Dëshmitari thotë se deri në vitin 2019 të gjitha projektet janë funksionalizuar pa pëlqimin e ASHI-së

Raporton: Samire BINAJ

Prizren- Në Gjykatën Themelore në Prizren, në gjykimin ndaj ish-drejtorit të Administratës në Prizren, Ilir Baldedaj, të martën është dëgjuar dëshmitari Selim Lulaj, i cili ka thënë se Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI) nuk e ka pasur të rregulluar funksionalizimin e projekteve deri në vitin 2019.

“Nuk ka pasur të krijuara ende struktura për trajtimin e këtyre projekteve, pasi siç deklarova komisioni është formuar më 10 dhjetor 2018”, tha dëshmitari Lulaj.

Këtë deklarim, dëshmitari Lulaj e bëri në seancën e së martës në rastin ku Baldedaj po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në pyetjen e prokurores Ervehe Gashi se Ligji 04/L-145 a e ka përcaktuar obligimin e organeve qeveritare për marrjen e pëlqimit lidhur me projektet ideore, dëshmitari ka thënë se kjo çështje ka mbetur të specifikohet në rregullore.

Ai ka shtuar se të githa komunat dhe institucionet kanë zhvilluar projekte të fushës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) pa miratim të ASHI-it deri në vitin 2019 në mungesë të rregullores.

Po ashtu, në këtë seancë është dëgjuar edhe dëshmitari Bashkim Selmani, i cili ka thënë se për projektet e krijimit të arkivës elektronike dhe projektin e furnizimit me softuer digjital në Komunën e Prizrenit, kanë pasur vendim të Organit Shqyrtues.

Tutje, ai ka thënë se produktet janë dorëzuar në gjendje të rregullt dhe në përputhje me dosjen e tenderit dhe për këtë ai tha ekzistojnë edhe dëshmitë e pranimit.

Në pyetjen e prokurores Gashi se ku i kanë vendosur ato produkte, dëshmitari Selmani ka thënë se kjo është bërë nga departamentet përkatëse dhe se nuk është kompetent ta bëjë këtë.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 4 korrik 2022.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e përpiluar më 29 dhjetor 2020, i akuzuari Ilir Baldedaj ngarkohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas pikës një të aktakuzës, thuhet se prej muajit mars, e deri në fund të vitit 2016, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar – drejtor i Administratës së Komunës së Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër OE-PBC – SHPK nga Prishtina, njëkohësisht duke i shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij të përcaktuara me ligj.

Tutje, në aktin akuzues thuhet se i akuzuarit Baldedaj ka vepruar në atë mënyrë që, pa kërkuar leje paraprake nga organet qendrore shtetërore, e pikërisht pa parashtruar kërkesë në Ministrinë e Administratës Publike – Agjencia për Shoqërinë e Informacionit, e cila është kompetente për shqyrtimin e kërkesave, propozimin, buxhetin për realizimin e kërkesës dhe implementimin e kërkesës, brenda periudhës kohore të cekur më lartë, paraqet kërkesë për shpalljen e  tenderit për projektin “Furnizim me Softwer digjital për shërbimin e qytetarëve të Prizrenit”.

Aktakuza thotë se vlera e tenderit ka qenë 24 mijë e 735 euro, edhe pse ky projekt nuk ka qenë i planifikuar me buxhetin e vitit 2016, duke mos respektuar procedurat e parapara me Ligjin nr. 04/L-145, për organet qeveritare për Shoqërinë e Informacionit, përkatësisht paragrafin 4 dhe 5 të nenit 8 të këtij ligji, me të cilin përcaktohen kushtet e bërjes së investimeve në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, projekt ky që prej ditës së implementimit nuk është funksional, me ç’rast Komunës së Prizrenit i shkakton dëm në shumën prej 28 mijë euro.

Në pikën dy të aktakuzës thuhet se gjatë vitit 2017, në Prizren, i akuzuari Baldedaj, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar – drejtor i Administratës së Komunës së Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër OE-PBC – SHPK nga Prishtina, njëkohësisht duke i shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij të përcaktuara me ligj.

Tutje thuhet se duke ditur se ekziston Arkiva Qendrore, pa kërkuar leje paraprake nga organet qendrore shtetërore, e pikërisht pa parashtruar kërkesë në Ministrinë e Administratës Publike – Agjencia për Shoqërinë e Informacionit, paraqet kërkesën për shpalljen e tenderit për projektin “Arkiva Elektronike”.

Në akzakuzë thuhet se vlera e këtij projekti ka qenë 72 mijë e 898 euro e 98 centë, duke mos respektuar procedurat e Ligjit nr. 04/L 145, projekt ky jofunksional që nga dita e implementimit, me ç’rast Komunës së Prizrenit i shkaktohet dëm në vlerën prej 72 mijë e 898 euro e 98 centë, ku shuma e përgjithshme e dëmit të shkaktuar është 100 mijë e 898 euro e 98 centë.

Me këto veprime, i pandehuri Ilir Baldedaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë