DËSHMITARI: SHAIP ELSHANI KA THËNË SE DO TË TAKOHEJ ME JETONIN DHE KISHTE NJË ZARF ME 50.000,00 EURO PËR TENDERIN E PTK-SË

Raporton: Valdet HAJDINI

Prishtinë – Ka vazhduar dëshmia e dëshmitarit Bedri Istogu, në gjykimin kundër dy zyrtarëve të Postës dhe Telekomit të Kosovës-PTK, Jeton Shabani dhe Mentor Hema, të akuzuar për veprën penale ‘marrje e ryshfetit’.

Dëshmitari Istogu, para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Faik Hoxha, deklaroj se Shaip Elshani i kishte thënë se do të takohej me të akuzuarin Jeton Shabani, për të diskutuar rreth një tenderi në PTK. “Me vete e ka pasur një zarf me 50.000,00 euro për t’ia dhënë Jetonit, ndërsa unë i kam thënë të mos takohej, sepse nuk kam dëgjuar fjalë të mira për Jetonin” tha dëshmitari Istogu.

Në pyetjen e prokurorit Feti Tunuzliu se si kishte vepruar pasi kishte marr vesh për rastin, dëshmitari Istogu tha se në lidhje me këtë rast e kishte njoftuar eprorin e tij, Bardhyl Sejdiu, i cili e kishte udhëzuar ta shkruaj një raport me shkrim. “Unë kam bërë një raport me shkrim tek menaxhmenti i PTK-së, e pastaj me rastin janë marr ata”.

Pas dhënies së dëshmisë nga dëshmitari, mbrojtësi i të akuzuarit Mentor Hema, avokati Destan Rukiqi tha se pajtohet në tërësi me deklaratën e dëshmitarit.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua me 2 nëntor 2016, në ora 9.30.

Ndryshe, ky gjykim zhvillohet në bazë të ish-Prokurorisë Komunale në Prishtinë, e cila kishte ngritur aktakuzë kundër Jeton Shabanit, Mentor Hemës dhe Shaip Elshanit. Mirëpo, vepra penale me të cilën ngarkohej Shaip Elshani kishte arritur parashkrimin absolut, andaj akuza vazhdon t’i ngarkojë vetëm dy të parët. Kështu, Jeton Shabani dhe Mentor Hema akuzohen se në bashkëkryerje, në cilësi të zyrtarit të prokurimit të PTK-së kishin kërkuar ryshfet në shumën prej 50.000 eurosh nga Shaip Elshani, me qëllim që atij t’i ndahet një tender. Ndërkaq, Elshani akuzohej se ka ofruar dhe premtuar në mënyrë të kundërligjshme shumën prej 50.000 eurove lidhur me fitimin e këtij tenderi.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë