DËSHMITARI RRËFEN VRASJEN NË TENTATIVË NDAJ TIJ

Raporton: Syzana REXHEPI

Gjilan- Përparim Rustemi dhe Lumnije Ibrahimi kanë dhënë dëshmitë e tyre në seancën e së enjtes, të mbajtur për rastin kundër tre të akuzuarve për vrasje në tentativë, Adnan Byqmeti, Shqipdon Zejnullahu dhe Gëzim Ibrahimi.

Gjatë marrjes në pyetje nga palët në procedurë, dëshmitari Përparim Rrustemi, tha se në natën kritike ka qenë në punë, dhe kishte pasur disa telefonata nga Adnani, duke theksuar se ky i fundit e kishte kërcënuar. Sipas dëshmitarit, fillimisht ai dhe Adnani kishin lënë një takim, por nuk ishin takuar. Pastaj, më vonë Adnani e kishte thirrur prap  në telefon dhe i kishte thënë se është para derës së  shtëpisë së tij. “Kur kom dal, Adnani më ka sulmu me grushta, ndërsa Gëzimi e ka  pasë një shufër metalike më çka m’ka goditë” është shprehur ai. Dëshmitari Rustemi shpjegon se përveç dy të lartpërmendurve, aty ishte edhe i akuzuari tjetër, Shqipdoni, i cili e kishte goditur me thikë në pjesën e majtë të gjoksit. Pas kësaj, ai ishte dërguar nga familjarët e tij për ndihmë mjeksore në Spitalin Regjional të Gjilanit. Sipas tij, shkaku pse ka ardhur deri tek kjo situatë, ka qenë fakti sepse Adnani dhe ai janë shoqëruar në të njëjtën kohë me Lumnije Ibrahimin.

Pas tij, dëshmitarja e dytë, Lumnije Ibrahimi, ka thënë se me Adnanin është njohur shumë më herët, ndërsa Përparimin e ka njoftuar më vonë. Ibrahimi ka shpjeguar se në natën kritike ka qenë duke pirë kafe  me Adnanin, Gëzimin dhe Shqipdonin, dhe gjatë asaj kohe Përparimi e ka thirrur atë në telefon, për të cilën ajo i ka kërkuar atij që të mos e shqetësonte në telefon. Sipas saj, Përparimi ka vazhduar prapë ta shqetësojë dhe në ato momente Adnani e ka marrë telefonin dhe në ndërkohë kishin vazhduar  kërcënimet në mes tyre. Pastaj kanë shkuar te shtëpia e Përparimit dhe aty ka vazhduar rrahja ndërmjet tyre.

Sipas aktakuzës, Adnan Byqmeti, Gëzim Ibrahimi dhe Shqipdon Zejnullahu, me dashje kanë tentuar ta privojnë nga jeta të dëmtuarin Përparim  Rrustemi, në atë mënyrë që janë përgatitur duke marrë armë të ftohta me veti, ku e kanë ftuar atë të takohen para derës së shtëpisë së tij. Kur i njëjti ka dalë nga oborri i tij, ai është sulmuar nga të akuzuarit me thikë dhe me shufër të hekurt, ku nga ky sulm ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë