Dëshmitari thotë se i akuzuari për shumicën e rasteve të prerjeve ilegale në pyll kishte bërë fletëparaqitje

20190910_142237
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Shtator 10, 2019

Malishevë – Dëshmitari Sheremet Berisha, ka deklaruar se rojtari i pyllit, Naim Berisha për shumicën e rasteve të prerjeve të pyllit, ka dorëzuar fletëparaqitje.

Dëshminë e tij, Berisha e ka dhënë në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, në rastin ku Naim Berisha akuzohet për veprën penale “veprimtari e pandërgjegjshme ekonomike”.

Dëshmitari Berisha ka thënë se në periudhën që po akuzohet rojtari i pyllit, Naim Berisha, ka qenë në territorin  e tij, së bashku me disa kolegë të tjerë dhe me përfaqësuesin e drejtorisë Xhavit Gajraku.

Sipas tij, së bashku me tani të akuzuarin kanë marrë drutë e prera dhe i kanë dërguar në drejtori komunale dhe për shumicën e rasteve kishte fletëparaqitje.

Dëshmitari Berisha, ka thënë se në ditën kur i kanë dërguar drutë në drejtori komunale, i akuzuari Naim Berisha, për disa ka pas fletëparaqitje dhe për disa i ka sjellë më vonë.

“Për shumicën ka pas fletëparaqitje, por për disa jo, dhe të tjerat i ka sjellë disa ditë më vonë”, ka deklaruar dëshmitari Berisha.

Gjykatësit Lulzim Paçarizi, ka kërkuar të dijë nga dëshmitari nëse ka qenë në territorin e të akuzuarit Naim Berisha.

“Po kam qenë dhe atë disa herë gjatë asaj periudhe së bashku me Naimin dhe vetë, dhe kam parë dru të prera në mënyrë ilegale, mirëpo shumica kanë qenë me vulë”, është përgjigjur dëshmitari.

Ndryshe, në seancë nuk ka prezantuar dëshmitari i dytë, Hamdi Bujupi, dhe në mungesë të tij, me vendimin e gjykatësit Paçarizi, seanca është ndërprerë dhe ajo është shtyrë për 15 tetor 2019, në ora 13:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Naim Berisha, akuzohet se gjatë muajit shkurt deri më 17 mars 2016, në cilësinë e rojtarit të pyllit në zonën kadastrale Senik dhe Lladrovc, Komuna e Malishevës, me dashje ka vepruar në kundërshtim me ligjin dhe nuk i ka përmbushur obligimet e tij, në bazë të Udhëzimit Administrativ për Mbrojtjen e Pyjeve, Përgjegjësitë dhe Obligimet e Rojës së Pyllit Nr.05/2010.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Berisha, gjatë periudhës së lartcekur, nuk ka evidentuar asnjë person që e kanë dëmtuar, respektivisht që e kanë prerë pyllin, dhe nuk ka paraqitur asnjë fletëparaqitje  për lokacionet ku ka ndodhur prerja ilegale.

Në aktakuzë thuhet se nga kjo prerje ilegale, janë prerë 3374 dru të llojit “ahu” dhe “bungu”, në vlerë prej 3771 euro, dhe dëm mjedisor në vlerë prej 5000 euro, gjendje kjo e konstatuar nga inspektorët e pylltarisë nga Drejtoria Qendrore e Inspektoratit të Pylltarisë dhe Gjuetisë.

Me këtë, Berisha akuzohet se ka kryer veprën penale “veprimtari e pandërgjegjshme ekonomike” nga neni 258, paragraf 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi