DËSHMITARI: NUK KA PASUR ANKESA ME SHKRIM NDAJ MËSUESES, LULJETA HOXHA

Raporton: Syzana REXHEPI

Gjilan – Shefi i sektorit juridik në Drejtorinë Komunale Arsimit (DKA), në Gjilan, Bardhyl Syla dëshmoi në seancën e 4 majit, në rastin e Bujar Nevzadit dhe Ahmet Aliut, të akuzuar për keqpërdorim detyre. Nevzadi po akuzohet në cilësi të Drejtorit të DKA-së, ndërkaq Aliu në cilësinë e Drejtorit të Shkollës Fillore “Selami Hallaqi” në Gjilan. Syla gjatë dëshmisë së tij e njoftoi trupin gjykues se në DKA nuk ka pasur ndonjëherë ankesa me shkrim ndaj Luljeta Hoxhës. Dëshmitari tha se që ishte njoftuar për rastin e mësueses Luljeta Hoxha, nga Drejtori i kësaj shkolle dhe prindërit e fëmijëve. Sipas tij, prindërit e klasës së Hoxhës, kishin  thënë se nuk dëshirojnë që fëmijët e tyre ta kenë këtë mësuse për arsye se ajo nuk kishte pregaditje  profesionale. Dëshmitari Syla tregoi se gjatë kohës sa ka qenë ushtrues detyre në Drejtorinë Komunale të Arsimit, në zyren e tij kishte shkuar Luljeta Hoxha dhe i kishte kërkuar që ta kthen në vendin e punës si mësuese. Gjatë këtij takimi, Hoxha i kishte treguar se i është ofruar një vend i punës si bibliotekiste nga ish-drejtori, mirëpo e e njejta e kishte refuzuar me arsyetimin se dëshironte të kthehej në vend të punës si mësuese. Sa i përket suspendimit të mësueses, dëshmitari Syla tha se drejtori i shkollës nuk ka kompetencë të ushtroj kërkesë për suspendim sepse në këto raste vendimet i merr organi i punësimit, e që është DKA.

Aktakuza e Prokurorisë, e akuzon Bujar Nevzadin se me datë 6 shtator 2013, duke vepruar në kundërshtim me ligjin e punës, ka marrë aktvendim për suspendim nga marrëdhënia e punës ndaj Luljeta Hoxhës, mësimdhëse në shkollën fillore “Selami Hallaqi”. Sipas aktakuzës këtë e kishte bërë pa ndërrmarë asnjë veprim paraprak për vlerësimin e performancës. Ndërsa Drejtorin e Shkollës Fillore “Selami Hallaqi” aktakuza e ngarkon me veprën “keqpërdorin i pozitës apo autoritetit zyrtar” me arsyetimin se e ka zbatuar këtë vendim të kundërligjshëm.

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë