DËSHMITARI: SHLEVA KREDINË PARA KOHE, PARATË I MORI I AKUZUARI MARMULLAKU
Raporton: Valdet HAJDINI
Pejë – Fazli Berisha ka dëshmuar të martën në Gjykatën Themelore në Prizren, në shqyrtimin gjyqësor kundër Rasim Marmulakut, i akuzuar për përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës. Berisha tha se kishte menduar se e kishte kthyer kredinë prej mija eurosh nga Kreditimi Rural i Kosovës. Mirëpo, dy vite pasi e kishte shlyer borxhin ishte thirrur nga zyrtarët e Kreditimit për të kthyer obligimin. Përgjegjësi për të shlyer borxhin, në kohën kur kishte kthyer kredinë, sipas tij, kishte qenë Rasim Marmullaku.
“Pas kësaj i kam telefonuar Rasim Marmullakut, i cili më ka thënë se kredia është mbyllur dhe se unë jam dëshmitar i mbylljes”, tha dëshmitari Berisha, në seancën e kryesuar nga gjyqtarja Lumturije Muhaxheri.
Dëshmia e Berishës është dhënë pasi këtë e ka kërkuar prokurorja Sahide Gashi e cila udhëheq aktakuzën ndaj Marmullakut.
Duke u përgjigjur në pyetjen e të akuzuarit, nëse ka pasur probleme me kreditë e marra, dëshmitari Berisha ka thënë se asnjëherë s’ka pasur probleme me kredi pavarësisht se kishte marrë edhe herëve të tjera hua prej bankave.
Seanca e radhës për këtë rast është caktuar më 21 korrik të këtij viti.
Ndryshe, Prokuroria pretendon se i pandehuri Rasim Marmullaku, kishte keqpërdorur 1.359,55 euro. Sipas aktakuzës, ai këto mjete i kishte marrë prej Fazli Berishës dhe të njëjtat s’i kishte dërguar në vendin për çka ishin dhënë.
Kjo ngjarje kishte ndodhur në dhjetor të vitit 2011.