën “Myrvete Maksutaj”, në Pejë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e ka privuar nga jeta viktimën, tani të ndjerin Mentor Zekaj.

Sipas aktakuzës, këto veprime kanë ardhur për shkak të një mosmarrëveshje që kanë pasur ndërmjet vete tani i ndjeri Zekaj me të pandehurin Kreshnik Haliti, lidhur me një borxh prej afro 77 mijë euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri në ditën kritike i përgatitur për vrasjen, e thërret viktimën për të shkuar në qendër të Pejës, me ç’rast me makinën e tij viktima ka shkuar e ka marrë të pandehurin, ku në veturë kanë biseduar për borxhin, ashtu që sapo kanë arritur në vendin kritik, i pandehuri e godet dy herë me një revole të modelit “Pietro Beretta M-70”, e kalibrit 7.65x17mm.

Për këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”, sipas nenit 179, paragrafi 1 të Kodit Penal, ku parashihet dënimi me jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm. /BetimipërDrejtësi

 

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë