DËSHMITARI REFUZON TË JAP DËSHMINË, I CAKTOHEN 30 DITË PARABURGIM DHE 200 EURO GJOBË

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Nexhdet Berisha të enjten ishte ftuar për të dëshmuar në shqyrtimin gjyqësor kundër të akuzuarit Musa Ademi për shkak të veprës penale “rekrutimi për terrorizëm”, mirëpo kjo nuk ndodhi. Dëshmitari Berisha refuzoi të përgjigjet në pyetjet e parashtruara nga palët, dhe atë që në mometin kur u ftua në sallë deklaroi se “unë nuk pranoj të flas asgjë para kësaj gjykate dhe as nuk i njoh ligjet e juaja, sepse unë gjykohem vetëm para Allahut dhe vetëm me ligjet e tij”.

Përkundër insistimit të vazhdueshëm të trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Ibrahim Idrizi, dhe njoftimit të tij se në këtë çështje nuk është ai që do të gjykohet por vetëm është ftuar në cilësinë e dëshmitarit, i njejti vazhdonte të deklaronte po njëlloj. Madje gjyqtari e njoftoi atë edhe për pasojat në rast të mosdhënies së dëshmisë, por Berisha në mënyrë decidive refuzonte të jepte dëshminë e tij në këtë shqyrtim gjyqësor, me arsyetimin se njeh vetëm ligjet e Allahut e sipas tij feja e tij e ndalon të gjykohet me ligje të tjera.

Pasi që Nexhet Berisha refuzoi dhe nuk pranoi të paraqes deklaratën e tij, trupi gjykues pas këshillimit solli aktvendim me të cilin dëshmitarit në këtë rast, i caktoi masën  e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditëve, e për të cilën masë tha se mund të vazhdoj në qoftë se dëshmitari pas këtij afati përsëri refuzon të jap deklaratën e tij . Gjithashtu me aktvendim të njejtit i’u shqiptua edhe dënimi me gjobë në shumë prej 200 euro.

Para se të deklaronte Berisha, në shqyrtimin e së enjtës, dëshmoi edhe dëshmitari tjetër Fehmi Musa, i cili tutje deklaroi se të akuzuarin Musa Ademi e njeh që shtatë vite, dhe se me të ishin njohur si tregtar, pasi që siç dekalroi ai të dy kishin shitur libra fetar. Në pyetjen e prokurores speciale të çështjes Merita Bina – Rugova se a ka shkuar ai ndonjëherë së bashku me tani të akuzurin Ademi në agjensionin turistik “Pegasus” për të blerë bileta për në Turqi dhe Siri, dëshmitari u përgjigj se ka qenë njëherë në këtë agjension se bashku me të akuzuarin, por tha se vetëm janë interesuar për bileta për në  qytetin Umre, pasi që siç tha ai kanë qenë të interesuar për të shkuar në Haxh. I njëjti shtoi se nuk e di nëse Musa Ademi ka blerë ndonjëherë bileta për në Turqi apo Siri, qoftë për vete apo për ndonjë person tjetër. Dëshmitari theksoi gjithashtu se gjatë marrjes në pyetje të tij në procedurën paraprake në Stacionin Policor, zyrtarët policor që janë marrur me rastin, kishin ndikuar në përgjigjiet e tij ku tha se deklarata e tij e dhënë në polici nuk është tërësisht ashtu siç është e shkruar.

Seanca e rradhës u caktua më 6 maj 2016 në ora 10:00.

Prokuroria Speciale më 10 dhjetor 2015 ka ngritur aktakuzë ndaj Musa Ademit për shkak të veprës penale “rekrutimi për terrorizëm”. Sipas aktakuzës, duke filluar nga viti 2012 e tutje, në Kosovë, vazhdimisht i ka bërë thirrje personave tjerë që të marrin pjesë në aktivitetet e organizatës militante, ekstremiste të quajtur “ISIS” në shtetet e Lindjes së Mesme, në atë mënyrë që ka bërë propagandë intensive verbale, gjatë kontakteve personale, si dhe përmes internetit (facebook,email,viber,skype) përmes së cilit ka dërguar informata dhe fotografi lidhur me aktivitetet terroriste të kësaj organizate.  Njëkohësisht prej burimeve të ndryshme ka siguruar fonde materiale për të, ashtu që me datë 7 gusht 2013 tani të ndjerit Blerim Heta dhe Faton Ivaja të cilët vet i ka rekrutuar , personalisht u’a ka blerë biletat dhe i ka dërguar në Siri, ashtu që Blerim Heta me datë 25 mars 2014 ka kryer akt terrorist vetëvrasës në Irak duke vrarë 52 njerëz, ndërsa Ivaja ende gjendet në Siri ku merr pjesë në aktivitetet terroriste. Kurse me datë 15 maj 2014 e ka organizuar shkuarjen në Siri të Fitim Lladrovcit dhe Nexhdet Berishës i cili në momentin e fundit ka ndërruar mendjen dhe nuk ka shkuar, kurse Fitim Lladrovci si pjesëtar i ISIS-it në Siri ka qëndruar rreth pesë (5) muaj dhe tani gjendet në vuajtje të dënimit për aktivitetet e tij terroriste.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë