Dëshmitari thotë se gjatë kacafytjes nuk kishte parë nëse të akuzuarit dhe i dëmtuari kanë nxjerrë thikë e armë

Raporton: Denisa JASHARI

Ferizaj- Dëshmitari Adem Lami ka thënë se meqenëse ngjarja ishte zhvilluar me shpejtësi, nuk ka arritur të shohë nëse të akuzuarit Erëmal Musliu dhe Mehdi Neziraj si dhe i dëmtuari Skender Neziraj kishin nxjerrë thikë dhe armë.

Këtë deklarim, dëshmitari Lami e ka dhënë të mërkurën në shqyrtimin gjyqësor ndaj të akuzuarve Erëmal Musliu dhe Mehdi Neziraj, që ngarkohen për kanosje lidhur me një borxh.

Në këtë rast, akuzuari Neziraj ngarkohet edhe për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Adem Lami tha se të akuzuarin Erëmal Musliu e ka djalë të motrës (nip).

Kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi, në bazë të nenit 127, paragrafi 1, nënpar. 1.2, e ka liruar dëshmitarin nga dhënia e dëshmisë, pasi që të njëjtit janë në afërsi gjaku, kanë raport dajë-nip.

Lidhur me këtë, dëshmitari Lami deklaroi se edhe përkundër faktit se me të akuzuarin ka këtë lidhje afërsie, në këtë çështje tha se dëshiron të jep dëshminë e tij dhe shtoi se mbetet pranë deklaratës së tij të dhënë në polici dhe prokurori.

Prokurori i rastit Valdet Avdiu, në këtë fazë të procedurës ka parashtruar pyetje për dëshmitarin në lidhje me rastin në fjalë, ndërsa ky i fundit ka përshkruar ngjarjen.

“Atë ditë unë e kam ftuar në telefon Mehdi Neziraj që të vijë tek shtëpia ime për të biseduar në lidhje me një borxh të cilin ia kishte nipi im, i cili është vëllau i tani të akuzuarit Erëmal Musliu, Erdet Musliu”, tha dëshmitari.

Ai tha se Mehdiu kishte ardhur pastaj me vëllanë e tij Skenderin dhe ishin ulur në oborrin e shtëpisë së tij.

“Nipi im Erëmali ka ardhur ndërkohë, edhe pse i kam thënë të mos vijë aty”, tha Lami.

Sipas dëshmitarit Adem Lami, në momentet kur ai ishte ulur të bisedonte në lidhje me borxhin me Mehdi dhe Skender Nezirajn, gjatë bisedës këta të fundit ishin acaruar me nipin e tij, tani të akuzuarin Erëmal Musliu, me ç’rast kishin filluar të kacafyteshin mes vete.

Në pyetjen e prokurorit Valdet Avdiu, se a kishte parë dëshmitari gjatë kësaj kacafytje se të njëjtit kanë nxjerrë thikë dhe armë, dëshmitari tha se nuk kishte parë që kishte pasur diçka ngase ngjarja ishte zhvilluar me shpejtësi.

Tutje, në këtë shqyrtim u dëgjua i akuzuari Erëmal Musliu i cili deklaroi se mbetet pranë deklarimeve të tij deri më tani dhe se nuk e ndjen veten fajtor.

Ndryshe i akuzuari Mehdi Neziraj në fazën fillestare kishte pranuar fajësinë për dy veprat penale me të cilat e ka ngarkuar akuza e prokurorit.

Ndërsa në fjalën përfundimtare të mbajtur po në këtë shqyrtim, prokurori Valdet Avdiu tha se për dy të akuzuarit është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale, siç janë të përshkruara në aktin akuzues, ndërsa gjykatës i propozoi që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit.

Për të akuzuarin Mehdi Neziraj, prokurori Avdiu, gjykatës i propozoi të ketë për bazë si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë nga i njëjti.

Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi njoftoi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 14 tetor 2021.

Sipas dispozitivit të pare të aktakuzës, i pandehuri Erëmal Musliu akuzohet se më 24 korrik 2018 në fshatin Gllavicë të Shtimes, përkatësisht në oborrin e shtëpisë së Adem Lamit, i kishte kanosur me përdorimin e thikës të dëmtuarin Skender Neziraj dhe të pandehurin Mehdi Neziraj.

Në akuzë thuhet se deri tek kjo kanosje kishte arritur pasiçë të njëjtit kishin një mosmarrëveshje rreth një borxhi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri kishte nxjerrë një thikë nga xhepi dhe kishte tentuar që ta godasë në qafë dhe në bel fillimisht Mehdiun e pastaj kishte tentuar ta godasë edhe Skender Nezirajn, ashtu që kjo kanosje kishte shkaktuar shqetësim dhe ankth tek të njëjtit.

Me këtë ka kryer veprën penale kanosje nga neni 185, par.4 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në pesë vjet.

Sipas dispozitivit II. të aktakuzës, i pandehuri Mehdi Neziraj, me datë, kohë dhe vend të njëjtë, e kishte  kanosur me përdorimin e armës të pandehurin Erëmal Musliu, në atë mënyrë që fillimisht pasi ishte kanosur nga Erëmali me thikë, e kishte nxjerrë armën nga brezi duke ia drejtuar armën të njëjtit, ashtu që kjo kanosje kishte shkaktuar shqetësim dhe ankth tek i njëjti.

Me këtë ka kryer veprën penale kanosje nga neni 185, par.4 të Kodit Penal.

Sipas dispozitivit III. të aktakuzës, i pandehuri Mehdi Neziraj, me datë, kohë dhe vend të njëjtë, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, kishte mbajtur në pronësi-kontroll një armë zjarri me numër serik 3342, kalibri 6.35mm dhe 10 copë fishek po të kalibrit të njëjt.

Me këtë ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1 të Kodit Penal vepër e cila dënohet me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro dhe me burgim deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

 

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë