Dëshmitari thotë se inspektori i ATK-së i kishte kërkuar 5000 euro ryshfet për t’ia zgjidhur një problem

20180726_134431
Author

Raporton: Medina KADRIU

Korrik 26, 2018

Prishtinë – Dëshmitari Sherafedin Gashi, në seancën e së enjtes, ka deklaruar se inspektori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) Bekim Bilalli, që po akuzohet për marrje ryshfeti, njëherë i kishte kërkuar 1000 euro e më pas 5000 euro për t’ia zgjidhur një problem në ATK.

Sipas aktakuzës së përpiluar më  27 dhjetor 2017, Bekim Bilalli në cilësinë e personit zyrtar në ATK, me qëllim që t’i sjell vetës përftim pasuror të kundërligjshëm, ka kërkuar ryshfet nga i dëmtuari Sherafedin Gashi, pronar i firmës “Fresh Fruit” SH.P.K, për kthimin e mjeteve të rimbursimit të TVSH-së.

Sipas aktit akuzues, këtë e ka bërë në mënyrë që i pandehuri, në muajin shtator të vitit 2015, është takuar me të dëmtuarin te kafiteria tek pompa e benzinës te lulishtja në Prishtinë, në afërsi të ATK-së Prishtina 3 dhe i ka kërkuar 1000 euro për t’ia kthyer mjetet e rimbursimit të TVSH-së.

Tutje në aktin akuzues thuhet se, në takimin tjetër i pandehuri i kishte thënë të dëmtuarit se “me 1000 euro nuk kryhet puna qysh jemi marr vesh”, duke kërkuar ryshfet shumën prej 5000 euro nga i dëmtuari Gashi.

Lidhur me këtë akuzë, dëshmitari dhe njëherit pala e dëmtuar, Sherafedin Gashi ka deklaruar se si pronar i biznesit i ka paguar të gjitha obligimet tatimore.

Gashi gjatë dëshmisë së tij ka thënë se në vitin 2015 ka parashtruar një ankesë pas përfundimit të përpilimit të raportit nga ana e inspektorit, me pretendimin se i është bërë padrejtësi.

Ai tha se kërkesën e parë për rimbursim e kishte bërë gjatë vitit 2015, ku lëndën e tij e kishte pasur i akuzuari Bilalli, dhe gjatë inspektimit deklaroi se të njëjtit kompania e tij ia ka dorëzuar të gjitha dokumentet e nevojshme.

“Problemi sipas ATK-së, që nuk kishin bazë ligjore në rastin e kompanisë tonë, ishte se unë isha pronar i tokës dhe i biznesit, dhe dy ortakë që i kam bashkëpronar në biznes është arsyeja pse nuk më janë kthyer paratë e rimbursimit. Gjatë kësaj kohe pas shumë bisedave e konsultimeve me inspektorin po ashtu me shefin e tij kërkesa ime ka qenë të më kthehen paratë për rimbursim. Përgjigja e tyre ka qenë nuk mundesh me i kthy paratë se nuk të takojnë” ka deklaruar ai.

Ai tha se këtë përgjigje e ka marr edhe në formë të shkruar, pas të cilës tha se ka parashtruar ankesë në Departamentin e Ankesave të ATK-së, ku është mbajtur një seancë dëgjimore.

Tutje dëshmitari Gashi tha se me të akuzuarin është takuar gjatë kohës kur ai e ka trajtuar lëndën e tij në një kafe afër njësitit numër tre të ATK-së, e në të cilin takim sipas tij inspektori ishte ftuar nga ai dhe ortaku i tij Naser Gashi.

“Pyetja jonë ka qenë se si me zgjidh problemin. Bekimi ka thënë mundemi me zgjidh këtë problem në qoftë se na jep 1000 euro.  Unë i kam thënë nëse ma zgjidh problemin, mi qet paratë e ATK-së në llogari, unë do t’i jap 1000 euro.  Bekimi ka thënë po do të filloj me zgjidh këta problem”, ka thënë ai.

Më pas, Gashi tha se edhe njëherë tjetër ishte takuar me të akuzuarin, i cili kishte thënë se me 1000 euro nuk mundemi me zgjidh këtë problem dhe se shuma duhet të rritet deri në 5000 euro, para të cilat dëshmitari tha se nuk ka pranuar të ia jap.

Dëshmitari Sherafedin Gashi gjithashtu shtoi se kërkesa e tij për rimbursim ishte refuzuar mbi  4 herë, e se inspektorët i kishin thënë se nuk guxojnë ta nënshkruajnë kërkesën e tij.

Ai tha se në një rast një inspektore i ka thënë ” mos i kisha fëmijët në shpi ,unë jam tu e bë shkeljen më të madhe të ligjit” , pasi kishte marr vendim negativ  për kërkesën e tij.

Paraprakisht, në seancën e së enjtes palët në procedurë kanë dhënë fjalët e tyre hyrëse.

Prokurori Munishi, në fjalën e tij hyrëse, deklaroi se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet gjendja faktike e përmendur në dispozitiv të aktakuzës”, ka thënë prokurori.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Zejnullahu tha se nuk ka asnjë provë që dëshmon se klienti i tij ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit.

Seanca e ardhshme pritet të mbahet më 27 shtator,  me fillim nga ora 10:30.