Dëshmitari thotë se inspektorja e akuzuar për keqpërdorim pozite ka vepruar sipas ligjit

Rasti i Violeta Januzit 18.07.2018
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Korrik 18, 2018

Prishtinë – Dëshmitari Selatin Hoxha, në gjykimin që po mbahet ndaj inspektores së Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Violeta Januzi, e akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ka deklaruar se sipas tij, ajo ka vepruar në përputhje me dispozitat ligjore gjatë kryerjes së detyrës së saj.

Hoxha është ftuar nga ana e prokurorisë, për të dëshmuar lidhur me akuzën ndaj Januzit që pretendohet se në cilësinë e inspektores së ATK-së në kundërshtim me ligjin kishte dhënë shënim për aktivitet për lokalet e bastores “Xhoiloto”, në Prizren duke kishte konstatuar se ky subjekt afarist i plotëson kriteret për tu licencuar dhe e kishte pajisur këtë subjekt me leje për ushtrimin e veprimtarisë.

Hoxha tha se kishte punuar në departamentin e lojërave të fatit nga viti 2012 deri në vitin 2016 në sektorin e auditimit.

Ai tha se ka punuar shpesh me Violeta Januzin, ai nga sektori i auditimit, ndërsa ajo nga sektori i licencimit e që sipas tij kanë vepruar gjithmonë sipas ligjit.

Sipas tij, ekzistojnë dy sektorë në këtë departament e ata janë sektori për licencim dhe sektori për auditim.

Ai tha se detyrat e tij kanë qenë të përcaktuara në udhëzimin administrativ të lojërave të fatit e që ndër detyrat e tij kryesore kanë qenë, kontrollimi i lokaleve të lojërave të fatit lidhur me auditimin, kontrollimi i librave të regjistrimit, lista e deklarimit të tatimeve, pagave dhe të gjitha dokumenteve të tjera lidhur me afarizmin financiar.

Ai shtoi se në pikën e “Xhoilotos” te Shatërvani në Prizren nuk kishte qenë asnjëherë me Januzin, mirëpo mund te këtë ndodhur që në ndonjë raport të saj është vënë edhe emri i tij dhe ID pasi që kjo punë, sipas tij, ka rrezikshmëri dhe se ata e kanë për detyrë të kontaktojnë me njëri tjetrin dhe se gjithmonë nëpër vizita kur dalin nuk del vetëm një inspektor, por dy e më shumë.

“Zakonisht kur dalim në teren del një inspektor i licencimit dhe një i auditimit por mund te ndodh edhe me shumë,  unë po flas për sektorin tim qe ka për qellim qe me një lokal afarist që funksionon me i marre hyrjet dhe daljet qofte ne mënyrë elektronike apo te shkruar. Dhe shpesh nr e ID-së dhe emrin e vejmë për shkak te rrezikshmërisë në pune dhe e kemi për detyre të kontaktojmë njani tjetrin” tha Hoxha.

I pyetur nga prokurori Arian Gashi se nënshkrimi në një raport a është i detyruar, ai u përgjigj se vetëm kur kërkohet nga kolegia.

Ai tha se deri në vitin 2014 ose 2015 nuk është kërkuar pëlqimi i kuvendit komunal për dhënie të lejes për licencë nga ana e ATK-së, kurse sipas tij, nuk ka informatë se për rastin në fjalë a ka pasur pëlqim të komunës apo jo.

Hoxha tha se me rastin e freskimit te licencës ka nevoje të bëhet auditimi e që në rastin e “xhoilotos” sipas tij në vitin 2015 nuk është bërë auditimi ose të paktën ai nuk ka qenë në auditim.

I pyetur nga avokati Ramiz Krasniqi, mbrojtës i Violeta Januzit se a ka mundur të ketë qenë ndonjë koleg tjetër për audtimin, i njëjti tha se Januzi në teren ka dal me kolegë të tjerë, por nuk e din se me kë.

Ndërsa, Hoxha tha se detyrat për zyrtarët e auditimit i jep shefi i auditimit e njëjtë ndodh edhe për zyrtarët apo inspektorët e licencimit të cilët marrin urdhrat apo detyrat nga shefi i tyre.

“Xhoiloto i ka ofru librat e regjistrimit për raportin e auditimit të vulosura dhe të nënshkruara në bazë të raportit të auditimit në 2015 kur është bërë vazhdimi i licencës” tha ai.

Në pyetjen e Krasniqit se kush i nënshkruar vendimet për licencim, Hoxha u përgjigj se kjo nuk është në fushën e tij.

Ndërsa, në pyetjen e gjykatëses Nushe Kuka-Mekaj se i njëjti a ka qenë në dijeni se është vazhduar licenca për një subjekt që ka qenë i ndaluar të veprojë afër objekteve shkollore, monumenteve historike etj, ai tha se nuk ka qenë në dijeni.

“Unë nuk kam qene në dijeni se po ta dija do të shkoja e me pa e edhe me u rrotullu ATK-ja nuk ish hi në listë me nënshkrim temin ai objekt” tha në fund Hoxha.

Pas përfundimit të dëshmisë së Hoxhës, seanca u ndërpre për të vazhduar më 14 shtator 2018 në orën 13:15.

Ndryshe në seancën e kaluar më 14 qershor të këtij viti Shpend Pllana përfaqësuesi i ATK-së kishte deklaruar se ata si institucion nuk e konsiderojnë veten palë të dëmtuar nga veprimet e Januzit.

Në seancën fillestare të mbajtur më 15 shkurt të këtij viti, e akuzuara Januzi, ishte deklaruar e pafajshme për akuzën që i vihet në barrë.

Sipas prokurorisë, Violeta Januzi në cilësinë e inspektores së licencimit në departamentin e lojërave të fatit pranë Administratës Tatimore të Kosovës në Prishtinë, ka tejkaluar autorizimet e saj dhe ka keqpërdorur pozitën zyrtare.

Sipas aktakuzës, Januzi më 12 nëntor 2015, pasi që kishte dhënë shënim për aktivitet për lokalin dhe lokalet tjera e bastores “Xhoiloto”, në Prizren, kishte konstatuar se ky subjekt afarist i plotëson kriteret për tu licencuar dhe duke mos shkuar në vendin e ngjarjes, e pajis këtë subjekt me leje për ushtrimin e veprimtarisë.

Januzi këtë veprim, sipas aktakuzës, e kishte bërë në kundërshtim me ligjin 04/L-66, me të cilin ndalohet ushtrimi i veprimtarisë së kazinove, bastoreve dhe lojërave të fatit në Qendrën Historike të Prizrenit, dhe në kundërshtim me ligjin 04/L-080, i cili e ndalon që të ushtrojnë veprimtarinë bastoret në afërsi prej 500 metër prej objekteve edukativo-arsimore, institucione historike, fetare dhe pronës komunale, e duke i mundësuar bastores “Xhoilloto” që të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme.

Prokuroria e ngarkon me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoriteti zyrtar”.