DËSHMITARI: “OMEGA FARM” NUK KISHTE CERTIFIKATË PËR SHITJEN E NJË SERIE TË “OKI-T”

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë – Dëshmitari Rifat Muriqi u dëgjua në gjykimin e mbajtur ndaj farmacistes së “Omega Farm”, Nekibe Ejupi dhe doganierit Edmond Stavilevci. Të dy akuzohen për dallaveret që i kishin bërë me barëra në vitin 2013. Rifat Muriqi në atë kohë kishte qenë inspektor dhe gjatë dëshmisë së tij para trupit gjykues, deklaroi që gjatë inspektimit në subjektin “Omega Farm” kishte gjetur parregullësi vetëm në lidhje me mungesën e certifikatës me numrin serik të disa prej pakove të barnave”Oki”. Për këto parregullësi, dëshmitari tha që u kishte shqiptuar dënim me gjobë. Muriqi foli edhe për procedurat e mos deklarimit të mallit në doganë, gjë për të cilën akuzohej Edmond Stavilevci. Lidhur me këtë çështje, dëshmitari u shpreh se në këtë rast pakot që nuk e kanë pasur numrin serik të shënuar në certifikatë nuk kanë guxuar të kalojnë në doganë. Sipas tij i njëjti produkt i padeklaruar do duhej të kthehej në vendin e origjinës ose të asgjësohet në prezencën e ndonjë personi të autorizuar nga Agjencioni i Kosovës për Produkte Medicinale (AKPM).

Në këtë seancë gjyqësore u morr në pyetje edhe dëshmitari Xhafer Krasniqi, i cili ishte autorizuar  të jetë dëshmitar në vend të Lulëzim Rafunës, drejtorit të Doganave. Gjatë dëshmisë së tij, Krasniqi tha se disa nga mallrat siç janë mishi, nafta apo barnat nuk mund të kalojnë pa leje të veçantë nga Ministria përkatëse. Mbrojtësi i të akuzuarit Edmond Stavilevci, Baher Ejupi i prezantoi dëshmitarit dokumenatacionin doganor që ta shiqoj, dhe ky i fundit tha se ky dokumentacion apo ndryshe Dudi Doganor është i përpiluar konform dispozitave të Kodit Doganor.

Në seancën e rradhës e cila është caktuar më 30 qershor, do të dëgjohen dëshmitarë të tjerë.

Sipas aktakuzës së datës 25 prill 2014, Nekibe Ejupi si farmaciste e punësuar në barnatoren ”Omega Farm”, si përgjegjëse dhe drejtuese teknike, ka vënë në qarkullim produkte të dëmshme mjekësore, duke importuar produkte medicinale për  1120 pako të barnave”Oki”. Sipas kësaj aktakuze këtë e kishte bërë në mënyrë të kundërligjshme, pa u pajisur me licencë për import të serisë nga AKPM. Me këtë ajo kishte kryer veprën penale prodhim dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore. Ndërkaq, Edmond Stavileci akzuohet  në cilësinë e doganierit përgjegjës për ekzaminimin e ngarkesës dhe harmonizimin e dokumentacionit në terminalin doganor “Intereuropa”. Bazuar në aktakuzën e prokurorisë,  Stavileci në momentin e zhdoganimit të produkteve të importuara nga subjekti “Omega Farm, i ka mundësuar që të bëj zhdoganimin e mallit pa e poseduar dokumentacionin përkatës – licencën për import të serisë nga AKPM. I njëjti akuzohet se nuk e ka bërë harmonizimin e dokumentacionit me gjendjen faktike të mallit që është importuar pasi subjekti”Omega Farm” nuk ka pasur leje importi për produktin “Oki”. Për keto veprime, Stavileci akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

 

 

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë